E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosto e rikthimit

05/05/2005  Fakti që në Kryesinë e PD-së nuk u zgjodhën disa nga figurat më të vjetra të partisë, që u zgjodh vetëm një i “rikthyer” dhe që anëtarët e KOP-it ishin më të sukseshmit, duhet të lexohet me kujdes: përfundimet e votimit nuk ishin të rastësishme.

Viktimat e para të votës së lirë kanë qenë ata, që prej kohësh janë quajtur “xhaketa të vjetra”. Po bëhet një kohë e gjatë që po flitet se PD-ja duhet të bëjë ndryshime dhe ka bërë, por këto ndryshime më tepër kanë qenë si transformimet që bëhen brenda një shtëpie, me kushtin fillestar që çatia, pavarësisht gjendjes, në të cilën ajo ndodhet, të mos preket. Por, nuk mund të vazhdohet përjetësisht duke humbur dhe duke qenë sërish në krye. Vota e Këshilli Kombëtar (KK-së) të PD-së, konfirmoi pikërisht këtë shqetësim.

Me mosfutjen e të rikthyerve në PD, u rikonfirmua edhe diçka tjetër: që vota e KK-së ishte rezultat i një grupimi shoqëror të pjekur, të matur dhe të vetëdijshëm për atë që bënte. Pra, gjithkush ka qenë i përgjegjshëm për rëndësinë e votës së vet.

Anëtarët e KK-së së PD-së nuk kanë vrapuar pas historisë së emrave, por pas veprimtarisë së njerëzve që i mbajnë këta emra. Të rikthyerit dhe adhuruesit e tyre duhet ta mësojnë një herë e mirë se liderët e dhjetorit, që ata ishin dikur, tashmë i përkasin vetëm librave të historisë dhe përvjetorëve, askush më nuk do përfitojë ofiqe për hir të një statusi lavdie të korrur në një periudhë historike që është aq larg të tashmes. Ata duhet ta ngulitin në kokë: çdo kohë ka heronjtë e vet. Ndoshta heronjtë e kësaj jave në PD janë ata që votuan kundër heronjve, që i kanë harxhuar pesëmbëdhjetë vjetët e fundit vetëm për deheroizuar veten.

Në zgjedhjet për kryesi të PD-së, kësaj radhe, sipas rezultatit të votimeve, kishte shumë rëndësi besueshmëria e personaliteteve. Të rikthyerit kanë treguar se ata mund të lëvizin nga partia në parti, mund të bëhen këshilltarë të çdo kryeministri e presidenti, mund të vendosin të marrin çdo lloj tesere dhe ofiqi, mjafton që fund të kenë një post në pushtetin aktual, apo pasardhës. Mirëpo, votuesit e KK-së menduan ndryshe dhe gjithkush që ka ndërmend të kthehet duhet të përgatitet që të fillojë ngjitjen në parti nga zerua, ose si ata që mbetën jashtë Kryesisë kësaj radhe: me një shpullë fytyrës.

Edhe zgjedhja e Genc Rulit, njërit prej të rikthyerve, ka shpjegimin e vet. Ai ka qenë një nga figurat më të respektuara të PD-së në vitet e para të qeverisjes së saj dhe kur u largua bëri një gjest që ka mbetur i pashoq në politikën shqiptare: u akuzua për shpërdorim detyre, dha menjëherë dorëheqjen. Ndërsa kur u largua nga partia, nuk flërtoi me gjithfarë partish apo individësh në dëm të Partisë Demokratike; me sa duket, KK-ja nuk ka qenë e pandjeshme ndaj kësaj të vërtete.

Ndërsa hyrja me furi në skenën politike dhe në Kryesinë e PD-së, madje edhe me votë lirë, e disa prej anëtarëve të KOP-it, tregon sesa e etur është kjo parti për ndryshim dhe se sa besim ka te brezi i ri, që, në fakt, ende nuk është provuar. Që brenda tri muajve një njeri mund ta shikojë veten midis njerëzve politikë më të rëndësishëm të një partie kaq të madhe sa PD-ja është disi e habitshme. Duhet të ishte harruar koha kur njerëzit bëheshin liderë brenda natës, sepse kësi gjërash ndodhin vetëm në rast përmbysjesh të mëdha, si për shembull, në vitet ‘90-të. Tashmë, PD-ja duhet të ishte përgatitur që ngjitja në hierarkinë partiake të ishte më e lëmuar, më e natyrshme, të fillonte me militimin si anëtar i thjeshtë, të paktën, pak më tepër se gjashtë muaj.

Dhe ja përse: anëtarët e KOP-it janë energjikë, kanë ide dhe dëshirë, por ende nuk dihet se si do të reagojnë, kur të përplasen me stuhinë më të parë. Që do të thotë: nuk dihet ende se si do të reagojnë në rast se PD-ja humbet zgjedhjet e ardhshme. E para, do të ndodhen para përgjegjësisë dhe presionit për dorëheqje, e dyta, duke qenë të përfshirë në parti për një periudhë kaq të shkurtër, ata edhe mund të largohen krejt, sepse një post cilësor në administratë mund t’ua ofrojë çdo lloj qeverie.

Edhe liderët e dhjetorit, ata që humbën në zgjedhjet më të fundit për në kryesi, në ditët e para të karrierës së tyre politike ishin të tillë, por me kalimin e kohës, për gjithfarë arsyesh, jo vetëm që nuk u treguan heronjtë për të cilët na u shitën, por edhe e vendosën në pozita të vështira partinë me statusin që e morën në fillim, më tepër për hir të rrethanave. Edhe KOP-i ishte prodhim i një fustrimi të panevojshëm, që është krijuar nga frika prej votës së lirë brenda partisë.

Duhet të kuptohet që në PD janë rikthyer ata që kryesisht janë larguar për qejfmbetje të vogla dhe jo për kontradikta të mëdha parimore si, fjala bie, mosrespektimi i votës së lirë brenda partisë. Ata që janë larguar për një gjë të tillë janë ende larg, në partinë e tyre, grupimi i Pollos. Qëndrimi i veçuar atyre mbase nuk do t’iu sjellë ndonjë fitim të madh në zgjedhjet e ardhshme, por edhe i ka shpëtuar nga shuplakat që dha votimi i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Rikthimit i të rikthyerve është i rëndësishëm vetëm për një gjë: që i dhanë mundësinë Këshillit Kombëtar të tregonte se diti kë të ndëshkonte, kë të falte dhe kë të zgjidhte. Pavarësisht dyshimeve dhe hijeve që do ta shoqërojnë këtë zgjedhje të KK-së deri më 3 korrik, duket se nuk ka patur rrugëzgjidhje më të mirë se ajo që ofroi vota e lirë. Dhe kjo është mençuria më e mirë që një parti, apo një grup shoqëror, edhe më i madh, mund të ofrojë sa herë që i duhet të bëjë zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›