Vrasësi i trefishtë shpëton nga burgu përjetë
KORçE - Shpëton nga burgu i përjetshëm autori i vrasjes së trefishtë në fshatin Vidohovë të Devollit, Besim Karaj. Trupi gjykues vendosi që të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar të 45-vjeçarit, i cili në janar të këtij viti qëlloi për vdekje tre vëllezër, për motive xhelozie. Vendimi u mor në një seancë me dyer të mbyllura, në kushte mjaft të rrepta sigurie, duke mos pranuar në sallë as familjarët e viktimave, Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mullirit. Që në fillim të seancës, drejtuesi i saj, Gjergji Koço, tha se është vendosur zhvillimi i procesit me dyer të mbyllura, duke u nxjerrë jashtë të afërmit e viktimave. Kjo ka qenë seanca e tretë gjyqësore ndaj Karajt dhe në të është pranuar kërkesa e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar, për të marrë për shqyrtim çdo material hetimor që është në fashikullin e dosjes dhe pa pyetur dëshmitarë. Nisur nga fakti se autori i krimit e ka pranuar vrasjen, duke treguar edhe arsyet pse i qëlloi për vdekje 3 vëllezërit, dosja rezulton e kopsitur. g.a