E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maria Cucinotta, producente në Tiranë

Sali Berisha takon aktoren italiane, ardhur në Shqipëri për realizmin e një projekti kinematografik, telefilm-serial midis dy vendeve. Kryeministri e ka siguruar aktoren për mbështetje në këtë bashkëpunim

Maria Cucinotta, producente në Tiranë

E veshur me një fustan të zi, shumë seksi, elegante, gjithë sqimë për t’u dukur para bliceve të fotografëve shqiptarë, Maria Grazia Cucinotta, aktorja e famshme italiane, por që ka kaluar prej kohësh këtë kufi nacional, duke u bërë shumë e njohur edhe në kinemanë evropiane, dje ka bërë vizitën e saj të parë në Tiranë. Ardhja e saj, takimet, gjithçka ka organizuar në një ditë në Shqipëri, ka qenë një axhendë tmerrësisht e fshehtë. Por në sitin e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ky takim dukej nga më të përzemërtit, duke zbuluar arsyet e vizitës së Cucinotta-s.

Aktorja italiane do të jetë më shpesh në Tiranë, duke zbuluar jo vetëm projektin e saj kinematografik, por dhe protagonizmin. Nuk do të jetë aktore, as e thirrur për ndonjë bashkëpunim regjisorësh, aktorja italiane do të jetë producente e një telefilmi-serial.

Do të jetë një bashkëpunim midis dy vendeve që do të ketë në strukturën e saj aktorë kosovarë dhe italianë. Në fakt vizita e saj ka qenë më shumë për të njohur terrenin nga ku do të nisë ky projekt, si dhe takimet me aktorët shqiptarë.

Ndërsa prezenca e saj dje si e ftuar nga Kryeministri shqiptar, duket se i ka dhënë më shumë formalitetin zyrtar dhe rëndësisë diplomatike që do të ketë ky film midis dy vendeve, kjo sigurisht sa u takon dhe marrëdhënieve financiare që do të ndërtojnë.

Në vizitën e saj të parë në vendin tonë, znj. Maria Grazia Cuccinotta u shpreh e impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë, si dhe shprehu vlerësimet e saj më pozitive për artin dhe kulturën shqiptare, veçanërisht u ndal në talentin e mjaft artistëve shqiptarë, të cilët ajo kishte pasur rastin t’i takonte dhe me të cilët kishte bashkëpunuar më parë në Itali. Kryeministri Berisha falënderoi znj. Maria Grazia Cucinotta që zgjodhi vendin e tij për një projekt shumë të rëndësishëm dhe interesant, siç është telefilmi-serial kinematografik, për të cilin ajo kishte ardhur në Tiranë. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të mbështesë përherë e më shumë projekte serioze, që do të ndihmojnë zhvillimin e artit skenik dhe kinematografisë në Shqipëri, duke vlerësuar se filmi është një transitor shumë i rëndësishëm i kulturës dhe dashurisë mes popujve dhe që ka një rol me peshë në edukimin e brezave të rinj.

Znj. Maria Grazia Cucinotta u shpreh mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi me artistët shqiptarë gjatë këtij projekti dhe shprehu gatishmërinë që shumë shpejt, në rolin e saj si producente, të vijë sërish këtu dhe të realizojë projekte të reja.

Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e aktores dhe producentes së njohur, që nga fillimi i viteve ’90, në thesarin e filmografisë jo vetëm italiane, por edhe asaj evropiane dhe amerikane me më shumë se 60 filma në rol protagonist dhe me 20 prodhime si producente me regjisorët nga më të mirët në botë si Woody Allen, Spike Lee, Ridley Scott etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›