Abuzimi me tokat në bregdet, ja tapitë që do të verifikohen
Autori i Lajmit: RedaksiaQeveria vendosi dje që nëpërmjet Komisionit Qeveritar të Tokës të bëjë verifikimin e titujve të pronësisë në zonën bregdetare. Ky është një proces që do të zgjasë deri në tre vjet nga i cili do të përfitojnë kompensim edhe ish/pronarët. Lidhur me këtë çështje në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2009 ministri i Shtetit Genc Pollo organizoi një takim me anëtarët e Komisionit Qeveritar të Tokës për verifikimin e këtyre titujve të pronësisë. Sipas Pollos deri në fund të nëntorit të vitit që sapo lamë pas, u janë marrë zaptuesve 1 milionë e 321 mijë metër katrorë tokë, e marrë në mënyrë të kundraligjshme nga zyrtarë abuzivë, por edhe nga privatë. Ai siguroi se po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundraligjshme. “Ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe, pas konfirmimit në gjykatë, të tëra këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet pronësisë së shtetit, për tu përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve. Është një proces që po vazhdon, një proces që po jep frytet e veta. Ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë,” ka sqaruar Pollo. Në bazë të ligjit 9948 datë 7. 7. 2008 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, janë krijuar komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë çdo prefekture. Që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009, komisionet kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 1.320.763 m2. Janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, si dhe vendime të tjera. Sipas ligjit, këto sipërfaqe, pas konfirmimit nga gjykata, kalojnë në pronësi të shtetit.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, shkronja “b”, e 16, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Këshilli i Ministrave vendosi:
UDHEZIMI
I. Për verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, gjatë kontrolleve të drejtpërdrejta, që ushtrohen me nismën e komisioneve vendore të verifikimit të titujve të pronësisë, të ndiqen procedurat e parashikuara në këtë udhëzim.
II. Komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë, me nismën e vet, ushtron kontrolle të drejtpërdrejta e të plota mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për:
a)sipërfaqet e tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore;
b)sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin nr.7665, datë 21.1.1993, “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij.
III. Drejtori i komisionit vendor, në bazë të programit vjetor të miratuar për veprimtaritë e kontrollit dhe verifikimet, përgatit urdhrin e kontrollit, i cili miratohet nga prefekti i qarkut. Në urdhër përcaktohen:
a)objekti i kontrollit, territori i komunës, fshatit, sektorit të ish-NB-së apo zona e zhvillimit me përparësi turizmin për fshatin përkatës.
b)qëllimi i kontrollit dhe verifikimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve.
c)përbërja e grupit të kontrollit me anëtarë të KV-ve.
ç) afati i kryerjes së kontrollit.
d)afati i dorëzimit të raportit përfundimtar të kontrollit dhe të projektvendimeve, që do të paraqiten për miratim në komisionin vendor.
DOKUMENTACIONI MBI TË CILIN DO BEHET VERIFIKIMI
IV. Drejtori i komisionit vendor, për mbledhjen e dokumentacionit që do të kontrollohet, përgatit dhe bashkënënshkruan me prefektin një kërkesë, e cila u drejtohet institucioneve të mëposhtme:
1.Zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut;kryetarit të komunës/bashkisë ku i kërkohet:
a) lista e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi që disponon, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “A”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, për sipërfaqen, objekt i kontrollit;
b) fotokopja e listës së akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe e hartave treguese të regjistrimit që disponon, për të cilat do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore;
c) gjendja juridike e pronësisë së ngastrave, sipas listës të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, për të cilat do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “A”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. ç)çdo dokumentacion tjetër në lidhje me to, kur komisioni vendor e vlerëson të nevojshëm për shqyrtimin administrativ.
Me marrjen e kërkesës së komisionit vendor, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen, objekt i kontrolli, nuk do të regjistrojë asnjë akt dhe nuk do të japë asnjë shërbim për aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, që, në ndonjë rast, nuk janë përfshirë në listën sipas lidhjes A, pa e përcjellë më parë në komisionin vendor për verifikim.
MËNYRA E VERFIKIMIT TË TAPIVE
Komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) kryejnë verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kur kërkesa paraqitet nga: I.Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
1. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dërgon në KV kërkesën për verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës në pronësi, bashkë me relacionin përkatës, kur, në bazë të shkronjës “ç”, të pikës 2/1, të udhëzimit nr.2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, konstaton se regjistrimi në origjinë i tokës bujqësore ka mangësi apo është kryer në kundërshtim me ligjin, sepse:
a)në aktin e marrjes së tokës në pronësi mungojnë një apo më shumë elemente të formës a përmbajtjes, të përcaktuara në pikën 1, të këtij udhëzimi. Në këto raste KV-ja vendos:
i)Mosshqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali, dokumenti i njëhsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar) rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “ç”, të pikës 1, të udhëzimit nr.2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave.
ii) Shqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali, dokumenti i njëhsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar), rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “d” e “dh”, të pikës 1, të udhëzimit nr.2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave.
b)akti i marrjes së tokës në pronësi nuk administrohet në zyrën e regjistrimit ose administrohet një kopje e panoterizuar, edhe pse regjistrimi rezulton i kryer. KV-të për kërkesat e paraqitura për këto raste vendosin mosshqyrtimin e tyre.
c)është kryer në bazë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, me shënimin "Dublikatë". KV-ja në këto raste vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura.
Ç)sipërfaqja e të gjitha pasurive të dhëna me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, në total, del më e vogël se sipërfaqja e këtyre pasurive, të dala gjatë regjistrimit fillestar dhe të pasqyruara në kartelat e pasurisë. KV-ja vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për këto raste vetëm kur kërkuesi ka përcaktuar saktësisht çfarë kërkon të verifikojë apo shqyrtojë në aktin përkatës të marrjes së tokës në pronësi.
Kur KV-ja ka vendosur shqyrtimin e kërkesave të sipërpërmendura, mbledh dokumentacionin e nevojshëm, duke iu drejtuar institucioneve të mëposhtme:
a)kryetarit të komunës/bashkisë përkatëse, të cilit i kërkohet:
i) sipërfaqja e tokës bujqësore, të vënë në dispozicion për tu ndarë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore;
ii) numri i frymëve , sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore
iii) norma e tokës bujqësore, në m2, për frymë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm, të përcaktuar në vendimin nr.255, datë 2.8.1991 të Këshillit të Ministrave;
iv) konfirmimi nëse është lëshuar apo jo akti i marrjes së tokës në pronësi, në sipërfaqen e tokës bujqësore, sipas aktit që verifikohet apo shqyrtohet, për persona të tjerë;
v) çdo informacion tjetër, që gjykohet i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të kërkesës.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010