E Diel, 1 Nëntor 2026

Këndvështrimi ynë për FDE-në



Ne e mendojmë që ky organizëm të ketë ambicie zhvillimi dhe të shërbejë sipas mjeteve dhe investimit që do ti bëjnë drejtuesit e saj si një dinamo për të gjeneruar ide dhe progres. Këto funksione mund të realizohen duke e mbajtur organizatën si një katalizator që të aktivizojë shenjat e kundërta politike si dhe grupet e ndryshme të interesit për bashkëpunim. Kjo realizohet në radhë të parë me përmbajtjen njerëzore nga mozaiku i vlerave te shoqërisë shqiptare në të gjitha pikëpamjet tek vetë FDE-ja, me objektiva kryesore oksidentalizimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet pedanës së integrimit institucional në strukturat euroatlantike, prosperitetin e saj ekonomik, integrimin kombëtar, harmoninë dhe bashkekzistencën fetare e krahinore të të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ne mendojmë që kjo strukturë e pavarur të ekzistojë për një periudhë të gjatë, të jetë e hapur dhe të thithë mendjet më të ndritura të kombit brenda strukturës së vet në kohë dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarë, nga të gjitha fushat dhe që përfaqësojnë vlera të larmishme. FDE-ja nuk mund të hyjë në guaskën e përfaqësimit të vlerave të pjesshme të lidhura me interesa parciale. Motoja e saj do të jetë “Të rrisim Shqipërinë dhe shqiptarët”. Për kombe të tjera ka patur organizata të ngjashme që e kanë bërë këtë në histori. Organizata të tilla me grumbullimin dhe organizimin e mendjeve më të ndritura, ndërtuan kombet e tyre përgjatë shekujve, sidomos pas Rilindjes Europiane dhe ndikuan më tepër edhe se qeveritë e tyre. Mjafton të përmendim F. Bacon dhe pasardhësit e tij si Hobsi, Locke, Newtoni etj, tek Royal Society.
Unë e kam parë angazhimin tim në FDE, si një kontribut dykahesh. Në ndarjen e departamenteve në FDE, sigurisht që unë kam përzgjedhur te drejtoj Departamentin për Promovimin e Vlerave dhe Traditës, por ngasja personale nuk më lë dot jashtë dëshirës për të dhënë kontributin tim së bashku me kolege të tjerë në Departamentin e Politikave Ekonomike. Unë e shoh Departamentin e Politikave Ekonomike, si një strukture kolegjiale që do të ketë si objektiv të dyfishtë përkatësisht nxitjen e debatit dhe transparencës për veprimtarinë ekonomike të biznesit dhe sipërmarrjes private si sfera e vetme që jep pjesën e luanit në GDP-në kombëtare, formalizmin dhe kanalizimin e veprimtarisë së tij nëpërmjet rrugëve bankare, për veprimtarinë e Qeverisë si një nxitëse e zhvillimit dhe progresit dhe prosperitetit ekonomik në sferën private, në investimin e fondeve të buxhetit për politikën e taksave, luftën kundër korrupsionit. Në menaxhimin e këtyre fondeve në të dy nivelet e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale, forcimin e sistemit financiar në përgjithësi në vend dhe të rrjeteve financiare të bankingut, në veçanti, për rritjen e kursimeve dhe nxitjen e politikave të shëndosha të kreditimit në fushën e prodhimit dhe shërbimeve. Një fokus i këtij departamenti do të jetë nxitja e debatit për politika efektive merkantiliste, në kuptimin e uljes së deficitit tregtar, rritjes së GDP-së, uljes së raportit import-eksport dhe nxitjen e kësaj të fundit. Në këtë kuadër ne do të paraqesim politikat avantazhuese në fushën e prodhimit bujqësor dhe në përgjithësi do të përmirësojmë fushëpamjen e të qenit konkurrues të degëve të ndryshme të ekonomisë në ambientin ekonomik rajonal. Këtë e imponojnë MTL-të me vendet e Ballkanit por sidomos edhe një hapje më e madhe në kuadër të marrëveshjeve të ardhshme prej presionit të OBT-së.
Ndërsa Departamenti i Politikave Ekonomike ka raporte me synim përmirësimin e botës materiale, Departamenti të cilin unë drejtoj për Promovimin e Vlerave të Traditës, ka raporte kryesisht me botën shpirtërore për shestimin e traumave shoqërore që ka lënë historia dhe fati, sidomos fati politik i shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kur vendi mbeti në pjesën e kuqe të ndarë nga perdja e hekurt. Sistemi komunist i zhvlerësoi shumë vlera historike, e ktheu piramidën e këtyre vlerave me bazë lart dhe majë poshtë deri sa më 1990 kjo piramidë me peshë dhe bazë të gjerë proletare dhe fshatare u plandos zhurmshëm edhe si një efekt domino lindor.
Në këtë optikë ne do të përpiqemi që këtë piramidë të shkërmoqur të cilën shoqëria shqiptare po përpiqet ta rivendosë me bazë poshtë, ne do të përpiqemi që ti ndërtojmë një fasadë të vërtetë dhe sa më të denjë për shqiptarët duke rikthyer një grup vlerash të harruara nëpërmjet qëmtimit të fakteve të reja të dala rishtazi dhe që shkojnë në këtë drejtim për shkak të asaj që nuk i shmangemi dot dhe që është mëma e mëmave, historisë. Për këtë do t’na duhet të rreshtojmë Brenda kësaj strukture të lirë mendjet më të vyera. Kjo natyrisht që do të bëhet dora-dorës dhe jo brenda një kohe të shkurtër. Edhe Zoti që është Zot, e bëri botën për 6 ditë.

Alfred Cako
Ish Deputet

Drejtor i Departamentit për Promovimin e Vlerave dhe Traditës në FDE.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›