E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Bashkiak, PS shkarkon kryetarin e LSI

Këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Vlorës shkarkuan dje kreun e këtij këshilli, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke emëruar përfaqësuesin e PS-së, Kujtim Sulçe. Shkak ka qenë një projektvendimi i propozuar nga Bashkia e Vlorës dhe pas debatesh të shumta, këshilltarët e mazhorancës braktisën mbledhjen. Në mungesë të tyre, 24 këshilltarët e mbetur hodhën në votim propozimin për shkarkimin e Arben Sinanit. Në rendin e ditës së mbledhjes se djeshme ishin 9 pika, por i gjithë debati u fokusua te projektvendimi i propozuar nga Bashkia e Vlorës "për riorganizim të fondeve buxhetore të bashkisë së Vlorës në vendimin nr. 55 dt. 26.12.2008". Përpara hedhjes për votim të këtij projektvendimi, kreu i bashkisë prezent në mbledhje, Shpëtim Gjika, kërkoi fjalën përpara këshilltarëve, ku u kërkoi atyre kalimin e këtij vendimi, duke argumentuar se shkak për vonesat në investimet e Bashkisë së Vlorës kanë qenë punimet në ujësjellësin e ri të qytetit. Menjëherë pas kësaj, në një deklaratë lexuar nga Laureta Bejkosala, këshilltarët e PD-së, PDI-së, LSI-së, PR-së dhe PAD-së i kërkonin bashkisë dhe kryetarit Gjika transparencë në këtë projektvendim. Menjëherë pas kësaj, këshilltarët e djathtë kanë dalë nga salla e mbledhjes. 24 anëtarët e mbetur në sallë miratuan kështu të 9 pikat e rendit të ditës, e pas kësaj 17 këshilltarët e majtë propozuan shkarkimin e kryetarit të këshillit Arben Sinani i LSI-së. Votimi u bë i fshehtë dhe me 23 vota pro e një kundër u mor vendimi për shkarkim të Sinanit. Propozimi që posti i kryetarit të Këshillit Bashkiak të merrej nga Kujtim Sulçe, u votua me 23 vota pro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›