E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka qetësi në Asamble!

HENRI CILI

Media e përcolli vakët Asamblenë e Partisë Socialiste, e cila përgatiti tezat për kongresin e pas disa ditëve të Partisë Socialiste, lidhur me ndryshimet statutore apo elementë të tjerë, që lidhen me aspekte të programit të kësaj force politike. Debati i vakët, ide qarkulluese e ripërtypëse, një lloj plogështie politike, që nuk i tërheq as gazetarët e kronikat, kurse analistët e komentatorët nuk i frymëzon fare.
Edhe vetë ata që njihen si përfaqësues të mendimit ndryshe, duken të kenë aq pak hapësirë për veprim politik, sa edhe ata shfaqen të pamotivuar, madje disa prej tyre mungojnë fare në mbledhjen e asamblesë!
“Normalizimi” i kongreseve të kësaj partie, në kushtet kur ajo ndodhet në një moment tejet përcaktues për fatin e vet politik dhe të opozitës në përgjithësi është tregues i një fenomeni të ri në politikën shqiptare: defaktorizimi i oligarkisë politike të partive tona të mëdha.
Nuk është vendi të analizohet gjatë, por ndoshta nuk duhet lënë pa përmendur se në krahun tjetër, në PD, ka 5 muaj që është zhvilluar Kuvendi i PD-së dhe ende nuk është mbledhur Këshilli Kombëtar e nuk janë zgjedhur strukturat e reja drejtuese të partisë. Ndaj fenomeni është bërë horizontal, aq sa mund të kualifikohet si tipar tashmë i ngulitur i jetës sonë politike: oligarkia politike ka marrë fund!
Ndërsa oligarkia politike në vetvete nuk është diçka për t’u respektuar, zhdukja apo defaktorizimi i oligarkisë politike është për t’u shqetësuar për mënyrën se si zhvillohet në kushtet shqiptare. Oligarika politike, e inkuadruar dhe ekuilibër me faktorë të tjerë në sistemin e përfaqësimit politik, kryen një funksion të dobishëm, përkundër dominimit të saj apo zhdukjes së saj.
Oligarkia politike është pjesa që vendoset në mes liderit dhe anëtarësisë/elektoratit të një partie politike dhe shërben si një ekuilibër mes pasionit për pushtet të liderit dhe tipareve të verbra të turmës politike. Sot shohim përfundimisht elitën politike partiake jashtë funksioneve: ata që kundërshtojnë, mënjanohen, ata që kanë individualitet tjetërsohen, kurse ata që janë replikë e modelit të liderit shumëzohen nga dita në ditë.
Por pse është problematik fenomeni i zhdukjes së oligarkisë politike në kushtet tona. Normalisht zhdukja apo defaktorizimi i oligarkisë politike është parë si një tendencë në politikën moderne perëndimore, në kushtet kur partitë bëhen gjithnjë e më elektorale. Elektoralizimi i partive dhe personalizmi i politikës, tipar themelor i asaj që njihet si “amerikanizimi” i politikës, ka kundërpeshë absolute nocionin e përgjegjësisë së plotë të liderit në raport me rezultatin e betejës elektorale.
Ky model, që e zhbën dhe zvetënon oligarkinë politike apo e defaktorizion atë tej mase, merret i cunguar, atij i mungon institucioni i përgjegjësisë së lid erit në raport me rezultatin e një lufte, apo beteje politike. Pa nocionin e mbajtjes së përgjegjësisë, do të kemi gjithnjë e më shumë qetësi në asamble!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›