“Kemi rritje të prurjeve në kaskadën e Drinit, por nuk ka vend për panik”

Ministri Dritan Prifti
Ministri i Energjetikës Dritan Prifti, deklaroi dje se me gjithë rritjet e prurjeve mbi kaskadën e Drinit, situata nuk mund të quhet alarmante. Në një konference për shtyp dje, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti tha se niveli i prurjeve në HEC-et e kaskadës së Drinit është rritur ndjeshëm pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.
“Nuk mendoj se ka asnjë lloj rreziku për kaskadën tonë dhe vend për asnjë lloj paniku, përveç faktit se zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës duhet të jetë e përgatitur nëse atje do të ketë përmbytje”, deklaroi Prifti.
Sipas Ministrit portat e shkarkimit të liqenit të Fierzës nuk janë hapur ende, por të dhënat e fundit nuk janë aspak premtuese.
“Situata është përkeqësuar për shkak të reshjeve të mëdha, niveli i Fierzës ka arritur në 293.14 m, prurjet janë 1650 m3/sek, por pavarësisht se gjatë natës prurjet ishin alarmante deri në 3000 m3/sek në këtë HEC nuk ka shkarkime” ,deklaroi ministri Prifti.
Sipas tij, sekretariati teknik nuk ka vendosur për të pasur shkarkime në Fierzë edhe pse për shkak të rregullores niveli tashmë i lejuar i Fierzës është 296 m dhe në momentin kur prurjet në Fierzë kalojnë 1100 m3/sek, rregullorja lejon që niveli i Fierzës mund të jetë i tolerueshëm deri në 296 m.
Ministri Prifti tha më tej se, rregullorja na lejon të mos marrim ende një vendim për hapjen e portave të shkarkimit në HEC-in e Fierzës, ndërsa po vijojnë shkarkimet në dy HEC-et e tjera të kaskadës së Drinit në atë të Vaut të Dejës dhe Komanit.
Prifti tha gjithashtu se të tre HEC-et janë duhet punuar me kapacitet të plotë.