E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunistët nuk do lejohen që t’u ringrenë shqiptarëve Murin e Berlinit

Thirrjet e çunave të Bllokut për një revolucion që do ta ndryshojë pushtetin me dhunë po hasin në rezistencën e institucioneve, të cilat premtojnë qëndresë përballë hordhive me prapavijë kriminale. Kryeministri Sali Berisha rikujton miratimin e shpejtë të ligjit anti-mafia, i cili sekuestron pasurinë e kriminelëve politikë, ndërkohë që e shpall 8 dhjetorin si një provë të re të vullnetit të shqiptarëve për të mos lejuar restaurimin e kastës së enveristëve të brezit të dytë

Kryeministri Sali Berisha sfidon drejtpërdrejt Edi Ramën, duke deklaruar se më 8 dhjetor, në ditën e rinisë, do të ketë më shumë pjesëmarrës se të gjitha tubimet e organizuara nga Rama gjatë këtyre ditëve. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha iu referuar iniciativës së qindra e mijëra të rinjve në vend, për të rrëzuar “Murin e Berlinit” në Tiranë dhe për ti hapur një faqe të re Shqipërisë.
“Axhenda tjetër është festë. Këtë vit, Europa dhe bota festoi 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shqipëria nuk e kishte 20 vjetor, por 19 vjetor, sepse tek ne, rrëzimi i Murit të Berlinit ndodhi një vit më vonë, për arsye se klika në pushtet ishte e tipit më të egër, më barbare, më mizore. Në rast se rikthehemi pas, tek vitet ’90, kur Murin e Berlinit në Tiranë e rrëzuan mijëra e mijëra djem e vajza të rinj që u futën në ambasada, vërehet se e vërteta është që nomenklatura e atëhershme ia doli ta rivendosë atë. Në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore. Por, kjo ishte e përkohshme, sepse murin do ta fshihnin nga faqja e dheut studentët e universitetit të Tiranës, në dhjetor të vitit ’90, në 8 dhjetor, të cilët me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të Murit të Berlinit dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë deklaroi se mund të tingëllojë si joreale përpjekja për rikthimin e “Murit të Berlinit”, por faktet i kthyen ato përpjekje dhe vetëm ato muaj, në kufijtë e Shqipërisë, janë vrarë me dhjetëra e qindra të rinj për fajin e vetëm se kërkonin të dilnin në botën e lirë.
“Kështu që 8 dhjetori, do të jetë festa e shembjes së Murit të Berlinit, në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Europën, për aspiratën tonë europiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti, thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pra, në qoftë se dje, para këtij vendimi, çështjet dhe marrëdhëniet kontraktuare kanë qenë në kuadrin e asociimit, tashmë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit nënvizoi se “këtë vit ne festojmë me krenari, si vend anëtar i NATO-s, kjo është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar”.
“Pasi shembëm Murin e Berlinit, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se ne besonim realisht tek kjo ëndërr dhe ne e realizuam atë. Kështu që ky 8 dhjetor, idealin europian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri. Ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri në 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë mazhorancë. Këta janë të gjithë treguesit”, tha më tej kreu i qeverisë, Sali Berisha.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›