Kequshqyerja, 19% e fëmijëve më të shkurtër për moshën
Problemi është më i theksuar në zonat malore të vendit, ku kjo shifër shkon në 28%
Kequshqyerja e vazhdueshme ka bërë që 19% e fëmijëve nën 5 vjeç në vendin tonë të jenë më shtatshkurtër për moshën që ata kanë. Më problematike situata paraqitet në zonat malore të vendit, ku kjo shifër shkon në 28%, ndërsa në kryeqytet, në zonën qendrore dhe bregdetare të vendit, rezulton se në secilën prej tyre 18% e fëmijëve janë më të shkurtër. Të dhënat bëhen të ditura nga Instituti i Shëndetit Publik, specialistët e të cilit shpjegojnë se, edhe pse ka një përmirësim të treguesve të kequshqyerjes, përsëri kemi malnutricion.
Ndërkaq, edhe studimi i fundit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri 2008-2009 tregoi se gjendja e ushqyerjes së fëmijëve është përmirësuar gjatë 5 viteve të fundit. Megjithatë, 19% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç janë të shkurtër për moshën (stunted). Prapambetja në gjatësi që tregon kequshqyerje kronike dhe është më e zakonshme në zonën malore (28%) sesa në Tiranë qytet dhe në zonat qendrore dhe bregdetare. Studimi tregoi se një tregues tjetër i kequshqyerjes që flet për fëmijë të dobët për gjatësinë (Wasting), është 9%, kjo është një shenjë që flet për një kequshqyerje akute. Pesë për qind e fëmijëve nën 5 vjeç ishin nën peshë për moshën e tyre. Nga ana tjetër, barra e dyfishtë e kequshqyerjes bëhet e qartë nga prania e mbipeshës në 22% e fëmijëve nën 5 vjeç. Statusi i ushqyerjes vlerësohet me: gjatësia ndaj moshës; pesha ndaj gjatësisë; pesha ndaj moshës. Sipas specialistëve, kequshqyerje kronike përveçse vonesës në rritje dhe lënies së fëmijëve më të shkurtër për moshën e tyre, bën që ata të jenë të prirur edhe për sëmundje kronike. Por, përveç ushqyerjes, zhvillimi i shëndetshëm i fëmijës përfshin edhe zhvillimin e tyre psikosocial dhe shëndetin mendor. OBSH vlerëson se afërsisht 10-20% e fëmijëve kanë një ose më shumë probleme mendore ose të sjelljes. Në vendin tonë mungojnë studime të lidhura me prevalencën e çrregullimeve të zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Por, në studimin e kryer në vitin 1998 në Tiranë, nga QKMZH dhe QSUT, në fëmijët e moshës 4 vjeç rezultoi se 6%-11% e tyre kishin probleme të zhvillimit dhe vonesa në të folur.