Plagos për hakmarrje nënë e bijë
SKRAPAR/ DILAVER XHELILI
Breshëri automatike nënës dhe vajzës që dashuronte, pasi kjo e fundit u fejua me një djalë tjetër. Ngjarja ndodhi në fshatin Spatharë të Skraparit ku nënë e bijë, Liri Sevdari 50 vjeçe dhe Eglantina Sevdari, 18 vjeçe u plagosën rëndë.
Autori i ngjarjes, Besnik Bakiasi, 25 vjeç, u largua menjëherë pas krimit, duke i menduar viktimat të vdekura. Të afërmit i dërguan të plagosurat në spitalin e çorovodës, por për shkak të gjendjes së rëndë, u njoftua Spitali Ushtarak, që çoi një helikopter për transportimin e viktimave drejt Tiranës. Policia mbërriti në vend dhe nisi kërkimet për të riun, i cili ishte rritur po në fshatin Spatharë, por prej disa kohësh jetonte në Sarandë. Ditën e djeshme, rreth orës 13:00, autori kishte mbërritur në Skrapar. Me vete ai kishte edhe një çantë sportive në të cilën mbante të fshehur armën automatike. Sipas burimeve të policisë, 25-vjeçari kishte mësuar se e dashura e tij ishte fejuar me një djalë tjetër me origjinë nga çorovoda, ndaj ai është nisur nga Saranda për t'u hakmarrë ndaj saj. Pasi ka mbërritur në afërsi të Spatharës, ai ka braktisur makinën në pyll dhe është futur në fshat, duke iu drejtuar banesës së 18-vjeçares. Në momentin që Bakiasi është futur në oborrin e shtëpisë, ai është përballur me nënën e vajzës, Liri Sevdari. Kjo e fundit i ka kërkuar të riut të largohej nga shtëpia e saj, por 25-vjeçari i ka kërkuar asaj shpjegime për fejesën e papritur të vajzës, pasi sipas tij, ajo i kishte dhënë fjalën atij se do të fejoheshin bashkë. Ai më pas ka kërkuar të takojë edhe 18-vjeçaren, por insistimi i nënës për t'u larguar vetëm sa e ka tensionuar situatën. Deri në momentet e fundit, adoleshentja nuk kishte dalë për t'u përballur me të, por kur ka parë se situata po përkeqësohej, atëherë ajo doli në mbrojtje të së ëmës. Sipas policisë, i riu i ka kërkuar vajzës shpjegime, por ajo ka refuzuar, duke perifrazuar gjithçka me një "nuk të dua më". Në këtë moment, Bakiasi ka nxjerrë nga çanta automatikun duke ia drejtuar vajzës. Para saj, për ta mbrojtur ka dalë 50-vjeçarja, por autori ka shtënë ndaj saj, duke i shkaktuar tre plumba në bark. Pasi ajo ka rënë përtokë, i riu ka tërhequr këmbëzën e armës edhe ndaj ish-të dashurës së tij, duke e plagosur edhe atë me disa plumba nëpër trup. Duke menduar se nënë e bijë kishin vdekur, ai është larguar duke u fshehur në pyll, pasi e njeh mjaft mirë zonën.