E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta e pareshtur e senatorit Kennedy Nga RFESenatori Eduard Kennedy, një nga figurat më të shquara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdiq nga kanceri në tru, në moshën 77-vjeçare. Më i vogli nga gjenerata e vëllezërve të famshëm, ku përfshihet p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Lufta e pareshtur e senatorit Kennedy Nga RFE

Senatori Eduard Kennedy, një nga figurat më të shquara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdiq nga kanceri në tru, në moshën 77-vjeçare.

Më i vogli nga gjenerata e vëllezërve të famshëm, ku përfshihet presidenti i vrarë, John F. Kennedy, Eduard Kennedy u rrit për t’u bërë një figurë udhëheqëse në skenën politike amerikane për dekada të tëra.

Me standarde të jashtëzakonshme, të vendosura nga familja e tij, disa mund të argumentojnë se karriera politike e Ted Kennedy-t ishte e shkurtër.

Më 1969, ai ishte senatori në ngritje nga Masaçusetsi, kur pozita e tij morale u njollos përgjithmonë nga ai që njihet si incidenti i Çapakuidikut.

Pas një aksidenti me veturë, ai iku nga vendi i ngjarjes, dukë lënë të fundosur trupin e një gruaje të re, të cilën po e dërgonte në shtëpi pas një ahengu. Gruaja vdiq dhe Kennedy më vonë u deklarua fajtor, për shkak se kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe iu dha një dënim i suspenduar.

Ai, me lehtësi, në vitin pasues fitoi mandatin tjetër në Senat, por që nga atëherë ai u shfaq si hallka më e dobët në zinxhirin e vëllezërve të famshëm Kennedy.

Vëllai më i madh i tij, John, ka lënë shenja të pashlyeshme në historinë amerikane si një president karizmatik, që u qëllua për vdekje në Dallas, në vitin 1963.

Pesë vjet më vonë, vëllai tjetër, Roberti, u vra ndërsa po bënte fushatë për president. Por, në të vërtetë, Eduard posedoi magjinë e famshme të Kennedy-ve, edhe pse në dozë më të vogël sesa John apo Robert.

Për pothuaj gjysmë shekulli në shërbim të publikut, ai gradualisht u shfaq si figurë kryesore dhe e palodhshme, e përkushtuar për kauzën liberale.

Vula e Eduard Kennedy-t është vënë në pothuaj çdo pjesë të legjislacionit të miratuar nga Kongresi për dekada të tëra, e që kishte të bënte me kujdesin shëndetësor, të drejtat civile, edukimin ose imigrimin.

Ai është konsideruar si një negociator i aftë të arrijë marrëveshje mbipartiake, madje edhe me konservatorët, për të cilët liberalizmi ishte një anatemë.

Kennedy ishte një orator prekës. Kështu shfaqet në Konventën e demokratëve në Nju-Jork, në vitin 1980, kur pranoi disfatën për të marrë nominimin e partisë për president.

“Për të gjithë ata, përkujdesi për të cilët ka qenë brenga jonë, puna nuk ndalet, kauza vazhdon, shpresa ende jeton, ndërsa ëndrra kurrë nuk do të vdesë”, - ka thënë i ndjeri Kennedy.

Jimmy Karter fitoi atë nominim, por ishin fjalët zemërgjera të Kennedy-t që vodhën vëmendjen e asaj nate.

Një tjetër fjalim i famshëm i tij ka qenë ai i qershorit 1968 në funeralin e vëllait të tij Robertit, në Nju-Jork, i cili u vra pasi fitoi nominimin për president nga demokratët e Kalifornisë.

Robert ka qenë Prokuror i Përgjithshëm në administratën e John Kennedy-t.

“Vëllai im nuk duhet të idealizohet pas vdekjes, përtej asaj që ishte në jetë. Duhet kujtuar thjesht si një njeri i mirë dhe i ndershëm, i cili e pa të gabuarën dhe u mundua ta ndreqë; i pa vuajtjet, u mundua t’i shërojë; e pa luftën, u mundua ta ndalojë”, - pati thënë Eduard Kennedy.

Kujdesi shëndetësor për të gjithë amerikanët ka qenë shqetësimi kryesor i Eduard Kennedy-t.

Pavarësisht shëndetit të tij të dobët, ai mbështeti fuqishëm presidentin Barack Obama, i cili i dha prioritet të lartë përmirësimit të kujdesit shëndetësor. Këtu është Kennedy duke folur në një tubim për Obamën në fillim të 2008-ës.

“Jam krenar të qëndroj pranë tij sot dhe të ofroj ndihmën time, zërin tim, të ofroj energjinë time, përkushtimin tim, për ta bërë Barack Obamën presidentin e ardhshëm të SHBA”, - pati thënë Kennedy.

Obama tani po përpiqet të reformojë shëndetësinë përmes një ligji në Kongres, por Eduard Kennedy nuk do të jetë këtu për t’i parë rezultatet.

Vdekja e Kennedy-t ka nxitur reagime në SHBA dhe gjithandej në botë.

Me vdekjen e Eduard Kennedy-t, Shtetet e Bashkuara kanë humbur “senatorin më të madh të kohës sonë”, - tha presidenti amerikan, Barack Obama.

Ai e quajti senatorin Kennedy “udhëheqës të madh” dhe i shprehu mirënjohje punës së tij për avancimin e të drejtave civile, shëndetësisë dhe mirëqenies së të gjithë amerikanëve.

“U përmbyll një kapitull i rëndësishëm në historinë tonë. Vendi ynë ka humbur liderin e madh, i cili pas vdekjes së vëllezërve të tij vazhdoi ta mbajë pishtarin dhe u bë senatori më i madh i kohës sonë”, - thuhet në komunikatën e lëshuar nga Obama me rastin e vdekjes së senatorit Kennedy.

Ish-presidenti Jimmy Karter tha se zoti Kennedy mes anëtarëve të Senatit dhe Kongresit amerikan është person shumë i nderuar.

“Tashmë, unë dhe gruaja ime kemi shprehur ngushëllime për familjen e tij. Unë nuk mendoj se ekziston ndonjë person që ka shërbyer në Kongresin e SHBA, që me gjasë do t’i mungojë popullit amerikan më shumë se Ted Kennedy”, - tha Karter.

Konservatori veteran, senatori republikan, Orrin Haç, e përshkroi Eduard Kennedy-n si një burrështetas të vjetër e të madh dhe “një mik të çmuar”.

Kryeministri britanik, Gordon Brown, tha se Kennedy, “megjithëse u përball me sëmundje të pashërueshme, kurrë nuk pushoi së luftuari rreth qëllimeve, për realizimin e të cilave punoi tërë jetën.

Ish-kryeministri britanik, Toni Blair, e quajti Kennedy-n “shërbyes të vërtetë civil, i përkushtuar ndaj mirësisë, drejtësisë dhe realizimit të mundësive”.

Kryeministri i Australisë, Kevin Rud, theksoi se Kennedy i “ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm politikës amerikane dhe rolit të Amerikës në botë”.

Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, tha se Kennedy “ishte i njohur në mbarë botën si luani i Senatit, kampion i drejtësisë sociale dhe ikonë politike”.

“Ai ishte shtylla e familjes sonë”, - tha Shvarceneger, gruaja e të cilit, Marija Shriver, është mbesë e senatorit Kennedy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›