E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha të mbajë premtimin, presidenti të dalë nga populli”

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i kujton lidershipit të PD-së, Sali Berisha...

Skender Minxhozi

... se duhet t’i përmbahet premtimit elektoral për zgjedhjen e presidentit nga populli. Ai flet dhe për tërheqjen e tij nga një politikë aktive në PD, ndryshe nga sa ishte 11 muaj më parë, të ku mbante mbi supe detyrën e kryediplomatit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Zoti Mustafaj, që nga momenti i dorëheqjes nga posti i ministrit të Jashtëm, keni mbajtur një qëndrim disi të tërhequr brenda PD. Sot, rreth 11 muaj pas atij largimi, si e gjykoni vendimin që morët?
Ka qenë një vendim i drejtë, shprehje e përpjekjeve të mia të mëparshme e të më pasme për t’u qëndruar besnik disa parimeve dhe një morali, për të cilat në fund të fundit besoj se, kam hyrë dhe vazhdoj të qëndroj në politikë. Ajo që nuk mund të parashikoja qartë njëmbëdhjetë muaj më parë e që diku-diku më bënte të dridhesha pak fshehurazi, ishte frika e një gjykimi të ashpër nga ana e shumë demokratëve, të cilët më kanë besuar, më kanë mbështetur e më kanë votuar gjatë gjithë këtyre viteve. Tani edhe në këtë pikë jam i qetë. Nuk shoh të më rreshtojnë tek ata drejtues të Partisë Demokratike, që i kanë zhgënjyer demokratët qoftë me moralin e tyre, sepse u përlyen në korrupsion, qoftë me paaftësinë e tyre për të përmbushur funksionet e larta shtetërore apo qeveritare, që morën pas zgjedhjeve të 3 korrikut.
Si e shikoni në planin diplomatik marrjen e ftesës në NATO? Sa dhe si do të modifikohet politika jonë e jashtme pas këtij akti historik?
Ftesa për anëtarësim në NATO është padyshim një sukses i madh diplomatik e politik për mbarë Shqipërinë e posaçërisht për maxhorancën aktuale. Ndërsa politika e jashtme, sidomos politika e jashtme pra, nuk ka arsye të modifikohet. E kam fjalën se, orientimi i saj properëndimor jo vetëm nuk ka arsye të modifikohet, por ai bëhet përfundimisht i pandryshueshëm, pavarësisht alternancave të pushtetit në të ardhmen. Dhe kjo për mua është dobia kryesore për Shqipërinë në këtë hap. Nëse mund të flitet për ndryshim, ky do të konsistojë në rritjen e peshës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe kjo është gjë e mirë.
Një debat i hapur: Ftesa në NATO, erdhi si pasojë e progresit të brendshëm, apo si rezultat i konjukturave aktualisht të favorshme ballkanike dhe ndërkombëtare? Ju si mendoni?
Unë jam i bindur se përcaktues ka qenë progresi i brendshëm. Konjukturat e favorshme ballkanike vetëm sa e kanë ndihmuar, por nuk mund të kishin rol vendimtar. Edhe me një vështrim të shkurtër prapa, do të vëmë re se konjukturat ballkanike nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor, të paktën që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kur edhe ju dha fund konflikteve të armatosura në ish –Jugosllavi. Dhe as qëndrimet strategjike të NATO-s ndaj rajonit tonë nuk kanë ndonjë luhatje të dukshme. Debati që përmendni ju, do të thosha, reflekton një farë pasigurie në vete, që e kemi ende ne si komb. Nuk jemi ende të qartë mjaftueshëm për vlerat dhe aftësitë që kemi dhe kjo ndodh edhe me kombet  e nënvleftësuara për periudha të gjata nga të tjerët.
Mesa duket, në Shqipëri do të na duhet të bashkëjetojmë me idenë e NATO-s dhe të Gërdecit. Si qëndrojnë në konceptin tuaj politik këto dy ngjarje diametralisht të kundërta dhe sa do ta influencojnë ato jetën tonë politike, në aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm?
Gërdeci, me mënyrën si po mësojmë se është ngjizur tragjedia, nxjerr qartë në pah faktin se, Shqipëria nuk i ka mbyllur hesapet me të kaluarën e saj diktatoriale e militariste. Dhe jo vetëm kaq. Gjatë këtyre 17 vjetëve të demokracisë, shoqëria jonë dhe institucionet e saj janë infektuar rëndë edhe nga sëmundjet e rrezikshme që gëlojnë në një vend, ku instalimi i lirisë nuk është shoqëruar edhe me instalimin serioz të shtetit ligjor, siç janë korrupsioni e krimi i organizuar. Unë shpresoj fort se Gërdeci, në kuptimin që shtjellova dhe NATO nuk do të bashkëjetojnë tashmë, as me marrëveshje të hapura dhe as me marrëveshje të fshehta në Shqipëri. Përkundrazi, Shqipëria e anëtarësuar në NATO, do të jetë edhe më e vendosur, me mjete më të shumta e më moderne për t’i dhënë fund asaj çka përfaqëson Gërdeci.
A është korrekte të thuhet se shteti ra më 15 mars? Më tej, a është korrekte kërkesa e opozitës për dorëheqje të Kryeministrit?
Nuk më duket korrekte të thuhet se, shteti ra më 15 mars. Do të thosha me bindje se, më 15 mars shteti u shkund fort dhe madje doli nga atrofia. Po përmend dy fakte: Menaxhimi i krizës që pasoi plasjen e Gërdecit dëshmoi një aftësi të lartë mobilizimi të të gjitha energjive të shoqërisë sonë, qoftë të institucioneve, qoftë të opinionit publik, si dhe dorëheqja në kohë e Fatmir Mediut nga funksionet e ministrit të Mbrojtjes dhe vajtja e tij pa asnjë ngurrim në Prokurori për t’u shërbyer hetimeve. Nuk di shembull tjetër më parë, kur një ministër i ka marrë me aq dinjitet përgjegjësitë e veta morale dhe politike. Sa për kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrit, ajo ishte brenda logjikës së luftës politike në demokraci.
Sa i rrezikon, sipas mendimit tuaj, shanset e fitores politike të vitit të ardhshëm, ajo që ndodhi në Gërdec?
Gërdeci do të jetë pashmangshmërisht pjesë e bilancit, që do t’i bëhet kësaj qeverie, në përfundim të mandatit të saj. Por qeveria, e në përgjithësi maxhoranca jonë, nuk e kanë mbyllur ende analizën e Gërdecit. Në qoftë se kjo analizë do të jetë e sinqertë, e thelluar dhe parimore, besoj ndikimi i kësaj tragjedie në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë i ndjeshëm, pavarësisht përdorimit të saj me ngulm nga ana e opozitës. Sepse në politikë vlerësohet pozitivisht edhe pjekuria e reflektimit. Ne na mbetet ta dëshmojmë para shqiptarëve  këtë pjekuri, që nuk e kemi dëshmuar ende, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga tragjedia.
Në Himarë ndodhi një incident banal i radhës, që duket se po pasohet nga instrumentalizimi politik e diplomatik po i radhës. A pajtoheni me kërkesat e fundit në Kuvend që kërkojnë penalizimin e kreut të Bashkisë në Himarë dhe më gjerësisht, si i shihni debatet rreth implikimit të përsëritur të autoriteteve greke në këtë çështje?
Në analizën e fundit, rëndësi ka thelbi i këtij incidenti dhe ky thelb, siç e theksuat edhe ju në pyetjen tuaj, është fare banal. Më tej, vëmendja ndalet në mënyrë kuptimplotë te kryetari i Bashkisë së Himarës. Nuk është hera e parë që ky farë kryetari Bollano na bëhet protagonist, duke treguar se ose është budalla, dhe ligjin themelor të shtetit e shkel si budalla, ose është një provokator i neveritshëm dhe ligjin e shkel si provokator. Mendoj se shteti, nëpërmjet institucioneve të veta të investigimit dhe të drejtësisë duhet të sqarojë së pari, se cili nga këto dy versione është i vërtetë e mandej të mbajë qëndrimin e merituar ose për budallain, ose për provokatorin. Një gjë është e sigurt, e provuar dhe e stërprovuar nga historia e largët dhe e afërme: Asnjë minoritet nuk ka mundur ta ndërtojë lumturinë në shtëpinë e vet, duke i bërë karshillëk komunitetit etnik shumicë në sajë të mbështetjes që merr tek një shtet tjetër. E ndjej të nevojshme t’ia  kujtoj këtë fakt Bollanos, me qenë se ai është edhe përfaqësues i lartë i OMONIA-s . Me përçartjet e tij, dëmin më të madh ai ia bën vetë minoritetit grek. Kjo do të duhej të ishte edhe optika e qeverisë greke në konsiderimin e Bollanos, në qoftë se kjo qeveri përpiqet sinqerisht për të mirën e minoritetit grek, që jeton në Shqipëri.
Momentalisht, po debatohet ndryshimi i sistemit elektoral. Ju personalisht, cilit sistem i besoni më shumë në kushtet aktuale?
Do të thosha se edhe sistemi i sotëm elektoral është po aq demokratik sa edhe çdonjëri nga sistemet e tjera që propozohen. Mjafton të kujtojmë se ky sistem funksionon për bukuri në Gjermani, për shembull. Problemi shfaqet tek implementimi i tij nga ana e klasës sonë politike dhe institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, problemi buron nga niveli i ulët i kulturës demokratike të protagonistëve tanë politikë. Si i tillë, problemi vështirë të zgjidhet me ndryshim mekanik të sistemit elektoral.
Të martën, Presidenti Topi u shpreh në media se, brenda të djathtës po krijohet një lob, që po kërkon të zgjerojë kompetencat e tij, me qëllim interesa të caktuara private. Si e konsideroni këtë reagim dhe më në përgjithësi, si ju duken propozimet e fundit të PD, që synojnë modifikimin apo dublimin e kompetencave të kreut të shtetit?
Sigurisht që Presidenti Topi ka informacion të mjaftueshëm, mbi të cilin analizon dhe nxjerr konkluzionet që i takon e që unë nuk kam ndërmend t’i komentoj. Por, lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD, të cilat prekin kompetencat dhe mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit, unë jam shprehur edhe më parë e nuk kam ndryshuar mendim. Besoj se ato propozime ishin të papjekura, as më shumë e as më pak. Përvoja ka dëshmuar se ne na nevojitet një kryetar shteti me kompetenca më të ekuilibruara, pra, pak më të gjera, në mënyrë që ta luajë më lehtësisht rolin  e tij si garant i Kushtetutës. Dhe jo e kundërta, siç u propozua. Po ashtu, PD ka premtuar më 3 korrik të kryejë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, që do të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Ne kësaj duhet t’i përmbahemi.
Si e shihni, në cilësinë e një deputeti të maxhorancës dhe të një njohësi të mirë të protagonistëve të politikës tonë, përplasjen e fundit më shumë personale sesa parimore, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës? Sa fiton PD nga ky sherr brenda opozitës?
Natyrisht që, personalitet e forta të njërit dhe të tjetrit ndikojnë në këtë përplasje, por nuk më duket se kjo është arsyeja e vërtetë. Shkaqet janë më të thella, e dashje pa dashje, kanë dhe një thelb parimor. Me propozimet e PS për sistemin zgjedhor proporcional rajonal, Meta kuptoi shpejt se Rama synonte, veç të tjerash edhe asgjësimin politik të LSI dhe natyrshëm që nuk do të pajtohej. Meta ka treguar tashmë se, nuk është nga ata burra që ulin qafën për një kothere. Për sa i përket përfitimit që nxjerr PD nga kjo përplasje, do të thosha se në kushtet e një sistemi zgjedhor proporcional rajonal, ai është zero. Votuesit e LSI nuk shkojnë djathtas. Dhe, nëse LSI nuk kapërcen pragun për të hyrë në parlament, përqindjet e saj do të pjesëtohen midis partive fituese, siç do të ndodhë edhe me përqindjet e partive të djathta, që do të jenë në të njëjtën gjendje. Rama e di shumë mirë këtë gjë.
Marrë nga revista “MAPO”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›