E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kërcënimi" i Haxhiut ndërron vendimet e FFK-së

Prishtinë, 27 gusht - Sekretari i klubit Trepça, Hajrullah Haxhiu, ka detyruar komisionet e FFK-së që të ndërrojnë vendimet e marra për ndeshjen Trepça '89 - Trepça. Komisioni i Garave të FFK-së të martën kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj Haxhiut, për shkak të sjelljeve arrogante në ndeshjen e luajtur të dielën në Mitrovicë. Një ditë më vonë Komisioni Disiplinor i FFK-së kishte pezulluar Haxhiun deri në kompletim të dokumentacionit.

Ndërkohë, të enjten Haxhiu përmes një letre kishte kërkuar nga kryetari i Komisionit të Garave që termin "për sjellje arrogante" ta ndryshonte në termin "për sjellje josportive". Ai kishte kërkuar që ky ndryshim të bëhej në sajtin zyrtar të FFK-së. Në të kundërtën, Haxhiu ka kërcënuar me padi në gjykatë kryetarin e Komisionit të Garave dhe vetë FFK-në. Kërkesa e tij është "aprovuar" nga FFK-ja. Në sajtin zyrtar të FFK-së, të enjten termi "arrogante" ishte zëvendësuar me "josportive".

"Nuk e pranoj fyerjen publike të cilën ma keni bërë përmes mjeteve të informimit duke shënuar në raportin tuaj: inicim për sjellje 'arrogante'. Veprimi im në bazë të akteve normative të FFK-së quhet sjellje josportive. Nëse brenda 24 orësh nuk e përmirësoni raportin në web faqen e FFK-së dhe nuk më kërkon falje publike, do të padis në gjykatë ty dhe FFK-në", shkruan ndër të tjera në letrën e Haxhiut për kryetarin e Komisionit të Garave, Hadi Mehmetin. Haxhiu ka akuzuar Mehmetin se me qëllim ka dashur ta "godiste publikisht" atë, për të mbrojtur arbitrin Përparim Hasani.

Kryetari i Komisionit të Garave ka thënë se nuk e di se si u bë ndryshimi i termeve në sajtin e FFK-së.

"Vlerësimin për arrogancë e ka sjellë personi zyrtar i ndeshjes. Ne në bazë të raportit të tij kemi hapur procedurë disiplinore. Nuk e kam parë të ketë ndryshuar teksti në sajtin e FFK-së. Nuk e di se si u bë ai ndryshim", ka thënë Mehmeti.

Ndërkohë, Haxhiu ka thënë se nuk është i kënaqur ani pse kërkesa e tij është realizuar.

"I kënaqur do të jem kur komisionet të punojnë pa anime. Nuk është në rregull që për të mos ia ulur notën arbitrit Hasani të hapet procedurë ndaj meje", ka thënë Haxhiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›