E Hënë, 2 Nëntor 2026

Keqbërës tentojnë vjedhjen e ndihmave

01/02/2005  TROPOJË – Gjendja në rethin e Tropojës, pas reshjeve të borës të ditëve të fundit, është tepër e rëndë. Ndërsa banorët vuajnë mungesën e dritave, të ndihmës ekonomike e financiare, ata duhet të kujdesen vetë edhe për ruajtjen e shpërndarjen e ndihmave në ushqime e veshmbathje. Ndërkohë mësohet se, ndërsa nga ana e qeverisë shqiptare nuk është “zhbllokuar” ende ndihma financiare, deputeti i zonës, Azgan Hakalj, i ka kërkuar ndihmë qeverisë së Kosovës, për përballimin e situatës.

Mbrëmjen midis të dielës e të hënës, është tentuar të vidhen ndihmat në ushqime dhe veshmbathje, të cilat kanë mbërritur dhe priten të shpërndahen në Tropojë. Përballë inekzistencës dhe inkompetencës së policisë lokale, kanë qenë anëtarët e shtabit të emergjencës që kanë shmangur grabitjen e ndihmave.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes tregojnë se mbrëmjen e kaluar persona të identifikuar prej tyre si kontigjent kriminal, kanë tentuar të grabisin ndihmat në ushqim e veshmbathje. Ndërsa ata forcërisht kanë tentuar grabitjen e ndihmave, banorë të shumtë, por edhe anëtarët e shtabit të emergjencës së bashkisë, kanë ndaluar këtë tentativë, duke i detyruar të zmbrapsen grabitësit.

Drejtues të pushtetit lokal dënuan këtë akt, ndërsa kërkuan ndihmën e policisë, e cila, sipas tyre, në një situatë të tillë, përballë grupeve kriminale të vjedhësve, ka qëndruar indiferente, duke demonstruar paaftësinë e saj.

Ndërsa ruajtja e ndihmave është një hall, problem më vete ngelet për drejtuesit e pushtetit vendor edhe shpërndarja e tyre.

Në kushtet e bllokimit të akseve rrugore, që lidhin Bajram Currin me komunat, pushtetarët vendorë, kërkojnë ndihmën e ushtrisë, e veçanërisht të helikopterëve, për shpërndarjen e këtyre ndihmave në zonat e izoluara. Sipas drejtuesve vendorë, e vetmja mundësi e shprëndarjes së këtyre ndihmave është ajo nga ajri, me helikopterë.

Të varfërit, dy muaj pa ndihmë ekonomike

Ditët e ftohta e të izoluara nga bora, për banorët e Tropojës, bëhen edhe më të vështira, nga mungesa e ndihmës ekonomike. Janë të paktën mbi 5 mijë banorë në rrethin e Tropojës, që trajtohen me ndihmë ekonomike, por që prej dy muajsh, ata nuk e marrin këtë ndihmë. Sipas pushtetarëve vendorë, ndihma ekonomike (rreth 3600 lekë në muaj), nuk përfitohet prej familjeve të varfëra, për shkak të mungesës së fondeve. Përballë kësaj gjendjeje ka reaguar deputeti i Tropojës, Azgan Haklaj, i cili i ka kërkuar qeverisë të zhbllokojë këtë fond ndihmash ekonomike.

Sipas drejtuesve të pushtetit vendorë, të bashkisë e komunave të Tropojës, mësohet se në rrethin e tyre, ende nuk ka mbërritur edhe fondi shtesë, prej rreth 4.53 milionë lekë (të reja) që qeveria vetëm pak ditë më parë akordoi, krahas zonave të veriut e verilindjes së Shqipërisë, edhe për rrethin e Tropojës. Sipas drejtuesve vendorë, mësohet se ky fond shtesë ende nuk është zhbllokuar nga qeveria. Për pasojë, bankat akoma nuk e kanë lëvruara atë, e aq më tepër ai të mbërrijë në këto ditë të vështira edhe në Tropojë.

Ndihmat e akorduara nga Qeveria

Ndihma në ushqime e veshmbathje e mbërritur në Tropojë është pjesë e ndihmës prej rreth 40 milionë lekë (të reja), që disa ditë më parë qeveria akordoi për blerjen e mallrave, për të cilat do të ketë nevojë në zonat e veriut e verilindjes së Shqipërisë, për përballimin e situatës.

Sipas këtij vendimi të qeverisë, mallrat që janë blerë e janë shpërndarë përmes këtij fondi do t’u jepen falas në koordinim me organet e pushtetit vendor banorëve në komunat e zonat e Veriut të vendit, ku është vështirësuar furnizimi me ushqime dhe mallra industrialë.

Për shpërndarjen e tyre, prej disa ditësh, karvane me kamionë, por edhe helikopterë të ushtrisë, janë angazhuar krahas strukturave të tjera të pushtetit qendror e vendor.

Nga kjo ndihmë në ushqime dhe veshmbathje, rrethet që përfitonin ato janë Tropoja, Kukësi, Hasi, Puka, Malësia e Madhe, Mirdita, Dibra, Burreli e Bulqiza, ku vështirësitë në qytetet dhe komunat e tyre, janë më të mëdha për shkak të motit.

Krahas ndihmës në ushqime e veshmbathje, disa ditë më parë, qeveria miratoi edhe një tjetër fond shtesë prej 40 milionë lekë (të reja), për njësitë e qeverisjes vendore për përballimin e emergjencave të ditëve të fundit. Nga ky fond, Qarku i Kukësit përfitoi 14.6 milionë lekë (të reja), ndërsa rrethi i Tropojës, bashkë me komunat e tij, si pjesë e këtij qarku, përfituan nga qeveria, 4.53 milionë lekë (të reja).

Të dhëna

40 milionë lekë

fondi shtesë për qeverisjen vendore

14.6 milionë lekë

Fondi i përfituar nga Qarku Kukës

4.53 milionë lekë

Fondi i përfituar nga Rrethi i Tropojës

Shpërndarja e fondit për Rrethin e Tropojës

Bashkia Bajram Curri

300 mijë lekë (të reja)

Komuna Margegaj

600 mijë lekë (të reja)

Komuna Bujan

690 mijë lekë (të reja)

Komuna Fierzë

440 mijë lekë (të reja)

Komuna Tropojë

700 mijë lekë (të reja)

Komuna Bytyç

650 mijë lekë (të reja)

Komuna Lekbibaj

700 mijë lekë (të reja)

Komuna Llugaj

450 mijë lekë (të reja)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›