E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kenzaburo Oe Një jetë e qetë ose Familja

22/05/2005  Kezzaburo Oe lindi në vitin 1935 në ishullin Shikoku. Ai hyri në mënyrën e bujshme në botën letrare të Japonisë, duke fitur çmimin më të madh letrar “Akutagava”, për tregimin “Gjahu i kafshëve”. Ky shkrimtar origjinal, që hedh poshtë sistemin e vlerave të shoqërisë ekzistuese dhe pasqyron pyetjet dhe shqetësimet e brezit të Pasluftës, ka shkruar shumë romane, novela dhe sprova, duke u bërë një nga autorët më të njohur në mbarë Botën. Romanet e tij: “Na thoni si të mbijetojmë çmendurinë tonë”, “Loja e shekullit”, “M/T dhe historia e mrekullive të pyllit”, “Letra e viteve të nostalgjisë”, “Një jetë e qetë”, “Këputni sythet, qëlloni mbi fëmijët”, “Shënimet e Hiroshimës”, janë përkthyer në të gjitha gjuhët e Botës dhe kanë patur lexues të shumtë. Në vitin 1994, ai fitoi çmimin “Nobel” për letërsinë.

Jeta e vërtetë, ose jeta e qetë, sikur nuk të mungon asnjëherë nëna dhe familja... ndryshe nga sagat e familjeve të mbytura në krizat moderne, nobelisti japonez Kenzaburo Oe shkruan romanin “Jeta e qetë”, përkthyer në shqip nga Nasi Lera, botuar nga “Dudaj”

Jeta e vërtetë ikën shpejt, sipas nobelistit Kenzaburo Oe. Për të shkruar një roman, nuk i duhet të gjesdizë fort nëpër trille artistike, ashtu siç bëjnë shumë shkrimtarë kur shkëputen nga toka, për t’u dhënë pas fantazisë. Lënda jetë është aq e mjaftueshme, sa mund të “izolohet” akoma më tej në romanin e Oe-së. Familja, fisi, nuk nënkupton katër faqet e murit, por një zinxhir gjaku, që rrallë përjetohet sa në romanin “Jeta e qetë”, botuar nga “Dudaj”, përkthyer në shqip nga Nasi Lera.

Shkrimtari Kenzaburo Oe, duke qenë një shkrimtar që hyri në mënyrë të bujshme në botën letrare të Japonisë, nuk qëndroi pa shprehur dhe shqetësimin e tij për sistemin e vlerave të shoqërisë ekzistuese që pasqyron pyetjet dhe brengat e brezit të pasluftës.

Gjithkush mund të çojë nëpër mend një njeri “të egër” në mendim, kur i qëllon të meditojë mbi një shkrimtar që ka përjetuar skena lufte, hove të katrahurës njerëzore dhe, sigurisht mospërmbajtja letrare mund ta intrigonte dhe Oe-në në shenjues të fortë të politikës. Përkundër kësaj, Oe bëhet i pandreqshëm në jetën reale letrare.

Kufijtë e ndjeshmërisë personale, me ndjeshmërinë gjithëshoqërore dhe anasjelltas, ngrihen mbi lëkurën e një njeriu që ka përjetuar me forcë karakteri ndryshimet e vendit të tij. Kompromiset e natyrës njerëzore i takojnë së shumti veprave që shkroi nobelisti Oe.

Por në sprovën e romanit “Jeta e qetë”, krejt ndryshe nga ç’flet kritika për novelat, apo esetë e Oe-së, ndihet brishtësia e një njeriu ndaj familjes. Stimujt e fortë që e mbajnë lidhur me të dhe delikatesa e shkëputjes që rëndë i bie prindërve. Oe në këtë rast nuk i përmbahet jetës moderne të shoqërisë, ku familjet ftohen.

As kur familjet hyjnë në krizë dhe brezat ndeshen. Asnjë prej këtyre nuk e tërheq romanin e Oe-së. Ndoshta është mënyra më origjinale, vërtetësisë se si rrjedh jeta krejt natyrshëm, thjeshtë e pa komplikime intrigash. Prindërit, fëmijët, një tryezë buke, një kuzhinë ku hanë dhe rriten brezat... Krejt qetë e bazuar në një kulturë të thjeshtë të të jetuarit. Por që nën sfond kalohet lufta për mbijetesë, krizat shpirtërore, rreziqet, dëshpërimet, kënaqësitë shpirtërore dhe pa kompromis, mënyra se si shkon jetën një qenie njerëzore. Pa tentuar të të mbërthejë në kurthin e moralit mbi familjen, por duke zgjidhur engimat më të keqkuptuara në letërsi dhe jetë; tharmin e ekzistencës së qenies në shoqëri, ashtu si dhe në familje. Ndaj shumë natyrshëm, Kenzaburo Oe e shfaq dilemën e tij për titullin e romanit; ta shënojë “Ditari i familjes” që i duket shumë i zbehtë, shumë i rëndomtë... Duke kërkuar më shumë llogari ndër vete, bindja e tij në këtë roman është se duhej një shenjë më e denjë për jetën, pikërisht në këtë familje që e ka realizuar në roman brenda gjashtë apo shtatë muajve.

Mbyllja e romanit shkrihet si në jetë, sikur të marrë vendim ashtu si gjithë linja e ndjekur në rrëfimet e tij. ”Koka ime e vogël dhe e rrumbullakët është zhveshur nga kjo lloj pasurie... Por më thuaj, Eojor, ti që je specialist në fushën e titujve, a mund të më gjesh një të tillë? Vëllai im, i shtrirë barkas mbi qilimin e dhomës së ndenjes, duke shkruar nota mbi fletën e muzikës, me një qetësi të tillë, sikur nëna të mos kishte munguar asnjëherë, u mendua një farë kohe para se të përgjigjej.

-A nuk do t’i shkonte “Një jetë e qetë? Sepse e tillë është jeta jonë”. Këtu mbyllet romani, pa alternativa morali, por me një dëshirë të ndezur mbi familjen, ndryshe jetën e qetë, ku Oe nuk do t’ia dijë në është në kohën moderne, apo parashikon të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›