Task-Force për kërkimin e të pushkatuarve nga regjimi komunist

Miraton qeveria
Me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, miratoi dje krijimin e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Kjo strukturë do të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm. Në mbledhjet e Task-Forcës, ftohen të marrin pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë; një përfaqësues nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e Brendshme; një përfaqësues nga Policia e Shtetit.
Task-Forca ka si qëllim kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit dhe anëtarët e Task-Forcës për zbatimin e këtij vendimi.
Përbërja e Task-Forcës
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Drejtori i Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror
Drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme
Drejtori i Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
Nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore
Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë