Kapshticë, mbi 2000 emigrantë bllokohen 6 orë në doganë

Rreth 2 mijë emigrantë shqiptarë janë bllokuar për më shumë se 6 orë në pikën kufitare të Kapshticës në pritje për t'u kthyer në shtetin grek. Emigrantëve, mes të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar iu është dashur të torturohen në vapën përvëluese në kufirin Shqipëri-Greqi gjatë gjithë orëve të së dielës.
Ata kanë rrëfyer për gazetën përvojën e tyre të fundit në kufi të një shteti të Bashkimit Evropian, ndërkohë që asnjë autoritet zyrtar nuk është interesuar për ta. Kjo situatë me radhë kilometrike përsëritet e pandryshuar nga viti në vit për udhëtarët shqiptarë që synojnë Shqipërinë dhe anasjelltas, ndërkohë gjatë ditës së parë të muajit gusht problematika e lëvizjes së tyre ka qenë në drejtim të shtetit grek. Gjatë dy ditëve të fundit, sipas autoriteteve shqiptare të policisë kufitare në Kapshticë ka patur dyndje të emigrantëve që vijnë për pushime në atdhe.
Ky fluks ka rënë ndjeshëm gjatë së dielës, ndërkohë që radhët e gjata kanë shoqëruar shtetasit shqiptarë që rikthehen në shtetin fqinj. Më shumë se 200 automjete, por dhe disa dhjetëra autobusë të linjave të ndryshme me Greqinë kanë konsumuar më shumë se 6 orë në kufi, teksa pala greke ka punuar me vetëm 2 sportele për hyrjet në shtetin e saj.
Policia shqiptare thotë se ka marrë masa duke shtuar nga ana e saj numrin e sporteleve, por fenomeni duket se përsëritet pa ndryshime në anën greke të kufirit. Edhe gjatë kësaj vere, emigrantëve iu duhet të sfiliten në temperaturat e lata deri në 38 gradë celsius në kufi në pritje të përfundimit të procedurave ndërkufitare.
Ndërkaq muaji gusht shënon dhe numrin më të madh të lëvizjeve në këtë pikë kufitare me Greqinë në juglindje të vendit. Duke iu referuar shifrave zyrtare, mësohet se në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri 5379 shtetas shqiptarë me 1618 automjete, ndërkohë që kanë lënë Shqipërinë për tu rikthyer në shtetin grek 2500 emigrantë me rreth 700 automjete. Vonesa në procedurat hyrëse për në Greqi rrezikon që disa qindra udhëtarë shqiptarë ta gdhijnë natën jashtë në qiellin e hapur të Kapshticës.
Ndërsa, gjatë ditës së shtunë nëpërmjet pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë kanë hyrë 6100 shtetas dhe 2000 automjete. Ndërsa gjatë ditës së diel kanë hyrë 4900 shtetas shqiptarë dhe 290 shtetas të huaj, si dhe 1550 automjete. Nga pala shqiptare punohet me 8 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërsa nga pala greke në dalje me 4 sportele dhe në hyrje me 3 sportele. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës shprehen se nuk ka radhë apo probleme të tjera dhe gjithçka ka vijuar normalisht.