E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të dijes

Mbi pranimin part-time në universitete

Ka pak ditë që u bë e ditur që do të rifillojnë studimet part-time në universitete, të cilat ishin ndërprerë për një vit akademik. Tani universitetet nuk do të presin më studentët vetëm sipas ciklit të moshës. Studimet part-time përfshijnë një shtresë më të gjerë shoqërore. Siç dihet, qëllimi dhe i universiteteve, ashtu si i çdo shkolle, është zgjimi dhe thellimi i interesit për të ditur dhe formimi profesional i individit, me qëllim që të integrohet në shoqëri. Dhe ky qëllim s’ka pse të kufizohet në një grup-moshë të caktuar apo shtresë klasore të privilegjuar.

Problemi i moshës për të studiuar është trajtuar që në lashtësi. Epikuri mblodhi në shkollën e tij fëmijë, gra dhe skllevër dhe kishte mendimin që çdo moshë është e përshtatshme për të mësuar. Shumë shekuj më vonë, Komenski shkruante se gjithë jeta është shkollë. Po ashtu J. Dewey shprehej se mosha për të mësuar fillonte pikërisht atëherë kur shkolla mbaronte.

Në një shoqëri në një transformim rrënjësor, ku shpesh njerëzit mbeten të befasuar nga zhvillimi i shpejtë teknologjik, ndryshimet e menjëhershme të stileve të jetës, të punës, të vendbanimeve; të befasuar shpesh nga dështimet e ndonjëherë nga arritjet, shpesh nga varfërimi e ndonjëherë nga pasurimi i menjëhershëm. Në një shoqëri ku pothuajse ka mungesë të normave ose anomi sipas Durkheimit. Në një shoqëri ku qyteti pranon vetëm atë që përshtatet, të tjerët përjashtohen dhe mundësia e dështimit është gjithnjë te pragu, ku ka shqetësim që kthehet në sjellje individuale që shkojnë nga banaliteti, vulgariteti e deri te dhuna, për të rënë në mbyllje, mërzi e më në fund në nervozë. Në një shoqëri ku njerëzit emigrojnë ose kthehen nga emigrimi. Në një shoqëri ku është tronditur klasiteti i familjes, ka nevojë për një qendër orientuese.

Ndryshime aq të mëdha jo të gjithë i përjetojnë dhe i përballojnë në të njëjtën mënyrë. Ka prej atyre që nuk i përballojnë, nuk përshtaten dhe zgjidhja më e mundshme që është gjetur është shpesh emigrimi (për fat më pak dramatik se në të shkuarën) e ndonjëherë dhe ajo më dramatike, që në botën e gjallë karakterizon vetëm njerëzit: vetëvrasja, së cilës zakonisht i bëhet i vetmi diagnostikim postum: “depresion”.

Në një situatë të tillë kërkohet një pikë orientimi dhe pse njerëzit mos t’iu drejtohen universiteteve? Universitetet nuk mund të jenë vetëm fabrika edukative, por duhet t’i përshtaten kompleksitetit të shoqërisë. Me sistemin part-time, po mos të vihet një tarifë shumë e lartë dhe po të mos kërkohej si kriter provimi i maturës shtetërore për ata që kanë mbaruar studimet, para që të vendosej, ndoshta bëhet kjo përshtatje. Në një shoqëri ku njeriu luan me kursimet e tij në lotari, bingo, bursë (firmat piramidale akoma nuk janë harruar), pse mos t’ia kushtojë një pjesë të jetës së tij formimit, edukimit, dijes? Në universitet ndoshta njeriu arrin të kuptojë diçka më shumë nga kompleksiteti i jetës, nga vetja e ndoshta të hapë ndonjë perspektivë më të mirë për jetën.

Autori është pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›