E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e punëtorit, pranga pronarit dhe shefit teknik

Hetimet për vdekjen e punëtorit nga eksplozivi në një gurore në Tiranë kanë nxjerrë përgjegjës pronarin dhe drejtuesin teknik të firmës ku ai punonte. Në këto kushte, policia ka kryer arrestimin e këtyre dy personave, si dhe në bashkëpunim me prokurorinë po hetohet për dokumentimin e plotë të kësaj çështjeje. Sipas të dhënave policore, nga shërbimet e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit u arrestuan në flagrancë Emiljano Gjinollari, 23 vjeç dhe Spiro Koçari, 67 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 12 e 16 klasë, të cilët janë përkatësisht pronari dhe drejtuesi teknik i firmës "Mexhi". Arrestimi i tyre u krye sepse në orën 08.00, në fshatin Brarë, në guroren e firmës "Mexhi", brenda tunelit, nga shpërthimi i lëndës eksplozive, ka gjetur vdekjen punëtori Reshat Dajti, 45 vjeç, banues në fshatin Dajt. Ndërsa pronari i gurores Bashkim Kuka nuk është në ndjekje penale. Sipas të dhënave policore, rezulton se në guroren e shtetasit Bashkim Kuka, e ndodhur në Tufinë, në afërsi të tunelit të Brarës, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozivi, të vendosur nga viktima Reshat Dajti, aksidentalisht ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policisë dhe ekspertëve xhenierë u janë dashur disa orë për nxjerrjen e viktimës, pasi ishte i mbuluar tërësisht me një sasi dheu dhe gurësh. Ndërkohë, nga grupi i posaçëm hetimor i formuar, po hetohet më tej për përgjegjësit administrativ dhe penalë, në drejtim të kushteve të sigurimit teknik në këtë gurore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›