Konflikti për emrin, Athina pranon zgjidhjen e Nimetz
Greqia ka pranuar variantin e negociatorit Nimetz për emrin e fqinjit të saj, Republikës Maqedonase të ish-Jugosllavisë, duke theksuar vendosmërinë e saj për zgjidhjen sa më të shpejtë të mosmarrëveshjes për çështjen e emrit. “Emri Republika e Maqedonisë Veriore i përshtatet zgjidhjes që kërkon Greqia”, thuhet në deklaratën e bërë nga ministri alternativ grek i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas. Ai ka konfirmuar për mediat greke se emri i propozuar kohë më parë nga negociatori i OKB-së, Matju Nimetz, Republika e Maqedonisë Veriore, është ai që preferon Athina. “Ne jemi për një emër me referencë gjeografike, që evidenton realitetin dhe i cili duhet përdorur kundrejt të gjithëve. Maqedonia Veriore i përshtatet kuadrit që e përshkrova”, theksoi ministri alternativ grek, duke shtuar se “Në rast se z. Gruevski e refuzon edhe këtë propozim, atëherë le t’i shpjegojë popullit të vet se përse ia privon perspektivën evropiane, në kohën kur të gjitha vendet tjera të rajonit avancojnë në rrugën e tyre të integrimit evropian”, tha ai duke paralajmëruar kështu se, në rast refuzimi, Greqia do të vazhdojë bllokimin e anëtarësisë së Shkupit në BE dhe në NATO. Pala greke e konsideron këtë një hap të madh përpara, nëse merret parasysh se për gati dy dekada ajo insistonte se nuk do të pranojë asnjë emër që kishte fjalën Maqedoni në përbërje të tij. Por kjo përbën vetëm 50 për qind të çështjes. Mosmarrëveshja me Maqedoninë, bashkë me problemet që Greqia ka me Turqinë, përbëjnë dy çështjet më madhore të politikës së jashtme greke. Mbyllja e konfliktit me Maqedoninë do t’i jepte një lehtësim të madh Greqisë në këtë periudhë, kur Greqia është në qendër të vëmendjes botërore për shkak të krizës ekonomike. Nëse përgjigjja e Shkupit do të jetë pozitive, në negociatat që do të rifillojnë brenda këtij muaji pritet të detajohen edhe modalitetet e marrëveshjes.