E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në një lojë të re elektorale

05/05/2005  Brenda pak ditësh, dy partitë hodhën në skenë, apo parathanë, disa prej kartave më të rëndësishme të lojës së tyre elektorale. Ndërsa nga njera anë, PD, në kuadër të disa lëvizjeve pozitive të kohëve të fundit, konsolidoi dhe në gjirin e strukturave të veta dy ndjeshmëritë e reja politike - grupin e ish-themeluesve dhe anëtarët e KOP-it, pa ndryshuar stafin e ngushtë të partisë, që njeh bazën në prag të zgjedhjeve, PS, pas saj, është duke bërë një kundërlëvizje të fortë. Ajo ka në bazë ndryshimin apo premtimin për ndryshimin e kreut të qeverisjes së saj në rast se fiton: kështu duhet intepretuar lëvizja e re e PS, në prag të kongresit të vet. Edi Rama mori pjesë pas shumë mungesash në mbledhjen e KPD-së, ku u kalua për dhjetë minuta ideja e tij për të rivotuar në kongres platformën e tij politike të plotësuar me elementë të rinj, apo të huazuar ndërkohë. Ishte kjo një lloj parathënie e revanshit të konkorduar, apo asaj që duhet paraqitur si revansh për t’i kënaqur sedrën në prag të një afirmimi të tij në një rol të ri, që do të ishte pikërisht ai i kryeministrit. Po le të analizojmë kontekstin e lëvizjes për të kuptuar më mirë se cilët do të mund të ishin efektet e një lëvizjeje të tillë.

Konteksti i afrimit të Ramës

Rama po arrin të kthehet triumfalist në qendër të vëmendjes së socialistëve, në një moment të veçantë siç është ai i zgjedhjeve politike, mjaft jetike për fatin e kreut të tyre Fatos Nano dhe kur socialistët, dhe nëse largohen, nuk kanë pishmane të mëdha: kanë ngrënë dy mandate qeverisëse dhe Fatos Nano nuk duket si Toni Bleri, që të mund të fitojë tre njëri pas tjetrit. Pasi e spastroi partinë prej kundërshtarëve të vet të fuqishëm, papritmas Nano kuptoi se forca më e madhe e partisë në momentin e zgjedhjeve ishte

pikërisht bashkimi i figurave më të rëndësishme të saj dhe i kontributeve që ata përfaqësonin, megjithë divergjencat e tyre. Nëse në qeverisje kishte bërë pa praninë e tyre, nëse në planin ndërkombëtar nuk e kishte vrarë mendjen për mungesën e seriozitetit që reflektonte një qeverisje pa ata, tanimë që bëhet një llogari vendimtare për jetën e vet politike, ai kuptoi se ata i duheshin. Ata që i mbetën pas kongresit ishin pak në pikëpamje cilësore dhe të konsumuar. Por apelit të tij iu përgjigj vetëm Rama. Më pragmatiku, njeriu që gëzon një popullaritet të madh jo vetëm mes socialistëve, apo më shumë në rrethe sesa në Tiranë, siç treguan takimet e tij në Veriun e vendit, Rama është i bindur përfundimisht se pa patur një parti të madhe pas shpine, asnjë lloj ambicie sado e vogël nuk mund të realizohet. Ose pa patur një parti që të mbron, numëron dhe eventualisht të shton votat në zgjedhje, do të duhet mjaft kohë për të humbur, shumë mundime për realizimin e ambicieve normale për një politikan si ai. Rama arriti të bindë Nanon për nevojën e tij pikërisht me takimet në veri: ai i dëshmoi me to se çfarë force të paktën destruktive kishte në potencial figura e tij si e pavarur në dëm të socialistëve. Por, Rama arriti të bindë Nanon dhe nëpërmjet kantiereve të veta të punës të shtrira kudo në Tiranë;

ai tregoi gjithashtu se çfarë magjie elektorale kishte në dorë nëpërmjet shiritave, që inaugurojnë perspektiva të reja rrugore dhe hapësinore në kryeqytet dhe dëshmojnë forcën e punës. Pa hedhur hapin vendimtar të luftës totale ndaj Nanos në një prag zgjedhjeje, që ashtu siç ja kanë mësuar do të interpretohej keq si rëndom në bazë, Rama premtoi në intervistën e vet në “Shqip” në TCH, para pak kohësh, se do të merrte pjesë në fushatë, por ai bëri dhe një aluzion jo shumë të qartë për të pavëmendshmit. Ai, sipas një njohësi të mirë të Ramës, kishte premtuar thjesht “kufomën e tij”, nëse nuk do t’i plotësonin kërkesën për një rol të ri, që, me sa duket, do të jetë ai i kryeministrit, në rast se PS dhe e majta do të fitonin zgjedhjen. Pra, pa këtë mandat në kongresin parazgjedhor të partisë së vet, ai mund të ishte i pranishëm në fushatë, pa gjallërinë dhe dinamizmin e tij, por thjesht me fotografinë e vet.

Por, gjithsesi, ky triumfalizëm i Ramës, nuk është aq i shkëlqyer dhe aq i ndritshëm sa ai do të donte. Platforma që ai përcolli në mbledhjen e fundit të KPD, për institucionalizimin e “mendimit ndryshe” u pranua shumë shpejt, u duartrokit më shumë prej besnikëve të Nanos, gjë që e bëri të qartë ekzistencën e një marrëveshjeje të tij me kreun e PS-së. Madje, si për ta theksuar këtë, Nano e mburri platformën, të cilën e kishte qortuar aq shumë në kongresin e “kongresmenëve”, të cilët dhe tani me miratimin e platformës së Ramës, tregojnë se janë kongresmenë të vërtetë”. Ishte kjo një përpjekje për të treguar se është ai mbrapa kësaj lëvizjeje, që sigurisht nuk “vjen në mënyrë komplementare”, siç tha ai në vulën që i vuri rikthimit të Ramës. Ajo pranohet tani, pasi Nano nuk dëshironte ta linte pushtetin ekzekutiv 2 vjet më parë, kur kishte shumë vepra të mëdha pa bërë, mes të cilave dhe privatizimet e fundit, apo ato që priten deri para zgjedhjeve. Ajo pranohet tani, pasi Nano sheh ngado sinjale të forta për humbjen e zgjedhjeve, siç tregon dhe mbathja e opingave prej thuajse tërë stafit të vet të ngushtë të

deklaruar dhe të padeklaruar, që po kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme, dhe ku Rama duket si shpresa e fundit. Ajo pranohet tani pas testimeve të para që përcollën ftohtësinë popullore për listën e re të deputetëve, për takimet elektorale të Nanos në Sarandë, apo gjetiu. Ajo pranohet tani, pasi Nanos i kanë shtënë në vesh sondazhet, apo se i kanë mbërritur presionet e grupeve të fuqishme të interesit, që kërkojnë mënjanimin e pjesshëm të tij nga fushata, si figurë e afërt me humbjen, pra ndërrimin e kuajve të

karrocës. Ajo pranohet tani, pasi ndoshta Nano do të përpiqet të riciklohet në një veshje të re, më pajtuese, më afër konsensuales, të një figure që largon sulmet nga vetja e vet dhe ja rras ato atij që mund të ishte pasardhësi i vet, por pa lënë kurrë postin e kryetarit të PS-së. Pra, në kuadër të realizimit të ambicies së tij të radhës - të bërit President i Republikës, Nano do të donte të ndryshonte profilin e vet politik. Një hipotezë e tillë duket se provohet dhe nga editorialet e gazetave afër Nanos, që e shohin Ramën si figurën kryesore të fushatës së socialistëve. Po pse mendohet se Nano po i shkon këtij plani; çfarë elementesh të tjerë janë në favor të kësaj teze? Më së pari, Nano e ka provuar se duke mbetur kryetar në çfarëdolloj skenari, ai do të kontrollojë zhvillimet dhe do të jetë faktor kyç për to - rastet me Majkon, Metën, kur madje është rikthyer si Kryeministër.

Së dyti, sepse ky zhvillim vjen pasi ai ka përcaktuar vetë listën e kandidatëve, pra dhe deputetëve të ardhshëm, duke ruajtur një lloj kontrolli mbi ta që tani, për çdo lloj zhvillimi në gjirin e grupit të ardhshëm të deputetëve: kontroll për Kryeministrin, për votat e Presidentit etj. Ai mund edhe të donte që t’ja linte Ramës që tani stafetën, por një gjë e tillë nuk do të pranohej nga ky i fundit, që nuk do të dëshironte të asocionte emrin e vet me dështimet e kësaj periudhe

Efektet e kësaj lëvizjeje

Në një analizë më të shtrirë në hapësirën politike, hedhja e Ramës si kandidati për Kryeministër i socialistëve, është njera nga dy lëvizjet kyçe të tyre, që mund të përmirësonte shancet dhe rezultatin zgjedhor të tyre. Tjetra do të ishte aleanca parazgjedhore e PS me LSI-në, që është faktor kyç gjithsesi në këto zgjedhje. Në pamundësi të të dyjave bashkë, apo vetëm e së dytës, provohet e para: pra, premtohet ardhja e Ramës në krye të Ekzekutivit: një figurë që gëzon, sipas sondazheve, mbështetje dhe vlerësim të madh popullor, për shkak të sukseseve në qeverisjen e Tiranës. Rama, duket se është një figurë që gëzon mbështetje të madhe dhe në rrethet e tjera, ku nuk ka individë që kanë patur probleme me reformat, apo planet e veta në infrastrukturë, por ku perceptohet pjesa e ëmbël e ndryshimeve të Tiranës, mjaft optimiste përballë rrënimit të qyteteve të tjera. Ajo mund të gjallërojë bazën socialiste të pashpresë me zbarkimin pranë saj të këshilltarëve të Nanos, apo ministrave, që nuk gjejnë dot zona elektorale. Përfshirja e Ramës, që gëzon mbështetje individuale ndërkombëtare, është dhe një përpjekje gjithashtu për të motivuar edhe një herë ndërkombëtarët që, përballë Berishës, të pranojnë Ramën, që është një lloj produkti i tyre, veçanërisht në planin mediatik. Por, lëvizja me Ramën do të krijojë probleme në lojën politike të opozitës, që do ta ketë të vështirë se ç’kartë të re të zgjedhë përballë tij. Sulmet ndaj Ramës, që mbështeten te roli i Nanos për t’u shpallur si Kryeministër i ardhshëm, duke e quajtur atë “Arushë që tërhiqet me çengel nga hunda prej Nanos” janë pak. Roli kryesor i Nanos në promovimin e tij sot, nuk i ul gjë pragmatizmit të Ramës, i cili nesër, nëse zgjidhet Kryeministër, fare mirë mund t’i kundërvihet Nanos për ta kufizuar dhe mënjanuar kontrollin e tij. Nuk duket se ka problem, që nuk do të ketë besnikë të zgjedhur prej tij në grupin parlamentar; ky grup për shkak të përdorimit efektiv të tij të pushtetit ekzekutiv në drejtim të interesave të anëtarëve të këtij grupi, mund të orientohej me siguri prej tij në të ardhmen. Por, le të vimë te fushata: PD do të duhet të ndryshojë gjuhën e saj, në një gjuhë agresive për korrupsionin e Ramës, gjuhë që nuk e pengoi Ramën të fitonte zgjedhjet për herë të dytë pas komisionit parlamentar kundër tij. Kjo gjuhë, siç tregoi dhe kongresi, kishte filluar të zbutej ndaj Nanos, në përputhje me këshillat e ekspertëve të huaj, të cilëve Berisha u ka premtuar respektim të të gjithë këshillave dhe duhet të ashpërsohet sërish. E kryer kur fushata ka filluar “de facto”, megjithëse jo “de jure”, lëvizja e shpalljes së Ramës si Kryeministër i ardhshëm i socialistëve do të krijojë pra njëlloj pështjellimi në kampin e opozitës, e cila nuk mund të ngushëllohet me faktin se nëse humb zgjedhjet, do të mund të ketë shance në zgjedhjet bashkiake të parakohshme në Tiranë. Gjithsesi, detyra e Ramës mbetet akoma më e vështirë: a mjafton vetëm ai për të tërhequr drejt një fitoreje të re një parti si ajo socialistja, e konsumuar keqaz në pushtet?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›