E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i deputetit Balla, Prokuroria identifikon telefonuesin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 09-11-2011 12:35

Pas kallëzimit të deputetit Taulant Balla për kërcënim përmes celularit, grupi hetimor zbardh numrin nga është kryer telefonata pasditen e 20 tetorit. Tashmë pritet që pronari i numrit të thirret në organin e akuzës

Tiranë Prokuroria e Tiranës, e ndihmuar nga kompanitë celulare në vend ka mundur të identifikojë numrin nga i cili u kërcënua deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla pak ditë më parë. Sipas burimeve mësohet se pas një shkrese zyrtare drejtuar kompanisë celulare ku është klient deputeti Balla, është bërë i mundur identifikimi i numrit që ka telefonuar dhe më pas kërcënuar deputetin e PS-së, duke i thënë të bëjë kujdes. Personi në fjalë pritet të identifikohet zyrtarisht si përdoruesi i numrit nga kompania celulare ku ai është klient. Për këtë arsye, prokuroria i ka dërguar një shkresë zyrtare kompanisë në fjalë, ku i kërkon identifikimin e personit që përdor numrin e celularit dhe adresën e tij të saktë, për të kryer më pas veprimet e nevojshme hetimore lidhur me kallëzimin penal të depozituar nga deputeti Balla. Ende nuk dihen motivet e kërcënimit që çoi në prokurori deputetin e PS-së, i cili pohoi se pas përfundimit të seancës plenare kishte marrë një telefonatë kërcënuese. Kallëzimi penal u depozitua në Prokurorinë e Tiranës më datë 21 tetor, një ditë pas seancës parlamentare ku ishte thirrur në interpelancë ministri i Inovacionit, Genc Pollo. Pasi administroi kallëzimin, prokuroria mori dëshminë e deputetit të kërcënuar, i cili ka treguar detaje nga biseda me telefonuesin e panjohur. Sipas tij, telefonata ka ardhur pasditen e 20 tetorit, pak kohë pasi kishte përfunduar seanca ku Balla hodhi akuza për ryshfet ndaj ministrit Pollo, lidhur me tenderin e fibrave optike. Në kallëzimin penal, deputeti i PS-së ka sqaruar se telefonuesi përdorte një numër të fshehur dhe ka kërcënuar deputetin Balla “të mos i jepte shumë gojës”, pasi mund të kishte pasoja. Telefonata në fjalë ka zgjatur disa sekonda dhe është kryer menjëherë sapo ka përfunduar seanca plenare ku ishte thirrur në interpelancë ministri i Inovacionit, Genc Pollo, për të dhënë shpjegime rreth koncesionit të fibrave optike. Kallëzimi penal dhe kërcënimi në adresë të tij është pranuar publikisht nga vetë deputeti Balla, i cili ka pranuar se më datën 20 tetor ka marrë një telefonatë nga një person që kishte fshehur numrin e telefonit. Thirrja është bërë menjëherë pas interpelancës në Kuvend me ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, të cilin e akuzoi për një ryshfet në shumën e 1.2 milionë eurove për çështjen e fibrave optike. Vetë Balla sqaroi më tej se personi e ka kërcënuar duke i thënë “si shumë po i jep gojës, bëj kujdes”. Më pas ai ka mbyllur telefonin. Pas kërcënimit, Balla ka bërë kallëzimin penal në prokurori, duke dorëzuar njëkohësisht edhe një kopje të fjalimit që lexoi të enjten në sallën e Parlamentit. Por këto dyshime pritet të sqarohen pas marrjes në pyetje të personit që ka kryer telefonatën, emri i të cilit pritet të mbërrijë në prokurori brenda kësaj jave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›