Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda vitit
Kryetarja e Kuvendit takon zyrtarët më të lartë kroatë dhe merr garancitë e nevojshme
“Kam pasur rastin që pas bisedës me Kryeministrin Berisha të bisedoj edhe me Kryeministrin turk Erdogan për sa i përket shtrirjes së gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Kemi përcaktuar takime të ministrave të energjetikës në Ankara e më pas edhe në Shqipëri dhe jemi optimist që ky projekte madhor në fushën e energjetikës do të konkretizohet shumë shpejt”
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozezefina Topalli zhvilloi një vizitë në Kroaci, ku u prit në takime të veanta nga Presidenti e kroat, Stjepan Mesiç, Kryeminsitri Ivo Sanader dhe homologu i saj Luka Bebi. Kryetarja Topalli ishte e shoqëruar në këtë vizitë e takime nga dy bashkëkryetarët e komisionit ad-hoc për NATO-n, Ferdinad Xhaferri dhe Pandeli Majko.
Duke i uruar mirëseardhjen Kryetares së Kuvendit, Presidenti Mesiç tha se kjo vizitë është një nxitje konkrete e mëtejshme e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Presidenti kroat vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, intensifikim që pritet të forcohet më shumë në aspektin ekonomik. Presidenti kroat i premtoi Kryetares Topalli se “Brenda këtij viti do të heqim edhe regjimin e vizave mes dy vendeve dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mjet komunikimi tokësor, ajror dhe detar për të afruar edhe më shumë dy popujt, por edhe për të rritur shkëmbimet tregtare”.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria ndjehet mjaft e nderuar që ndodhet përkrah Kroacisë në proceset integruese.
Duke u ndalur në situatën në rajon, Presidenti kroat shprehu kënaqësinë që tashmë Kosova është një realitet.
“Ajo po ecën krah vendeve të tjera të rajonit, dhe kjo rrugë është shumë e rëndësishme”, u shpreh Mesiç.
Bashkëpunimi në fushën ekonomike, ishte një çështje me mjaft rëndësi gjatë diskutimit mes dy personaliteteve. Në këtë kontekst, Presidenti Stjepan Mesiç tha se nga ana e Kroacisë po punohet për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, që do të afrojë më shumë Evropën qendrore dhe atë Juglindore, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse që do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendeve. Presidenti kroat shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE në një kohë kur Kroacia është në fazën e negociatave për anëtarësim në BE.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Zagreb, u prit në një takim të përzemërt edhe në selinë e Qeverisë nga Kryeministri Ivo Sanader. Duke u ndalur konkretisht te Samiti i ardhshëm i NATO-s, ku pritet edhe anëtarësimi i dy vendeve në Aleancën e Veriut, Kryeministri Sanader e cilësoi këtë event të pritshëm, si një arritje historike për Kroacinë dhe Shqipërinë.
“Është një moment kulmor në historinë tonë. Ne do të kapërcejmë së shpejti problemet e momentit dhe do të festojmë së bashku 60-vjetorin e NATO-s dhe anëtarësimin tonë me të drejta të plota në këtë aleancë. Pas kësaj arritjeje, do të jetë edhe më e lehtë rruga drejt Bashkimit Evropian”, tha Sanader.
Kryetarja e Kuvendit tha se “Delegacionet e Kroacisë dhe Shqipërisë do të jenë bashkë në Strasburg dhe Kelhn. Bashkëpunimi ynë pas kësaj ngjarje të jashtëzakonshme do të kalojë në një stad të ri dhe ndihemi shumë mirë që do të jemi partnerë në sfidat e reja të sigurisë rajonale, por edhe globale”, tha Topalli.
Biseda mes dy personaliteteve të larta u ndal në bashkëpunimin ekonomik, duke u fokusuar në sektorin e energjisë.
Kryeministri Sanader e njohu Kryetaren e Kuvendit me ecurinë e bisedës së bërë edhe me Kryeministrin Berisha gjatë vizitës së tij pak javë më parë në Kroaci. Më konkretisht Kryeministri kroat u ndal në shtrirjen e gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, rreth të cilit pohoi se “Kam pasur rastin që pas bisedës me Kryeministrin Berisha të bisedoj edhe me Kryeministrin turk Erdogan për sa i përket shtrirjes së gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Kemi përcaktuar takime të ministrave të energjetikës në Ankara e më pas edhe në Shqipëri dhe jemi optimist që ky projekte madhor në fushën e energjetikës do të konkretizohet shumë shpejt”.
Lidhur me çështjen e regjimit të vizave Kryeministri Sanader konfirmoi se Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti.
“Është objektiv i yni politik dhe do të realizojmë” theksoi ai.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë qëndrimit të saj në Kroaci është takuar me homologun e saj, Kryetarin e parlamentit të Kroacisë Luka Bebiç, pas vizitës së që ky i fundit zhvilloi para disa muajsh në Tiranë.
Lidhur me aspiratën e përbashkët të dy vendeve për anëtarësim në NATO, Bebiç u shpreh se “Ne do të vijojmë së bashku këtë rrugë”, duke shprehur
bindjen se edhe problemet e lindura në këtë moment për Kroacinë, do të tejkalohen. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që homologët e 26 vendeve anëtare të NATO-s mbështetën dhe përshpejtuan ratifikimin e protokollit nga parlament e tyre.
Dy homologët nënvizuan faktin se mbështetja e SHBA-ve dhe bashkëpunimi në Kartën e Adriatikut A3 ka qenë një nxitje e fortë në rrugën drejt NATO-s. Kryeparlamentari Bebiç vlerësoi se roli i parlamenteve në proceset integruese është thelbësor.
Çështjet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikës së jashtme mes Kroacisë dhe Shqipërisë ishin fokus i takimit që Kryetarja e Kuvendit dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç.