Urdhri, jo femra me veshje seksi në mbledhjen e KRRTRSH
zirina llambro
Ndoshta për efekt të vapës së korrikut, apo për faktin se janë të reja në punë. Gjithsesi performanca e disa prej punonjëseve të administratës apo përfaqësueseve të investitorëve, në mbledhjen e KRRTRSH-së, ishte jo pak tunduese. E mbajtur në datë 6 korrik, nën drejtimin e Kryeministrit të vendit, ky detaj nuk ka kaluar pa u vënë re. Burime pranë kreut të Qeverisë pohojnë se Berisha është ndjerë jo pak në siklet nga ecejaket e vajzave më shumë të zhveshura sesa të veshura, duke servirur dokumentacionin e nevojshëm për mbledhjen apo duke prezantuar projektet. Madje aq shumë përshtypje i kanë bërë këto parakalime, sa fill pasi ka përfunduar, i ka kërkuar Ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, të vërë pak rregull në institucion. E sidomos, kur bëhet fjalë për problematika të tilla serioze, fjala e Kryeministrit të vendit nuk bëhet dysh. I menjëhershëm ka qenë urdhri i lëshuar një ditë pas mbledhjes për një "Paraqitje sa më etikë në mbledhjen e KRRTRSH-së". Madje, ministri Olldashi nuk është mjaftuar vetëm me femrat, por ka shtuar në urdhër edhe mënyrën si duhet të vishen meshkujt, për të qenë sa më seriozë. Nëse janë pjesë e administratës, duhet patjetër të kenë kostum ose bluzë model polo. Nuk lejohen atletët apo shapkat me gisht. Punonjësit e administratës, në mbledhje duhet të kenë veshur patjetër këpucë. Ndërsa femrat, për të mos tunduar e shpërqendruar të pranishmit në panel, që marrin vendime shumë të rëndësishme për investimet në infrastrukturën e vendit, duhet patjetër të jenë të veshura me kostum ose me fustane me mëngë, apo me këmisha. Nga ky rregull përjashtohen funksionarët politikë dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët janë në fuqi rregullat e ceremonialit zyrtar apo legjislacione të posaçme. "Përfaqësuesit e subjekteve investitore, vendas ose të huaj, të nivelit teknik apo të nivelit ekzekutiv, për të mbrojtur projektet në mbledhjet e KRRTRSH-së është e domosdoshme të paraqiten me veshje etike dhe serioze. Për këtë qëllim, për këta persona veshjet formale janë të domosdoshme", thuhet në urdhrin që mban firmën e ministrit, Sokol Olldashi. Urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë dhe "frytet" do të shihen mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH-së, e cila me shumë gjasa do të jetë nga vjeshta. Pjesa më e madhe e institucioneve, për etikën në veshje kanë nxjerrë rregullore të brendshme. Punonjësit e vjetër tashmë e kanë mësuar se puna është punë dhe nuk mund të bëhet paradë mode. Por me rrokadat e shpeshta të administratës, muajt e fundit ka plot elementë të rinj, të cilëve u duhet pak kohë sa të përshtaten. Gjithaq nuk mungojnë edhe rastet, të tilla ku për të qenë sa më të vështruara në ambientet e zyrës, veshjet mini e dekolte bëhen enkas. Pse jo, disa funksionojnë me mendësinë se shefit kësisoj mund t'i biesh më lehtësisht në sy. Më tej, avantazhet mund të jenë jo pak. Pozicion më i mirë, ndoshta rrogë më të lartë, e lehtësira të këtij tipi. Në ditët e sotme janë jo pak femrat që ecin me këtë moto. Por sigurisht, fenomeni është botëror, ndonëse këtu tek ne shpesh ndërthuret me mungesën e kulturës dhe provincializmin. Urdhra të tillë janë të domosdoshëm në të gjitha ambientet e punës, për të garantuar më shumë vëmendje jo tek fasadat, por tek aftësitë profesionale.