E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimi i Ushtarakëve:Do të bojkotojmë zgjedhjet, zbatoni ligjin

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Në një intervsitë për gazetën “Ballkan”, Shkëlqim Beja, përfaqësues i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, shpjegon të gjitha arsyet e bllokimit të ligjit për pensionet e ushtarakëve në rezervë. Hartimi në fshehtësi i draftit të ri pa përfaqësimin e shoqatës. Çfarë parashikon ky draft dhe a e përmirëson gjendjen e ushtarakëve? Sa llogaritet fatura financiare dhe a është e përballueshme nga qeveria. Cila është forca politike që i ka përkrahur, ajo që i ka diskriminuar dhe plani i ushtarakëve për bojkotim të zgjedhjeve të 2009-ës...

Çfarë parashikon drafti i ri për ushtarakët në rezrevë, a bie dakord me kërkesat tuaja?
Trajtimi që u bën drafti ekzistues ushtarakëve është “t i lërë në vend numëro” pa përmirësuar asgjë. Pra me atë pension dhe ato paga që marrin tani. Kemi informacion që projekti që ne kemi denoncuar po përpunohet sërish, por nuk ka asnjë ndryshim, pra janë lënë po ato nene deri tani. Për më tepër ky drafti egzistues ka nene, por është pa identitet. Kjo pasi i mungojnë firmat e hartuesve, pra se kush e bën, Ministria e Mbrojtjes apo e Financave. Ne si shoqatë e kemi denoncuar atë draft, pasi jo vetëm që nuk e përmirëson gjendjen e ushtarakëve, por na diskriminon rëndë. Ky draft përmban disa nene për kategorinë që ka dalë në pension, por ne kemi problemin edhe të oficerëve që kanë dalë në reformë. Nëse hyjmë në NATO, tani kjo ndodh pasi kemi bërë një reformë të thellë, por këta ushtarakë duhen trajtuar me standarde dhe jo si lypës. Sipas draftit të ri, oficerët që kanë dalë nga reforma gjatë këtyre viteve dhe që janë në pension të parakohshëm lihen në nivelin e dy pagave minimale.

Jeni përfaqësuar në diskutimet për draftin e ri?
Jo. Ne si ushtarakë nuk jemi thirrur për të dhënë mendimin tonë në projektin e ri, na kanë përjashtuar pa të drejtë. Pikërisht ne që shprehim interesat e mijëra ushtarakëve të Shqipërisë jemi lënë jashtë diskutimeve si palë përfaqësuese. Në vendin tonë janë marrë disa civilë që nuk e njohin ushtrinë. Kur thuhet që do të bëhet një draft dhe do të ngrihet një komision për çështjen e ushtarakëve, është pa kuptim që shoqata e ushtarakëve të mos marrë pjesë në komisionin për hartimin e këtij drafti. Ka kohë që Ministria e Mbrojtjes po mban qëndrim indiferent ndaj Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, sepse bën vlerësime politike duke u nisur nga protestat tona. Nuk na kanë thirrur për të qenë anëtarë komisoni, edhe pse kanë hartuar 2-3 projekte për problemet tona. Ndërkohë që me ministra të tjerë ne jemi përfaqësuar dhe dëgjuar. Ky projekt i fundit është bërë fshehurazi dhe nuk ka identitet, nuk ka firma të palëve që e kanë hartuar dhe nëse zbatohet është negativ, pasi i përkeqëson kushtet e ushtarakëve duke na lënë si shtresën më të diskriminuar bashkë me minatorët. Tani po punohet për këtë ligj dhe na është thënë se vetëm do të na e japin për ta lexuar, por jo për të dhënë mendimet tona lidhur me projektin.

Cili është qëllimi i vërtetë sipas jush?
Ky projekt po përdoret si lojë elektorale me qëllimin që në prag të pranimit në NATO qeveria po harton ligjin e ri në favor të ushtarakëve. Por në të vërtetë projekti nuk është pozitiv, edhe NATO është informuar, ne i kemi çuar një peticion ku i kemi bërë të qarta problemet e ushtarakëve të të gjithë Shqipërisë. Unë sapo u ktheva nga një Konfederatë e Ushtarakëve në Rezervë, e cila u mbajt në Bruksel.

A ishte i nevojshëm hartimi i një drafti të ri?
Aktualisht, qeveria ka dy ligje të botuara të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë me të cilat ne jemi dakord dhe e kemi favorizuar qeverinë, duke i lënë të zgjedhë ligjin që i leverdis më shumë ekonomikisht, por asnjë nga këto ligje nuk po zbatohet? Njëri është i qershorit 2005 i Partisë Socialiste dhe tjetri i shkurtit të 2006, i Berishës, që u korrigjua me gjykimin e Kushtetueses në tri nene të tij që lidhen me pagesën. Pra nuk ka nevojë për projekte të tjera, pasi janë dy ligje të botuara dhe me të cilat ne jemi dakord, pra 94/18 dhe 94/81. Por mungon vullneti politik për ta zbatuar një nga të dy ligjet ekzistuese.

A shihet fatura financiare si një pengesë e zbatimit të ligjit. Është e përballueshme?
Nuk është e papërballueshme. Referuar faturës së llogaritur në qeverinë Nano, fatura për ushtarakët kap shifrën e 1.2 miliard lekëve, ndërsa ajo e qeverisë Berisha llogaritet 2.2 miliardë lekë. Por për një shtet që mbledh kaq shumë taksa nuk është i pamundur sigurimi i fondit për pensionet e parakoshshme të ushtarakëve. Kjo edhe për disa arsye të tjera. Tani një pjesë e ushtarakëve dalin në pension dhe vlera në vend të rritet, po pakësohet, një pjesë tjetër kanë ndërruar jetë edhe kjo një favor tjetër i qeverisë. Dhe problemi tjetër apo frika e qeverisë është edhe mungesa e një evdience të qartë se sa ushtarakë janë si numër, gjë që ne si shoqatë e kemi në database. Nëse qeveria thotë se janë 8 mijë para 1991, ne u themi se as 3500 nuk kanë ngelur. Pastaj në fund të fundit, shteti e ka për detyrë t i gjejë. Këtu po harxhohen një milard euro për një rrugë 56 km. Madje ne i kemi falur qeverisë 6 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese (ku vendimi i kësaj të fundit përcaktonte që pagesa të fillonte më 1 janar, kurse qeveria kërkoi më 1 korrik). Ndërsa projekti ri është qesharak dhe zvarritet për punë votash. Ne kemi nisur 8 letra në Kryeministri, por s na është kthyer përgjigje.

Për cilën parti do të votoni në zgjedhjet e qershorit të 2009-ës?
Ne mbështesim dhe do të votojmë atë forcë politike që do të na mbështesë ekonomikisht. Në shoqatën tonë ka edhe demokratë edhe socialistë, edhe nga LSI-ja apo parti të tjera. Ne këtu kritikojmë edhe të majtën, sepse edhe ata kur ishin në pushtet pavarësisht se na mbështetën, e lanë për momentin e fundit dhe nuk e zabtuan ligjin e qershorit të 2005-ës. Qeveria tjetër e ndryshoi dhe po atë që vetë ndryshoi do ta ndryshojë sërish tani, edhe të bëjë projekt të ri duke e zvarritur qëllimisht ligjin. Por ne si shoqatë kemi diskutuar edhe një ide tjetër, e cila nuk është vendosur definitivisht, që të bojkotojmë zgjedhjet e 2009-ës, nëse nuk na zgjidhet problemi. Por e theksoj edhe një hërë, që ne do të mbështesim ato forca politike që do të jenë të gatshme të nënshkruajnë me shoqatën e ushtarkëve në rezervë një marrëveshje, siç bën qeveria me sindikatat dhe që do të zgjidhim problemin tonë qoftë kjo edhe mazhorana aktuale, nëse vë në fuqi zbatimin e ligjit të 2005 apo atij të ndryshuar të 2006-ës.

Konfliktet me ISSH-në
ISSH ka deformuar ligjin dhe për këtë ne kemi fituar disa gjyqe, pasi i kemi hedhur në gjyqe personale. Ata kanë shkelur ligjin dhe kanë vjedhur pensionet tona. ISSH është kthyer në një institucion që merr urdhra verbalë dhe nuk zbaton ligjin e botuar në fletoren zyrtare.
Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›