Studimi, 20 % e studentëve në Itali janë shqiptarë
Gati 20% e studentëve të huaj në universitetet italiane janë shqiptarë. Kjo statistikë vërtetohet nga një studim i kryer prej Bankës Botërore, për të matur aftësinë tërheqëse të universiteteve italiane. Në total janë rreth 11 mijë të rinj shqiptarë që frekuentojnë 77 universitet e vendit, 15 herë më shumë se studentët francezë e 34 herë më shumë se ata spanjollë. Pas shqiptarëve, ndër studentët e huaj që zënë numrin më të lartë të kombësive që studiojnë në Itali radhiten rumunët dhe kinezët. Sipas Bankës Botërore, në total të rinjtë që studiojnë jashtë vendit të tyre janë 3 milionë e 343 mijë, ndër ta 627 mijë, rreth 19% ,janë në universitetet amerikane. Çdo vit rreth 5 mijë maturantë shqiptarë aplikojnë për studime jashtë Shqipërisë. Vendet më të preferuara veç Italisë, janë edhe Turqia, Gjermania, Anglia e deri SHBA-ja. Sigurisht që secili prej këtyre shteteve ka procedurat dhe kriteret e veta për të pranuar studentë të huaj. Arsyeja më e madhe që i pengon shqiptarët për të ikur me studime jashtë nuk është kalimi i konkursit, por tarifat që në disa prej universiteteve janë vërtet të kripura. Por, nga ana tjetër, po të peshojmë edhe cilësinë e diplomave që lëshohen prej këtyre universiteteve, dhe mundësitë e punësimit për një të sapodiplomuar që ka studiuar jashtë, një pjesë e mirë e familjeve shqiptare nuk ngurrojnë të shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre miliona lekë në katër vite studimi universitare.