Kërcënimet e kryesocialistit, reagojnë parlamentarët e PD - Ultimatumet Edvini t’ia çojë familjes së tij, Enverit, Spiros e Kristaqit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e denoncon ultimatumin e Edi Ramës, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak, aq edhe domethënës. Për deputetët e Partisë Demokratike, motivet e këtij kërcënimi janë fare të qarta. Për të arritur deri këtu, Edi Rama është frymëzuar nga familja e tij historike dhe ideologjike, ati i tij shpirtëror, Enver Hoxha, daja dhe babai i vet biologjik, Spiro Koleka dhe Kristaq Rama. Por ky ultimatum inspirohet gjithashtu edhe nga familja e tij mafioze e Don Gramozit, Kokëdhimës dhe të tjerë si ata.
Përmes një reagimi mediatik, nënkryetari i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi deklaroi se, “kjo thirrje për të përmbysur me forcë rendin kushtetues dëshmon se ky pinjolli i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit po kërkon dhunojë vullnetin e shqiptarëve e shprehur me zgjedhje të lira më 28 qershor”. Patozi vuri në dukje se “grupi parlamentar i PD e fton zotin Rama që këtë ultimatum t’ia nisë Enverit, Spiros apo Kiços, si famillja e tij historike dhe biologjike. Po ashtu një kopje të tij t’ua dërgojë Don Gramozit, Kokëdhimave apo Dulakëve, dhe të tjerëve që bëjnë pjesë në familjen e tij numerike mafioze”.
“Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë, të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik, për vete dhe për frymëzuesit e tu”, deklaroi më tej nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.