E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kënga për Çamërinë merr jetë në Sarandë

Festivali Edicioni i katërt i këngës dhe valles për çamërinë zhvillohet nga data 25 deri më 27 qershor

Sipas një tradite tashmë 3-vjeçare, edhe këtë qershor stadiumi i lojërave me dorë “Aleko Dajko” në Sarandë do të presë pjesëmarrësit e këngës dhe valles për çamërinë. Këto ditë organizatorët e këtij aktiviteti artistik, kulturor për Shqipërinë, por edhe turistik për Sarandën, kanë mbërritur në qytetin që i pret për të katërtin vit. Drejtori artistik i këtij festivali, Minella Kureta zbulon disa nga risitë që pritet të sjellë festivali i 4-t i këngës dhe valles për çamërinë, i cili do të zhvillohet sivjet nga 25 deri më 27 qershor. Sipas tij, risia e edicionit të këtij viti ka të bëjë me faktin se do të marrin pjesë rreth 40 grupe e ansamble nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat do të bëhen pjesë e festivalit. Ato janë të gjitha ansamble e grupe të përzgjedhura, që nuk kanë qenë në edicionet e kaluara. "Më e rëndësishme se zgjerimi i pjesëmarrjes është se ne kemi hulumtuar dhe jemi kujdesur që të gjithë të sjellin diçka të re, që do të tingëllojë e veçantë nga arti shqiptar dhe ai për çamërinë, në sofrën e këngës dhe valles kushtuar asaj", shprehet Kureta. Ndërkaq, ai bën të ditur se për herë të parë, pjesë e veprimtarive të festivalit do të bëhet organizimi i diskutimit mbi vlerat artistike të shfaqjeve të çdo nate. Sipas Kuretës, ky festival do t’i shërbejë edhe reklamimit të turizmit të Sarandës kombinuar me turizmin kulturor. Për këtë Kureta i referohet edhe praktikës së tri edicioneve të kaluara, kur thotë se festivali ka bërë që të shtohet me të paktën 20 mijë veta numri i turistëve nga trojet shqiptare: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. "Krahinat dhe trojet shqiptare do të jenë bashkë në këtë skenë, ashtu si në përditshmërinë e tyre, si në kufijtë natyrorë që para se t’i krijojë politika, i përvijon arti", përfundon Kureta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›