E Hënë, 2 Nëntor 2026

Statusi sipas kutit të Beogradit

05/05/2005  “Zemërgjerësia” serbe nuk ndryshon asgjë nga gramafoni i çakorduar, që është përsëritur tash e 15-vjet me nuanca të vogla dhe me arrogancën e ngjeshur brenda këtyre ofertave: autonomi, kushte të papranueshme dhe kapitullim të Kosovës

Shtypi i Prishtinës, çuditërisht i dha mjaft hapësirë ofertave të Beogradit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Madje, në një gazetë të Prishtinës, më mirë ishin plasuar intervistat e kryetarit dhe Kryeministrit të Serbisë, sesa intervista e Presidentit Rugova, dhënë gazetës austriake, “Die prese”, ku Presidenti ynë këmbëngul se pavarësinë e Kosovës duhet ta njohin drejtpërdrejt SHBA-të dhe BE-ja. Këmbënguljes së Rugovës që të mos takohet me zyrtarët serbë, i kundërvihen dy politikanët serbë me “argumentet” e ofertave për autonomi dhe shantazhe, duke vënë kushte, të cilat nuk i pranon asnjë logjikë e shëndoshë. Ato oferta nuk janë pranuar as në të kaluarën, kur ishim me thikë në fyt, sepse ishin dhe janë oferta për kapitullimin e shqiptarëve të Kosovës. Ndërkaq, në kohën kur jemi në pozitë shumë më të volitshme sesa që ishin në fillim të viteve ‘90, është edhe më absurde të debatohet për kushtet që ofron Serbia. Mendja e shëndoshë dhe ata që mendojnë të lënë pasardhës në Kosovë, nuk mund ta parafytyrojnë bashkëjetesën me Serbinë e Malin e Zi, apo thënë ndryshe t’i lënë fëmijët nën shkjaun. Bashkëjetesën e dhunshme me ta e kemi përjetuar dhe e kemi pësuar tepër rëndë, që të pranojmë një okupim të ri.

Dy zyrtarët e lartë serbë, Tadiçi e Kushtunica, i kanë pushtuar mediat tona, gjë që është për t’u habitur, sepse ofertat e tyre janë jo vetëm fyerje për shqiptarët e Kosovës, por janë përsëritur në mënyrë cinike të njëjtat gjëra si nga zyrtari i parë i Serbisë, ashtu edhe nga i dyti. “Zemërgjerësia” serbe nuk ndryshon asgjë nga gramafoni i çakorduar, që është përsëritur tash e 15 vjet me nuanca të vogla dhe me arrogancën e ngjeshur brenda këtyre ofertave. Qe nga koha e disfatës serbe në Kosovë me 1999 dhe pas rënies së kriminelit Milosheviç ka rrjedhur shumë ujë nën urën e Drinit, raportet ndërkombëtare kanë ndryshuar ndjeshëm, situata në Kosovë nuk është ajo që ishte në vitet e nëntëdhjeta, mirëpo këtë realitet serbët nuk duan ta pranojnë as ta njohin. Ata mendojnë dhe veprojnë si struci. Këtë ndjenjë të shkëputjes me botën reale, duke e përsëritur vazhdimisht, kanë filluar ta besojnë, ashtu sikurse që e besonin dikur propagandën e Milosheviçit kundër shqiptarëve, duke i përsëritur deri në pakufi dhe me këmbënguljen e psikopatit gënjeshtrat.

Çfarë ofrojnë dy zyrtarët e lartë serb, që të jetë aq interesantë për opinionin tonë. Asgjë që e vlen të debatohet me aq zjarrmi në mediat tona. Përkundrazi, do të duhej të refuzohen me përbuzje. E para, pos një autonomie “të zgjeruar”, për pavarësi as që duan të bisedojnë, serbët e gënjeshtrave bizantine, thua se janë ata që diktojnë kushtet dhe që duhet të bëjnë diktate politike, ashtu sikurse që bënin dikur. E dyta, insistojnë në kthimin e pjesës më të madhe të serbëve, “vendës dhe të atyre që ishin instaluar në Kosovë nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Shumadia e kolonistëve të tjerë të hershëm e të vonshëm. E treta, sipas politikanëve serbë, pasi të jenë plotësuar këto kushte, atëherë rezervojnë të drejtën që të bëjnë vlerësimin e standardeve dhe kushteve të tjera të imponuara, në mënyrë që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe t’ia presin rrobat Kosovës, sipas kutit të tyre. Se a do t’i bien për shtat apo do t’i gjymtojnë këto rroba shqiptarët, as duan ta diskutojnë, ashtu sikurse që nuk janë brengosur as në të kaluarën.

Pse u jepet hapësirë nga një pjesë e mediave tona, politikanëve serbë, nuk është vështirë të dihet. Nuk habit as insistimi i tyre që të bisedojnë drejtpërdrejt serbët e shqiptarët. Mendja e tyre jashtë Beogradit, duket se nuk funksionon. Ashtu i kanë edukuar, ndërsa riedukimi është i vështirë. Ajo që habit është insistimi i disa qarqeve ndërkombëtare evropiane për këto biseda, në kohën kur thuhet se duhet të fillojnë bisedimet për statusin final të Kosovës, por në një takim ndërkombëtar, ndërsa ku Serbia mund të jetë vetëm vëzhguese pa të drejtën e vendosjes.

Prandaj do të ishte shumë më e arsyeshme të plasohej opsioni i Presidentit Rugova për refuzimin e bisedimeve me Serbinë, sesa sulmi frontal që i bëhet Presidentit dhe institucioneve, duke përgatitur një terren të rrëshqitshëm dhe të rrezikshëm. Është e kuptueshme që pozita dhe opozita kritikohen e shahen, mirëpo është i pakuptueshëm insistimi që të bëhet rrëmujë, duke dobësuar institucionet, në mënyrë që të dalin bajraktarët e fiseve për të biseduar për statusin final të Kosovës. Madje, të këmbëngulet që përfaqësuesit e partive politike të jenë në ballë të bisedimeve, sepse druajnë se nesër nuk do t’i shtinë në këngët folklorike. Ose në rastin më të keq, siç ka synime, të bëhet ndonjë kompromis i çoroditur që mund të na hakmerret sot dhe në mot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›