PS: Bode përgjegjës për krizën, të japë dorëheqjen
Partia Socialiste i kërkon dorëheqjen ministrit të Financave, Ridvan Bode. Sekretari i Këshillit të Ekonomisë në PS, Ervin Bushati tha dje në një konferencë për shtyp se Bode është përgjegjësi kryesor për buxhetin e krizës së vitit 2010, siç e quajti ai. "Ministri i Financave të Shqipërisë, i diplomuari i "kursit '97", duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme: si përgjegjës kryesor për "buxhetin e dështimit 2009" dhe si krijuesi i "buxhetit krizë" të 2010 - para se të fundosë përfundimisht ekonominë shqiptare, për herë të dytë, nën peshën e një borxhi publik kriminal", tha Bushati. Sipas tij deficiti buxhetor në 2009 ishte 7.1% e GDP, niveli më i lartë që nga viti 2001. "Të ardhurat në buxhet për vitin 2009 kanë rënë në nivelin e 27% nga 28.5% GDP që ishin parashikuar. Performanca tatimore ishte tepër e dobët në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm. Shpenzimet shkuan në 34.1% të GDP - shifra më e lartë në një dekadë. Huamarrja e brendshme në 3.7% GDP, ishte më e larta nga viti 2001. Shpenzimet korrente në 24.2% GDP, u kthyen në nivelin e vitit 2004, larg politikës së 'qeverisë së vogël'. Politikat Fiskale agresive të vitit elektoral 2009 e frynë Borxhin Publik në 60% GDP në 2009, nga niveli 55% GDP në vitin 2008", tha më tej sekretari i Këshillit të Ekonomisë në PS. Duke u ndalur te shpenzimet korrente në vitin 2010, Bushati tha se ato janë rritur në 24.9 për qind, ndërsa shërbimi i borxhit do të shkojë në 3.5 për qind të GDP-së, nga 3.1 për qind që ishte në vitin 2009. "Rritja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik do të vënë në provë stabilitetin makroekonomik, si një pasojë e pashmangshme e devijimit nga politika e konsolidimit fiskal. Ky kombinim vicioz i një rënie të fuqisë blerëse si dhe investimeve anemike nga ana e Qeverisë, do të tkurrin ndjeshëm ekonominë në të ardhmen afatmesme", tha më tej Bushati.