Pas 20 nëntorit, deputetët e PS rikthehen në parlament, pa dëshirën e Edi Ramës

Deputetët kritikë të bojkotit edvinist paralajmërojnë se do e shpërfillin vendimin e tij personal pas 10 ditësh
Nuk duket më e largët dita kur pjesa dërrmuese e deputetëve të Partisë Socialiste t’i rikthehen sallës së kuvendit dhe për tu vënë në shërbim të interesit të vendit. Në një kohë kur kryesocialisti Edi Rama është kthyer në një tellall rrugëve të Shqipërisë, duke bërë thirrje për hapjen e kutive dhe paralajmëruar për moskthimin në kuvend të deputetëve socialistë, mësohet se një pjesë e mirë e deputetëve të selisë rozë, do të shpërfillin vendimin e tij personal.
Burime të pakonfirmuara pranë PS-së, bëjnë me dije se janë jo të pakët deputetët që mendojnë ndryshe, deputetët që ndjejnë mbi supe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, pasi kanë lënë të papërfaqësuar në Kuvend votuesit e tyre kudo që ndodhen dhe njëherazi bllokimin e një serie iniciativash ligjvënëse që lidhen direkt me integrimin e vendit në BE.
Kjo pjesë e të mandatuarve socialistë nuk mund të rrezikojnë kurrsesi të djegin mandatet e tyre, për hir të kapriçiove personale të një aventurieri karikaturesk, që gjithë jetën e tij politike e ka vënë në shërbim të vendimeve ogurzeza dhe interesit të tij personal. Në këtë drejtim, krahas deputetëve të “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, pas datës 20 nëntor, Kuvendit pritet t’i drejtohen edhe një pjesë tjetër e deputetëve që gjatë kësaj kohe nuk janë bërë pjesë në mënyrë direkt në këtë debat, por që privatisht kanë vendosur të vihen në shërbim të parlamentit dhe interesave integruese të vendit.
Gjithashtu, nisur nga diskutimi në Kuvend i ligjeve të rëndësishme, sjell me shumë mundësi pjesëmarrjen në debat dhe të ligjvënësve socialistë. Edhe pse jo zyrtarisht, ligjvënësit socialistë që e gjykojnë të gabuar një qëndrim të tillë të kupolës rozë, bëjë me dije se do të jenë pjesë e debateve në Kuvend për çështje të cilat opozita duhet të thotë fjalën e saj, duke përmbushur në këtë mënyrë dhe misionin për të cilin ato janë zgjedhur të përfaqësojnë votuesit shqiptarë në legjislativ.
Më konkretisht, do të jenë përfaqësuesit e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” brenda Partisë Socialiste, njëkohësisht deputetë të kësaj partie, që do të jenë të parët që do t’i bashkohen sallës së Kuvendit përpara përfundimit të sesionit parlamentar për këtë vit. Burime pranë kësaj lëvizjeje bënë me dije se një veprim i tillë, edhe pse jo ende zyrtar, do të fillojë të bëhet publik që në seancat e para të radhës.
Por kjo nuk pritet të ndodhë përpara organizimit të protestës së 20 nëntorit, ku në paralajmërimin e bërë nga lidershipi socialist do të zhvillohet në formën e një barrikade njerëzore, duke synuar që t’i japë një zgjidhje përfundimtare kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit, pra për hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Postprotesta pritet të sjellë dhe lëvizjet e radhës në sfondin politik, të cilat janë paralajmëruar prej ditësh. Megjithatë, edhe pse e vendosur tashmë pjesëmarrja në Kuvend e ligjvënësve socialistë të njohur si kundërshtarë të kryetarit të PS-së, pritet koha e duhur përpara se të bëhet fakt një lëvizje e tillë. Kjo pasi kthimin e tyre në Kuvend këta deputetë e shohin si domosdoshmëri për të realizuar pikërisht misionin për të cilin ata janë zgjedhur deputetë të këtij parlamentit.
Më qartë, në varësi të çështjeve të përfshira në axhendën e punimeve të Kuvendit do të jetë dhe ndërmarrja e një nisme të tillë nga ana e këtyre deputetëve. Por nga ana tjetër, shumë shpejt Kuvendit i duhet të miratojë projektbuxhetin për vitin 2010, i cili përbën një nga ligjet më të rëndësishme për vendin. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e socialistëve në Kuvend mund të lidhet dhe me projektbuxhetin, pasi oponencën dhe mendimin e tyre mbi një projektligj të tillë ata do të zgjidhnin që të mos e shprehnin jashtë dyerve të Parlamentit, por në sallën e tij.
Ata që mendohet se nuk do të jenë pjesë e listës së deputetëve që do të thyejnë bojkotin e parlamentit, janë kryesisht të besuarit e tij dhe bashkëpunëtorët më të afërt si Saimir Tahiri, Ditzi Bushati, Rudina Seseri, Olta Xhaçka, Ledi Shamku, Dash Peza, Eduart Shalsi apo dhe ndonjë xhaketë e vjetër si Gramoz Ruçi me Arta Daden. Kësisoj, Edvini i mbetet të ndjekë në vetmi politikën e Oltës, Dashit, Rudinës dhe Artës për të vendosur mbi fatet e tij të errëta politike.
Pasi vendi t’i jetë kthyer në mënyrë racionale jetës parlamentare dhe të jetë shënuar një kthesë e theksuar porsa i takon vendimeve bojkotuese të PS, i marrë krejt rastësisht dhe për hir të interesave personale nga Rama, hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Mbetet jetike bashkëpunimi i njëtrajtshëm i dy krahëve më të mëdhenj politik në vend, për realizimin e reformave, përmbushjen e kushteve themelore të liberalizimit të vizave dhe ndjekjen e hapave të mëtejshëm për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.