E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kemi tolerancë të shkëlqyer fetare”

Kryeministri Sali Berisha deklaroi: “Me tolerancën e shkëlqyer fetare në Shqipëri, ne i japin mbarë njerëzimit një mesazh të madh nga një komb i vogël, mesazhin e dashurisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis besimeve fetare”.

 Një deklaratë të tillë kreu i qeverisë e bëri gjatë përshëndetjes që bëri në koncertin festiv artistiko-fetar të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në ambientet e Pallatit të Kongreseve, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Profetit Muhamed. Të pranishëm në këtë koncert ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë.     “Në një shekull luftërash dhe përpjekjesh, shqiptarët e Kosovës, në asnjë rast të vetëm nuk pranuan të përdornin besimin fetar si një pretekst për të drejtat e tyre. Ne sot kremtojmë ditëlindjen e Profetit, pas ngjarjes historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Në të gjitha konferencat islamike dhe kudo që kam marrë pjesë dhe do të marr pjesë, para burrave të shtetit dhe bashkëbiseduesve të mi, nuk kam asgjë më të çmuar se sa tolerancën dhe mirëkuptimin tonë fetar”, u shpreh më tej Kryeministri. Duke u shprehur krenar për këtë vlerë të kombit tonë, Kryeministri Berisha siguroi se, “mesazhi i mirëkuptimit fetar, dashurisë dhe respektit për besimin e njëri-tjetrit, do të marrë çdo ditë e më shumë peshën që i takon dhe do të lartësojë çdo ditë e më shumë shqiptarët në Evropë dhe në botë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›