E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngëtari tullac

Eno Bozdo

Ndërsa Parlamenti Europian miratonte rezolutën shumë të (mirë)pritur për Shqipërinë,e ndërsa amendimet përpara miratimit, të propozuara nga kampet e qendrës së djathtë e të majtë të Parlamentit ,bënë që rezoluta të votohej masivisht thuajse nga të gjithë europarlamentarët, askujt në atë sallë nuk ia merrte mendja se vetëm një ditë më vonë në Tiranë, kryetari i opozitës, Rama, në konferencën e tij të përditshme të shtypit do të transformonte tekstin e rezolutës, në atë mënyrë saqë komunikimi i tij me masmedian dhe opinionin publik t`i ngjante pafundësisht dialogut tragji-komik të veprës brilante të teatrit absurd - "Këngëtarja Tullace", - shkruar nga Eugene Ionesco.
Kësaj here në Tiranë, z. Rama me pamjet dhe veprimet e një këngëtari tullac, ia kaloi edhe vetë fantazisë dhe përpjekjeve të Ionescos. Me një gjuhë të denjë dhe tipike për teatrin absurd, z. Rama i dha komunikimit dhe shpjegimit të rezolutës një sens tërësisht të ndryshëm dhe një shpjegim po kaq absurd.
Dikush mund ta interpretojë si një përpjekje në vazhdën e lëvizjes së tij njëvjeçare për të mos njohur (!) rezultatin e njohur botërisht të zgjedhjeve, për të hedhur në erë institucionin e zgjedhjeve dhe besimin e publikut në të. Mund të ketë edhe arsye të tjera për këtë lloj qëndrimi, por sidoqoftë ajo çfarë teleshikuesit panë ishte z. Rama që komentonte me gjuhën e këngëtarit tullac, Rezolutën e Parlamentit Europian. Tragjike dhe komike në të njëjtën kohë!
Nuk është shumë e qartë për opinionin publik tashmë se çfarë kërkon z. Rama të arrijë me anë të atij qëndrimi: kërkon t`i shkojë kauzës së tij deri në fund (1)?; kërkon të ruajë pozitat si kryetar i Partisë Socialiste (2)? Apo kërkon të rrisë konfliktualitetin në politikën shqiptare, me shpresën se mos kjo gjë do të ndikojë në çështjen e liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit (3)? Mos ndoshta i kërkon të tria bashkë këto objektiva së bashku?
Një analizë më e hollësishme (gjithmonë racionale dhe aspak absurde) mund të tregojë lehtësisht se në fakt kauza e rinumërimit të kutive të votimit, nuk ka qenë asnjëherë kauzë në vetvete. Kjo jo thjesht për faktin se ligji shqiptar e ndalon dhe se këtë version e kanë hedhur poshtë edhe institucionet ndërkombëtare, por edhe për faktin e dytë se, në qoftë se z. Rama do të kish qenë minimalisht i interesuar për këtë fakt, do të ndiqte rrugën parlamentare e institucionale.
As arsyeja e dytë nuk qëndron, për sa kohë z. Rama tashmë ka në xhep një mandat të dytë si kryetar i Partisë Socialiste, një mandat që edhe pse është shumë i kontestuar, përsëri është ligjërisht i vlefshëm. Kështu që nuk ka asnjë arsye pse ai duhet të ndihet i pasigurt në kolltukun e kryetarit të partisë të tij.
Arsyeja e tretë, pra shpresa e z. Rama për të ndikuar në bllokimin e liberalizimit të vizave, tashmë ka marrë një përgjigje të prerë: asnjë proces nuk mund të ndikojë në heqjen e vizave për shqiptarët, sepse të gjitha kriteret teknike janë përmbushur si jo më mirë. Ndoshta një situatë politike konfliktuale mund të ndikojë në dhënien e statusit të "vendit kandidat", por edhe kjo do të ishte me një kosto të madhe për vet z. Rama dhe partinë e tij.
Pra me sa duket asnjë arsye nuk ekziston, e derisa nuk ka arsye të vlefshme, tashmë mund të themi me plot gojën se veprimet dhe reagimet e z. Rama po ndodhin në terrenin e absurdit!
Në fakt opinioni publik gjithmonë është akuzuar se e ka kujtesën e shkurtër. Kjo është e vlefshme për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Por nuk besoj se dikush mund të harrojë kaq shpejt përpjekjet e z. Rama për t`u shitur shqiptarëve, të gjithëve pa asnjë përjashtim, të vërtetën sipas tij! Këto përpjekje nuk janë vetëm nën kuadrin e tragji-komikes së absurdit; janë më të rënda se kaq: ato përbëjnë një fyerje të inteligjencës së çdokujt që di shkrim e këndim dhe që e kupton qartë se çfarë është shkruar dhe se çfarë ka dashur të thotë Parlamenti Europian me rezolutën e tij, ndërsa i referohet qartazi materialeve zgjedhore (pra jo fletëve të votimit) si të vetmet dokumente, të cilat eventualisht mund të kishin shqyrtimin e Komisionit Parlamentar hetimor. Fyerja vazhdon edhe më tej për anëtarët e partisë të tij, duke filluar që nga militantët e deri te deputetët-anëtarë të grupit parlamentar të PS. Z. Rama po u imponon atyre të luajnë "fluturon gomari", nëpërmjet këtij interpretimi që ai po i bën rezolutës.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kryetari i Partisë Socialiste keqinterpreton kuptimin e qartë të rezolutave. Mjafton të kujtojmë se si ai e shtrembëroi totalisht mesazhin e dhënë në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke përdorur të njëjtën logjikë, si atë të kësaj rezolute.
Ajo që më shumë të habit në këtë telenovelë të absurdit, nuk është më sjellja dhe qëndrimi i z. Rama, sesa paaftësia reaguese e lidershipit të Partisë Socialiste, nënshtrimi ndaj absurdit dhe hipokrizisë së skajshme që tashmë manifestohet në çdo konferencë shtypi, por edhe në çdo qëndrim të parlamentareve të Partisë Socialiste në foltoren e Parlamentit. Vetëm kështu mund të shpjegohet ideja për bojkotimin përsëri të Parlamentit, apo për mosbindje civile dhe rifillim i protestave të rrugës.
Por ka edhe më: dy ditë më parë, kur Qeveria lajmëroi për një rritje të pensioneve, një korr zërash deputetë të PS atakuan me shumë egërsi lajmin, thua se pensionet do të reduktoheshin. Sulmi ishte aq absurd, sa që me siguri do të ketë ngjallur reagim kundërshtues edhe te vetë pensionistët mbështetës së kësaj force. Në një situatë kur thuajse të gjitha vendet e BE dhe ato të rajonit, jo vetëm po shkurtojnë shpenzimet e tyre, por edhe pagat e pensionet në mënyrë të ndjeshme, rritja e pagave dhe pensioneve në Shqipëri si dhe përmirësimi i indikatorëve makroekonomikë pa reduktuar kërkesën agregate për mallra dhe shërbime, është një lëvizje e zgjuar dhe kursi i duhur për të siguruar rritjen e ekonomisë edhe në këtë vit të vështirë globalisht. Por edhe këtu, me siguri ka qenë ideja e imponuar e z. Rama, i cili u ka kërkuar deputetëve të tij ta sulmojnë këtë fakt. Nëse do të kishim një opozitë racionale, ajo do të kishte reaguar shumë më ndryshe. Për ato (pak) forca racionale që kanë mbetur në Partinë Socialiste, kjo rrjedhë e ngjarjeve gati një vjeçare duhet të përbëjë një kambanë alarmi: opozita po hyn e verbër në qerthullin e absurdit dhe të vërtetave virtuale. Dhe një opozitë që kënaqet në absurd, mund të dëmtojë realisht dhe përfundimisht imazhin e vendit dhe interesat e tij kombëtare.
Në të njëjtën konferencë të shtypit, z. Rama përgënjeshtroi kategorikisht bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga ana e partisë së tij. Të shpresojmë që kështu do të jetë dhe logjika e absurdit nuk do të mbizotërojë më!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›