E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët rrezikojnë defaktorizimin

Nga Express më 06 prill 2011 në ora 12:08

Në rast se nuk arrihet formimi i koalicioneve dhe blloqeve parazgjedhore shqiptare , atëherë rrezikohet dhe do të zbehet edhe më tej roli i faktorit politik shqiptar në skenën e ardhshme politike në Maqedoni.

Ky shqetësim vjen nga Organizata Për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE), e cila ka realizuar një hulumtim me opinionet e qytetarëve, nëpërmjet formave të ndryshme të anketimit.

Në analizën e OBRIE theksohet se partitë shqiptare në këto zgjedhje ende nuk kanë arritur të tejkalojnë interesat e veta dhe të përkushtohen për formimin e koalicioneve, me qëllim të ruajtjes së votës shqiptare.

“Për herë të parë në garën zgjedhore pritet të hyjnë më tepër parti shqiptare, dhe kjo e dëmton dhe e përçan fuqinë e votës shqiptare. Rezultati i kësaj rrjedhe do të çoj në një situatë të defaktorizimit të mëtejmë të spektrit politik shqiptar në Maqedoni. Përçarjet e theksuara mbizotërojnë vetëm tek grupet partiake politike, derisa qytetarët shqiptar pajtohen për unitet dhe koalicione ndërpartiake”, theksohet në një pjesë të analizës së OBRIE, e përgatitur për institucione relevante ndërkombëtare.

Analiza më tej tërheq vërejtjen për zbehjen dhe zvogëlimin e trupit votues shqiptar, pikërisht për shkak të këtyre përçarjeve, por edhe mundësinë e uljes së vazhdueshme të përqindjes së trupit votues shqiptar, për shkak të pakënaqësisë me zhvillimet aktuale dhe defaktorizimin politik shqiptar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›