E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqtrajtohet i burgosuri, protestë në qeli te 313-a

• Rrahja e një të paraburgosuri prej policëve të Burgut 313, ka shkaktuar reagimin e bashkëvuajtësve të tij, të cilët janë përfshirë në një protestë 30 minutëshe.

Fatos Mahmutaj

 Burime nga ky burg pohojnë se ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, teksa 18-vjeçari Emiljan Kipti, i arrestuar për plagosjen me thikë të një badigardi të një lokali lojërash fati, është keqtrajtuar nga një gardian që kryente shërbimin në korridorin e burgut. Burime nga burgu pohojnë se 18-vjeçari i paraburgosur ishte punësuar pastrues korridoresh, ndërsa kishte mbaruar punën në njërin korridor, disa të burgosur i kishin dhënë një paketë cigaresh për ta dërguar te disa të shokë të tyre te një qeli që ndodhej në një sektor tjetër të burgut. Polici që kryente shërbimin në derën e hekurt midis dy sektorëve, ka tentuar t'i marrë cigaret adoleshentit, ndërsa ka hasur në kundërshtimin e këtij të fundit. Pretendimi i policit ishte fakti se nuk lejohej transportimi i sendeve të burgosurve nëpër qeli të ndryshme, pasi përbënte rrezik përhapja e sendeve të ndaluara nëpër institucion.
Protesta
Në momentin që gardiani po ushtronte dhunë mbi 18-vjeçarin, kanë reaguar ashpër bashkëvuajtësit e tij, të cilët kanë tentuar të hapnin dyert e qelive. Pas pak minutash, disa prej të burgosurve kanë dalë në korridor, ndërsa për të qetësuar situatën aty kanë hyrë dhe dy policë të tjerë. Por edhe pas kësaj situata nuk është qetësuar, ndërsa të paraburgosurit kanë kërkuar që në sektorin e tyre të vinin për t'i takuar krerë të policisë së burgut. Rreth 20 minuta më vonë aty ka mbërritur kreu i regjimit, i cili ka marrë si masë paraprake largimin e policit që kishte ushtruar dhunë nga vendroja dhe zëvendësimin e tij me një gardian tjetër. Pas kësaj situata është qetësuar, ndërsa të burgosurit kanë kërkuar prej Policisë së Burgjeve garanci për mosushtrim dhune. Kjo u është premtuar, ndërsa të gjithë janë kthyer nëpër qelitë e tyre, çka ka bërë që situata të normalizohej. Mësohet se më pas ngjarja u është përcjellë krerëve të burgut, të cilët pritet ta shqyrtojnë dhe të vendosin për marrjen e masave që të mos përsëritet në të ardhmen. 
I paraburgosuri
Emiljan Kipti, 18 vjeç, ndodhet në qeli që nga 20 shkurti i këtij viti, i akuzuar se në bashkëpunim me moshatarin e tij, Dritan Uka, qëlluan me thikë badigardin e një lokali lojërash fati në rrugën e Dibrës. Shkak për grindjen midis tyre ishte fakti se dy adoleshentët kishin humbur një sasi të konsiderueshme të hollash, duke luajtur nëpër makinat elektronike të lojërave të fatit. Pasdite ata ishin kthyer në sallën e lojërave dhe pasi kishin humbur edhe një sasi tjetër të hollash, kanë nisur të qëllojnë ekranet e pajisjeve. Në këtë moment badigardi i lokalit u ka kërkuar të dalin jashtë, ndërsa ata janë konfliktuar me të. Pas kësaj ai i ka nxjerrë forcërisht jashtë, duke i ndaluar të hynin sërish në sallën e lojërave. Te dera e lokalit dy adoleshentët janë grindur me truprojën, i cili i ka qëlluar me shpulla, ndërsa ata me një thikë që kishin me vete. Pas plagosjes Uka u largua duke mundur t'i shpëtonte prangave, ndërsa Kipti u arrestua dhe tashmë ndodhet i paraburgosur. Vetë adoleshenti mban qëndrim pohues ndaj akuzës, por sipas tij grindja u provokua nga truproja dhe jo prej tyre. Pas pak ditësh pritet që të përfundojnë hetimet ndaj tij dhe çështja të dërgohet në gjykatë.

Greva, burgjet premtuan zgjidhjen e pretendimeve të të burgosurve

TIRANE - Pak ditë më parë të paraburgosurit e 313-ës në kryeqytet u përfshinë në protesta, duke pretenduar se njëra prej kërkesave të tyre ishte dhuna që ushtronin forcat speciale të burgjeve gjatë kontrolleve nëpër qeli. Protestat e të burgosurve vazhduan edhe me grevë urie, që zgjati dy ditë, por pas takimit me krerët e burgjeve ata hoqën dorë, pasi iu premtua se do të zgjidheshin kërkesat e tyre. Të burgosurit grevistë kërkuan që t'iu shtohej sasia e ushqimeve që dërgonin familjarët, të përmirësoheshin kushtet higjienike të ushqimit që ofronte institucioni si dhe të zgjatej orari i ajrimit, i cili duhet të kryhej në vende të posaçme dhe të përshtatshme për këtë qëllim. Më tej të paraburgosurit kërkuan që Ministria e Drejtësisë të merrte iniciativën për të bërë ndryshime ligjore përsa i përket lirimit me kusht dhe uljes së dënimit për të burgosurit që punojnë në qeli dhe atyre që sillen mirë.                                       f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›