E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat e stinës, 13 mijë raste për një jave. Mjekët: Kujdes nga temperaturat

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-05-2011 10:45

Rritja e temperaturave dhe luhatja e herëpashershme e tyre ka shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve nga virozat e stinës. Mesatarisht në urgjencat e QSUT-së çdo ditë paraqiten 200 raste që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërkohë që pjesa më e madhe tyre janë fëmijë. Në këto kushte, mjekët u bëjnë apel prindërve që të tregohen të kujdesshëm për fëmijët ndaj temperaturave, duke evituar daljet në oraret e drekës, si dhe duke u dhënë sa më shumë lëngje për të shmangur dehidrimin (mungesën e lëngjeve në organizëm). Ndërkaq, sipas të dhënave nga Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri në mesin e muajit maj, brenda një jave në të gjithë vendin mjekët kanë raportuar 12 959 raste të prekurish nga virozat, ku më problematike situata vazhdon të jetë me infeksionet e sistemit të frymëmarrjes, të njohura si infeksionet respiratore. Më konkretisht, ndarja e të prekurve nga infeksionet respiratore të sipërme dhe ato të poshtme është respektivisht 7401 të parat dhe 4412 të dytat. Por, me gjithë numrin e lartë të të prekurve nga problemet me frymëmarrjen brenda një jave, sipas specialistëve të Shëndetit Publik, trendi në kohë i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqitet i qëndrueshëm krahasuar me javën paraardhëse. Ndërkaq, shpërndarja e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, sipas javëve dhe grup-moshave, ka rezultuar më e lartë te fëmijët më të mëdhenj se 5 vjeç. Më konkretisht, te fëmijët më të vegjël se 5 vjeç janë regjistruar 2994 infeksione respiratore të sipërme dhe 1521 infeksione respiratore të poshtme. Kurse tek ata më të mëdhenj se 5 vjeç, 4407 infeksione respiratore të sipërme dhe 2891 infeksione respiratore të poshtme. Bazuar në ecurinë e survejancës sindromike “Alert”, për periudhën 9 maj-15 maj 2011, përveç infeksioneve respiratore, mjekët u kanë raportuar specialistëve të Shëndetit Publik edhe një shtim të rasteve me diarre, që në total shkojnë në 1135 për një javë. Krahasuar me javën paraardhëse, sipas specialistëve të Shëndetit Publik, trendi në kohë i diarreve pa gjak paraqet 3% rritje. Po ashtu, specialistët e ISHP-së kanë regjistruar edhe 11 raste me variçelë, sëmundje e njohur ndryshe si lija e dhenve. “9 raste janë raportuar nga rrethi i Tiranës dhe 2 raste nga rrethi i Fierit. Nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, mjekët infeksionistë dhe epidemiologë të rretheve përkatës, rastet nuk janë suspekt fruth apo rubeolë, por variçelë”, - thuhet në raportin e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive. Këshillat e mjekëve në këto ditë maji për prindërit janë të evitojnë ambientet në komunitet, si dhe të drejtohen te mjeku dhe jo në farmaci për të marrë mjekimin e duhur, pasi patologjitë shfaqin dhe komplikacione për shëndetin.

Numri i të prekurve

Diarre pa gjak 1 135

Inf. resp. të sipërme 7 401

Inf. resp. të poshtme 4 412

Rash me temperaturë 11

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›