Krujë, ekzekutohet në pritë 50-vjeçari
KRUJE - Ekzekutohet në pritë babai i tre fëmijëve. Arben Duka, 50 vjeç, sapo ka zbritur nga makina e tij është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Krimi u regjistrua mbrëmjen e djeshme në lagjen periferike "Seseraj" të Krujës. Burime të policisë thanë se vrasja është kryer me armë të tipit kallashnikov, plumbat e së cilës kanë goditur me breshëri 50-vjeçarin, duke e bërë vdekjen e tij të pashmangshme. Ora shënonte 20:30, kur viktima i ishte afruar pallatin, në katin e tretë të të cilit jetonte familja e tij. Mësohet se nga krahu i djathtë i janë afruar prej një rrugice autorët, duke e qëlluar me armë, pa asnjë paralajmërim. Ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa banorët e pallatit kanë dalë të alarmuar, duke parë edhe viktimën e mbuluar në gjak. Policia e Krujës nisi menjëherë hetimin për këtë ngjarje të rëndë, por deri afër mesnatës nuk kishte të dhëna për autorët e krimit e as motivet e tij. Viktima Duka nga burime të policisë pohohet se punonte si shofer, por nuk ishte person me precedentë penalë. Nisur nga këto të dhëna, dyshohet se një sherr i çastit, i ndodhur gjatë ditës, të ketë sjellë edhe ekzekutimin e tij. Në momentet kur ndodhi vrasja nuk ka pasur dëshmitarë, duke sjellë vështirësi në zbardhjen e saj. r.n