“Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane” në duart e lexuesve amerikan
Libri "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane") i autorit Halit Daci, është shpërndarë pothuajse në të gjitha librarit amerikane. Një libër i ri i sapodalë nga shtypi mendohet se do ti duhet shumë lexuesit amerikanë, por dhe bibliotekës së pasur në SHBA, për heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, i shkruar në mënyrë perfekte në gjuhën angleze. Halit Daci, autorë i katër librave të ndryshëm me studime vjenë këtë herë më një studim mbi heroin tonë kombëtar. E gjithë jeta, vepra dhe luftërat e lavdishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeut, i konsideruar si “atlet dhe mbrojtës i krishterimit”, që prej kohës në të cilën ai jetoi e deri në ditët e sotme ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë interes për historianë, lexues dhe studiues të historisë Shqipërisë, qofshin këta të huaj apo shqiptarë. Si rezultat i kësaj, nga kronikanë, biografë, shkrimtarë, studiues dhe historianë të shumtë, vendas e të huaj, Skënderbeut i janë kushtuar me dhjetëra e dhjetëra libra me studime të ndryshme të karakterit historik dhe hulumtues, pjesa më e madhe e të cilëve janë të panjohur për shqiptarët dhe ndodhen në bibliotekat e shteteve të ndryshme të botës. Një nga këto libra është dhe ai me titull "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), i pari studiues shqiptarë në SHBA që shkruan për historinë e Skënderbeut në gjuhën angleze. Duket se viti i Skënderbeut (2004) ishte viti që theu heshtjen plotë, e cila për më shumë se gjysmë shekulli kaploi kombin tonë, kur shqiptarët si në atdheun e tyre, por edhe në trojet etnike të sunduara nga diktatura e egër komuniste, pothuajse e lanë në heshtje, në harresë edhe figurën më të madhe të kombit tonë Skënderbeun. Duke e zvenitur figurën e Gjergj Kastriotit dhe duke e zëvendësuar atë me propagandën e madhe të realizmit socialist, me çdo gjë rreth figurës së diktatorit komunistë Enver Hoxhës. Aktiviteti më i madh nga shqiptarët e Amerikës në diasporë u mbajt në vitin 2004 nga një grup intelektualësh shqiptarë në Nju-Jork. Kjo ishte hera e parë që me simpoziumin me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit legjendarë të kombit Gjergj Kastrioti të flitej kaq shumë për Skënderbeun në SHBA nga studiuesit shqiptarë e të huaj. "Heroi legjendarë i lombit, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, strateg i luftës, udhëheqës i shtetit e popullit shqiptar” ishte tema që mbajti studiuesi Fatbardh Doçi, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Shqipëri. Në këtë kohë figura e Skënderbeut në SHBA duket se po merrte vendin që i takonte në studimet shqiptare në Amerikë. Pasi u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar "Gjergj Kastrioti Scanderbeg - Warrior King of Albania" në Nju-Jork City, një prodhim ky i shqiptarëve të Amerikës. Filmi ishte jo vetëm një projekt i rëndësishëm për kulturën shqiptare, por dhe njëkohësisht një shfaqje respekti ndaj figurës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, aq të munguar në periudha të ndryshme të komunizmit. Paraqitja e këtij dokumentari të parë të këtij lloji në Nju-Jork i artit shqiptar këtu ku lulëzon bota magjike i filmografisë, u pa nga shqiptarët si një sukses më vete në të gjitha këndshikimet, pavarësisht ndonjë të mete në nivelin artistik. Më pas ishin dy anëtarë, ish-kongresisti amerikan, demokrati Tom Lantosh (vdiq janar 2008) dhe kongresisti republikan Dana Rohrbaker, të cilët i paraqitën Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan një rezolutë për nder të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Është hera e parë që në Kongresin Amerikan paraqitet një dokument i tillë, i cili përkujton Skënderbeun si burrë shteti, diplomat dhe gjeni ushtarak si dhe rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman. Projektrezoluta, e paraqitur në Kongres me ndihmën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e përshkruante me hollësi rolin e Skënderbeut në mposhtjen e ushtrive osmane para dyerve të Evropës, duke e shpëtuar kontinentin nga pushtimi. Meqenëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri atëherë nuk dëgjohej të flitet shumë për Skënderbeun, kjo projektrezolutë ishte një përpjekje e mirë për ti njohur amerikanët me rolin e tij 6 shekuj më parë. Pas këtyre jo shumë larg qëndron edhe studiuesi i ri, një ish-ushtarak i lartë i shtetit shqiptar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë gjatë viteve të demokracisë, Halit Daci. Studiuesi i ri, i cili banon dhe jeton prej vitesh në Nju-Jork, pati zgjedhur që gradimin e tij në këtë fushë ta mbronte me temën "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), temë e cila pas laurimit do të botohej fillimisht në një libër me të njëjtin titull. Autori ka botuar edhe dy libra të tjerë: njëri është botuar nga Universiteti i Groningenit në Holandë në vitin 1998, e tjetrin e ka botuar së bashku me gjeneralin Ali Koçeku në vitin 2005 dhe një studim shkencor për NATO-n në vitin 1999. Botimet janë të gjitha në gjuhën angleze. Ky është libri i tretë i tij që botohet në gjuhën angleze dhe qarkullon në disa biblioteka amerikane.
Nga Beqir Sina
Pezullohet nga detyra Drejtori i Parkut të Butrintit
Pezullohet nga detyra Drejtori i Parkut të Butrintit, Ylli Cerova. Lajmi konfirmohet nga ministria e Kulturës. Sipas burimit pranë ministrisë së Kulturës pezullimi i Cerovës ka ardhur si pasojë e mungesës së pastërtisë në Parkun Kombëtar të Butrintit. Nuk dihet nëse pezullimi i është komunikuar Cerovës, apo jo por ai ka deklaruar se nuk është në dijeni për pezullimin dhe se nuk i ka ardhur asnjë urdhër pezullimi. Ministria e Kulturës bën me dije se drejtori i ri i Parkut të Butrintit është emëruar Klodian Pajuni. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Parku kombëtar i Butrintit është shpallur Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë.
Çelet panairi i librit në Vlorë
Kryeqyteti i turizmit shqiptar ka pritur mbrëmë panairin e librit për të njëmbëdhjetën herë. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia janë prezantuar mbrëmë në shëtitoren e Skelës, pranë Lulishtes simbolike të Shkrimtarëve. Vlora është i vetmi qytet i botës shqiptare që organizon dy panaire libri gjatë një viti. Një panair në pranverë, gjatë sezonit shkollor, është ndjekur me interesim mjaft të madh nga lexuesit vlonjatë, dhe tjetri gjatë stinës së verës, ku numri i banorëve të Vlorës trefishohet me pushues shqiptarë e të huaj. Për këtë (dhe jo vetëm) Vlora ka fituar statusin e qytetit ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës. Në këtë edicion të 11-të libri nuk u ofrohet vetëm vlonjatëve, por edhe pushuesve të shumtë nga gjithë Shqipëria, dyndjes nga Kosova e Maqedonia, si asnjëherë tjetër, por edhe emigrantëve të shumtë që kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre në këtë muaj pushimesh nga puna e tyre në Itali, Greqi etj. Organizatorët, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Bashkia e Vlorës, mbështetur edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës, Biblioteka “Shefqet Musaraj”e qytetit të Vlorës, Shoqata “Labëria”, Qendra Kulturore Think, Shoqata Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali” etj. janë optimistë për interesimin e lexuesve vlonjatë dhe pushuesve të shumtë. Ndaj dhe numri i botuesve pjesëmarrës në Vlorë është gjithmonë më i madh se në qytetet e tjera ku bëhen veprimtari të tilla të ngjashme. Vlora është shquar gjatë këtij sezoni për veprimtaritë e shumta kulturore e sportive në funksion të pushuesve, organizuar nga Bashkia e qytetit, institucionet kulturore të qytetit, por edhe trupat private dhe kjo veprimtari me librin e shton dhe e pasuron akoma më shumë programin e këtyre veprimtarive të planifikuara apo spontane. Edhe pse këto janë panaire verore, që zhvillohen gjatë mbrëmjeve dhe në mjediset e jashtme, si pjesë e veprimtarisë pushuese e turistike të qyteteve më të spikatura bregdetare shqiptare, përsëri nuk do të mungojnë veprimtaritë me librin, si takimet me krijuesit dhe përurimet e botimeve të më fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, por edhe veprimtari qendrore të programuara nga organizatorët. Panairi do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 18.00 – 24.00.
Durrës, guida “Artemisa në Durrah” në tre gjuhë
Guida "Artemisa në Dyrrah" ka dalë këto ditë në qarkullim në gjuhët shqipe dhe angleze, duke rritur kështu interesimin e publikut për figurinat prej balte të ekspozuara në muzeun arkeologjik të Durrësit. Prof. Fatos Tartari, bashkëdrejtues i projektit franko-shqiptar për studimin dhe restaurimin e figurinave të zbuluara në fillim të viteve 1970 ka shprehur se dy botimet e fundit vijnë pas publikimit vitin e kaluar të kësaj guide në gjuhën franceze. Guida "Artemisa në Dyrrah" sjell materiale të përgjithshme mbi historinë e qytetit antik, duke u ndalur veçanërisht në gërmimet e arkeologut Vangjel Toçi në Kodrat e Dautes ku gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Një pjesë e këtyre objekteve janë ekspozuar në muzeun e ri arkeologjik të Durrësit. Prof. Tartari tha se që nga viti 2003 një mision i përbashkët franko-shqiptar po punon për për përgatitjen e një botimi të plotë të gjetjeve në Kodrën e Dautes, pranë së cilës sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës. Projekti që po zbatohet nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, Shkolla franceze e Athinës dhe Universiteti i Lilës (Francë) është vlerësuar me çmimin e parë CLIO 2005, çmim që mundësoi edhe botimin e fashikullit të guidës në gjuhën shqipe. Në 28 faqet e guidës së publikar tashmë në tre gjuhë ka informacion të bollshëm mbi jetën ekonomike e sociale të qytetit ilir të Durrësit, foto të objekteve arkeologjike si dhe planimetri të vendndodhjeve të monumenteve kryesore të zbuluara apo që ndodhen nën sipërfaqe në qytetin 3000-vjeçar. Botimi i guidave është mundësuar nga mbështetja financiare e Ambasadës së Francës në Tiranë.
13 Gusht 2010