Rihapet dosja "Ali Ukaj"

TIRANË - Rihapet për t’u hetuar pas 11 vjetësh dosja e vrasjes së gazetarit kosovar Ali Ukaj, që u masakrua barbarisht në 29 korrik të vitit 1997 në Tiranë. Burime të rezervuara hetimore bëjnë të ditur se shkak për rihapjen e kësaj dosjeje, e cila në kohën kur u krye krimi pati të arrestuar dhe Selman Ukajn, kushëririn e viktimës, janë bërë disa dëshmi të reja, të cilat kanë çuar organin e përgjithshëm të akuzës në vendimin që të hetojë çështjen nga e para. Nga burime të tjera të besueshme konfirmohet fakti se po vlerësohen disa të dhëna të rëndësishme, të cilat hedhin dritë mbi ngjarjen dhe që bëjnë lidhjen mes dosjes së Ukës dhe asaj të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Në fakt, gazetari Ali Ukaj rezulton që të ketë pasur lidhje dhe njohje të shumta me persona të tjerë, të përfshirë në organizata të ndryshme që ishin në kulmin e tyre asaj kohe për çlirimin e Kosovës. Ukaj njihej si për lidhjet që kishte me eksponentë të UÇK-së, që asaj kohe jetonin dhe vepronin në Tiranë, ashtu edhe me ato të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Dyshimet se të dyja ngjarjet e rënda, zhdukja e Remzi Hoxhës në tetor të vitit 1996 dhe vrasja makabre e Ali Ukajt mund të kenë lidhje, tashmë pritet të marrë përgjigje nga grupi hetimor i ngritur për të rijetuar krimin.
Hetimi i parë
Në kohën kur ndodhi vrasja e gazetarit, policia arrestoi në atë kohë kushëririn e tij, Selman Ukajn, i cili banonte në Zvicër dhe që korrikun e atij viti kishte ardhur në Tiranë së bashku me të shoqen e tij, për t’i bërë një vizitë Aliut. Gjatë kësaj vizite ai akuzohet për vrasjen e të afërmit të tij gjatë një sherri banal dhe arrestohet. Në procesin gjyqësor në ngarkim të tij, Selman Ukaj i ka pranuar akuzat e ngritura asaj kohe nga grupi hetimor. Por gjatë procesit gjyqësor, nëpërmjet një ekspertize mjeko-ligjore, deklarohet se Selman Ukaj vuante nga çrregullime mendore dhe se nuk ishte i ndërgjegjshëm për krimin e kryer. Gjykata vendos shtrimin e tij në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Pak kohë më pas ai “lihet” i lirë dhe dyshohet se iku drejt Zvicrës, ku ai kishte jetuar edhe më përpara. Dosja quhet e mbyllur për afro 11 vjet. Por historia e vrasjes së bujshme të gazetarit Ali Ukaj nuk do të mbyllej përgjithmonë. Persona në dijeni për ngjarjen u janë drejtuar dyerve të policisë e prokurorisë, duke dhënë fakte dhe dëshmi rreth eliminimit të gazetarit. Këta organe pasi kanë nisur punën për verifikimin e dëshmive të reja, kanë rihapur dosjen. Nga burimet mësohet se gjatë hetimeve është vlerësuar pista e lakuar prej kohësh: Ali Ukaj dyshohet të jetë vrarë, pasi ka qenë në dijeni të historisë së zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe ka qenë shumë pranë zbardhjes së plotë të historisë së tij. Kjo duket se i ka dhënë fund edhe jetës së të riut kosovar.
Ngjarja sipas dokumenteve zyrtare të kohës
“Rreth orës 00.30 të datës 29 korrik 1997, Selman Ukaj sapo ishte kthyer me viktimën, Ali Ukaj, në banesën e këtij të fundit, pasi kishin konsumuar alkool gjatë gjithë ditës. Kanë vënë re se banesa ishte bërë rrëmujë. Midis të pandehurit dhe viktimës ka filluar një konflikt, për shkak të pasaportave personale të tij dhe gruas së tij serbe, Miljanës. Në grindje e sipër, Selmani godet Aliun me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen. Pas momentit të goditjes, i pandehuri ka filluar të bërtasë, duke e mbajtur për shumë kohë viktimën në prehër dhe nuk ka lëvizur nga banesa, deri kur është lajmëruar policia dhe e kanë arrestuar”. Në dokumentet zyrtare të kohës thuhet se pas një ekzaminimi të gjatë psikiatrik, duke u kryer akte ekspertimi nga një grup i gjerë ekspertësh psikiatër, ka rezultuar se agresori ka paraqitur çrregullime mendore. Pas kësaj ekspertize, gjykata vendosi mjekim të detyruar në një institucion psikiatrik për Selman Ukajn.
Kush ishte Ali Ukaj?
Ali Ukaj ka lindur në fshatin Lumbardhë të Deçanit. Si student detyrohet të arratiset në Shqipëri në vazhdën e burgosjeve dhe represionit në vitin 1993 që ushtronte policia serbe, e cila kishte tentuar disa herë ta arrestonte. Në Tiranë vazhdoi studimet në fakultetin e Gazetarisë. Njëkohësisht punonte si gazetar në “Gazetën shqiptare”.