Këngëtari i njohur shkodran Bujar Qamili dekorohet nga Presidenti

Merr Urdhrin Mjeshtër i Madh
Tiranë, 17 dhjetor 15:28 NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, interpretuesin e shquar të këngës popullore, Bujar Qamili.
Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi z. Qamili urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi “për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve popullore shqiptare dhe në veçanti të atyre shkodrane”.
Duke e falënderuar Presidentin Topi për respektin e lartë që iu bë, z. Qamili u shpreh: “Ndjehem shumë i gëzuar, shumë i emocionuar dhe tepër i respektuar. Është një nga ditët më të gëzuara në jetën time, sepse sot vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, më dekoron me Urdhrin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Kurse theksoi më tej: “Kjo do të thotë që zoti President nuk është vetëm admirues i sportit, por edhe i këngës shkodrane dhe i gjithë shkodranëve”.
Çmimet që Bujar Qamili ka fituar gjatë karrierës së tij të gjatë artistike janë të shumta, si çmimi i parë tek “Maratona e Këngës Popullore Shqiptare”, çmimi i parë te “Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare”, Diskun e Artë të Këngës Popullore Shqiptare, titullin “Këngëtar i Urdhrit Naim Frashëri i Artë”, etj.
Dekorimi
Dekorimi i Bujar Qamilit eshte bërë më 20 nëntor 2008 dhe më poshtë e gjeni të plotë:
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi z. Bujar Qamili Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve popullore shqiptare dhe në veçanti të atyre shkodrane”.
a.l/NOA
Shkarko attachment >> 17topi_bujar_qamili_dhe_familja_797454512.jpg