E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërcënohen kandidatët e PD.së në Korçë

29/05/2005  Thyhen xhamat e zyrës së Edmond Spahos

Partia Demokratike, dega Korçë, përmes një deklarate për shtyp, ka denoncuar dhunën që po ushtrohet mbi kandidatët e saj për deputet nga ana e militantëve të Partisë Socialiste, për të cilët është thënë se po kërcënojnë me vdekje njerëzit që mbështesin kandidatët e opozitës në fushatën e tyre elektorale. Edmond Spaho, kandidat i zonës 84, u shpreh se në zyrën e tij elektorale, në fshatin Pirg, në harkun kohor të 10 ditëve, janë thyer dyert dhe dritaret, janë grisur flamurët kombëtarë dhe janë grisur posterat e kandidatit. Për të vërtetuar thëniet e tij, ai deklaroi se, ditën e enjte, ishin kapur në flagrancë dy persona, militantë të Partisë Socialiste, të cilët po kryenin të njëjtat veprime. Për këtë arsye, Ilir Hoxhallari dhe Edmond Spaho ishin shoqëruar në polici. Sipas Spahos, personat që grisin posterat dhe që kanë thyer xhamat e zyrës së tij janë nipërit e kryetarit të PS-së në komunën Pirg. Ndërkohë, Partia Demokratike e Korçës, ka denoncuar edhe dhunën e ushtruar në zonën nr.81, ku kandidon Ridvan Bode. Sipas drejtuesve të selisë blu Korçë, dhuna e militantëve të PS në këtë zonë ka qenë edhe më e ashpër, pasi në këtë zonë dhuna e ushtruar ndaj mbështetësve te Bodes ka kaluar deri në kërcënim të jetës me vdekje. Për të gjitha këto, Partia Demokratike, duke siguruar se do të zhvillojë një fushatë të qetë e demokratike, i ka kërkuar Partisë Socialiste të distancohet nga aventurierët dhe të mos provokojë njerëzit e saj. Në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj të mos bëhen pre e provokimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›