E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimet ekonomike, BSH e detyruar të paralajmërojë

Banka Qendrore në vendin tonë e ka tashmë detyrim për të njoftuar publikun mbi zhvillimet që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një vizite në Kosovë tha se, në fillim të vitit 2007, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e gjykoi të nevojshme të kishte një mbulim më të mirë të zhvillimeve të sistemit financiar, pra jo vetëm të sektorit bankar, por njëherazi të përforcohej analiza e ndërveprimit mes zhvillimeve makroekonomike dhe veprimtarisë së sistemit financiar. Kjo për shkak të lulëzimit të skemave piramidale. “Qëllimi ynë ishte vendosja e një mekanizmi më të qëndrueshëm që do të mundësonte shndërrimin e këtyre analizave, në propozime për veprime konkrete, për të kufizuar rrezikun sistematik, jo vetëm nëpërmjet veprimeve të Bankës së Shqipërisë, por edhe të autoriteteve të tjera publike që kanë rol në monitorimin e zhvillimeve të tregut financiar” tha Fullani. Nga pikëpamja institucionale, në shtator të atij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi krijimin e Departamentit të Stabilitetit Financiar, me përzgjedhjen e kapaciteteve më të spikatura në fushën e operacioneve monetare, të mbikëqyrjes bankare, të kërkimeve dhe të statistikave. Konkluzionet e analizës së këtij departamenti, do të diskutoheshin rregullisht në një nivel më të lartë brenda bankës qendrore, duke ofruar edhe një mekanizëm të nevojshëm filtrimi dhe pasurimi, përpara vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›