E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e katër burrave të Arrzës,të identifikuar nga një fotografi

29/05/2005  Masakra greke, hakmarrja pas vrasjes së komandant Varadas, në vitin 1913

DEVOLL – “Një fotografi e bërë pas shkrepjes së aparatit nga një njeri misterioz, i cili bridhte zonës së Devollit me aparat “në krah”, nën preteksin e “nxjerrjes së bukës së gojës” me këtë profesion, që në atë kohë, ishte tepër i rrallë, u bë shkak për vrasjen e katër burrave...”.

Kështu e nis tregimin e tij Ismet Hamiti, nga fshati Arrzë, i rrethit të Devollit.

“Tashmë, misteri për njeriun-fotograf është edhe më i madh, pasi, që nga dita e shkrepjes së aparatit dhe deri më sot, kanë kaluar mëse 90 vjet, dhe dientiteti i tij ende nuk dihet. E megjithatë, njëra prej fotografive të tij, tregon Ismet Hamiti, vrau Baton dhe Rizanë nga fisi i Brahollinjve, Emin Kodrën dhe Muharrem Zykën, ndërsa la të plagosur rëndë Haxhi Ombashin, të gjithë nga fshati Arrzë i rrethit Devoll, pjesëtarë të çetës së Demir Arrzës”.

Fotografia

Historinë e fotografisë e mbajnë mend të githë burrat e moshuar të Arrzës, por ajo ka mbetur e shkruar edhe në kujtimet e babait të Ismetit, të quajtur Hamit Hyseni, një nga mësuesët e parë të asaj zone në atë kohë.

Kjo histori ka mbetur e errët për gati një shekull, por Ismeti dëshiron të hedhë dritë mbi atë ngjarje.

“Në qershor të vitit 1913, mbahet mend nga arrëzarët (banorët e Arrzës), një nga luftërat më të mëdha të Demir Arrzës, e cila nisi me ushtrinë greke në afërsi të vendit të quajtur “Dobërgorë”, pranë këtij fshati dhe që vazhdoi për orë të tëra edhe në krahun tjetër të Arrzës, te vendi i quajtur “Varri i Zotit”, tregon Ismeti.

Duke iu referuar kujtimeve të shkruara të babait të tij, Ismeti kujton se, “ndërsa bëheshin luftime të egra, një fotograf-endacak, i dhënë pas zanatit të tij deri në kufijtë e një pasioni absurd, shkrepte aparatin mes plumbave, pa llogaritur vdekjen. Kur lufta e asaj dite mori fund, dhe në fushëbetejë kishte mbetur i vrarë kapedani grek, i quajtur Varda, bashkë me tre nga trimat e tij, fotografi misterioz u ndodh pranë çetës së Demir Arrzës dhe u kërkoi të bënte një fotografi para grekëve të vrarë. Këmbëngulës në kërkesën e tij, mundi ta realizonte atë fotografi, e cila pas një shfaqje pak muaj pas realizimit, do të mbetej më pas e fshehur për mëse 80 vjet, jo në Shqipëri, por larg, në Australi”, vijon me rrëfimin e tij Ismeti Hyseni.

Masakra

“Pas shkrepjes së aparatit, njeriu misterioz nuk u kthye të sillte pamjet e fiksuara në celuloid, komandantit të çetës, Demir Arrzës. Më pas, fotografia do të harrohej”, tregon Ismeti, i cili kujton se si ajo u bë shkak për masakrën në fshatin e tyre.

“Befas, disa muaj më pas, grekët hynë sërish në Arrzë. Në dorë mbanin atë fotografi që ishte harruar. Takuan kryetarin e Këshillit, që në atë kohë ishte Ibrahim Azemi, dhe i kërkuan të mblidhte burrat që kishin dalë në fotografi, duke e siguruar Azemin se, kishin për t’u komunikuar diçka që kishte të bënte me një marrëveshje midis tyre. Pas kësaj, tregon Ismeti, burrat që u mblodhën u vunë nën kërcënimin e armëve dhe po në këtë mënyrë, u çuan te vendi ku ishte vrarë Kapedan Varda dhe tre trimat e tij. Aty grekët vranë pabesisht luftëtarët e Demir Arrzës, Bato dhe Riza Brahollin, Emin Kodrën, Muharrem Zyken, dhe lanë të plagosur, duke kujtuar se kishte vdekur, Haxhi Ombashin”, kujton Ismeti.

Ruajtja e fotografisë

Udhëtimi dhe kthimi nga Australia...

Pas vrasjes së katër burrave, grekët hodhën fotografinë mbi ta, dhe u larguan. Rastësisht, ajo fotografi ra në dorën e Hysen Beqos nga fshati Arrzë, i cili siç ka pohuar edhe vetë, nuk pati guximin ta tregonte më atë fotografi në fshatin e tij, edhe pse e kishte fshehur për ta ruajtur gjatë.

Më pas, mbajtësi i fotografisë emigroi në Australi, dhe vetëm në fillim të viteve ’90, ai e dërgoi atë në fshatin e tij në Arrzë, e cila do të ngjallte edhe një herë kujtimet e asaj kohe, megjithëse kishte kaluar pothuajse një shekull.

Tashmë, burrat, gratë dhe fëmijët, kanë rastin të shohin fotografinë, për të cilën ishte folur aq shumë.

Kreu i çetës së fiksuar në celuloid, sipas studiuesit Hamza Koçiu

Demir Arrëza edhe komandant i xhandarmërisë në Tiranë dhe Elbasan

Sipas studiuesit Hamza Koçiu, Demir Ali Arrëza lindi në fshatin Arrzë të rrethit Devoll, më 10 nëntor të vitit 1885 në një fshat që ndodhet shumë afër me kufirin grek. Kur ai ishte 10 vjeç, babai i tij, Aliu, një burrë i dëgjuar i asaj zone, patriot, e çoi djalin në Izmir të Turqisë për studime. Më 1900, Demiri përfundoi me sukses mësimet e mesme dhe më pas shkoi në Stamboll. Aty në një akademi ushtarake përfundoi shkëlqyeshëm studimet e larta për oficer karriere.

Duke parë aftësitë e tij, por dhe komunikimin me pedagogët dhe studentët i ofruan poste të rëndësishme në shtabin madhor të ushtrisë turke, por Demiri nuk pranoi propozimin e komandës së Akademisë së “Gjylhanesë”.

Të njëjtat oferta i bëri edhe komandanti i komandës së garnizonit në Korçë, Allaj Pasha dhe prefekti i Korçës, Fejzi bej Alizoti, por refuzimi i Arrzës ishte i prerë. Ai ishte kundër pushtimit turk. Luftrat e tij më të rëndësishme kundër turqve janë regjistruar në Bilisht dhe në Pojan, por edhe në të gjithë zonën e Devollit.

Më pas luftoi kundër andartëve grekë. Çeta e tij kontrollonte gjithë vijën e kufirit, duke filluar që nga Kapshtica e deri në Malin e Gramozit në Nikolicë. Mjaft e egër ka qenë beteja kundër kapedanit grek Varda, në fshatin Arrzë. Më pas ata u kthyen, ndërsa u vranë pabesisht, Bato dhe Riza Braholli, Emin Kodra dhe Muharrem Zyka, ndërsa mbeti i plagosur Haxho Ombashi.

Në atë periudhë në kufirin shqiptaro-grek vepronin dhe dy kapedanë të tjerë grek, siç quheshin në atë kohë, Kol Kordhishta dhe Janko Janoveni.

Më 20 tetor 1916, kapitenin Demir Ali Arrëza e thërret Themistokli Gërmenji dhe e ngarkon me detyrën e referentit të xhandarmërisë në Korçë. Më pas ,me propozim të patriotit, Kasëm Qafëzezi, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Demir Arrzën komandant të xhandarmërisë së Tiranës. Të njëjtin post ka mbajtur edhe në xhandarmërinë e Elbasanit. Aty u vu në krye të pjesës dërmuese të xhandarmërisë për t’u bashkuar me kryengritësit fanolistë, të cilët e ndalën marrshimin e tyre përmes luftimeve në Tiranën e lirë.

Për këtë ngjarje, Demir Arrëza do të shprehej, “djepi i jetës sime është Shqipëria, ndërsa Revolucioni i Qershorit më dha krahët e lirisë”.

Pas përmbysjes së Revolucionit të Qershorit, Demir Arrëza pezullohet nga detyra dhe për një kohë e burgosën. Pas amnistisë së mbretit Zog caktohet me një detyrë jo të rëndësishme në xhandarmërine e Beratit. Pas disa peripecish, Demir Arrëza kthehet në vendlindjen e tij në Arrëz, i sëmurë nga turbekulozi.

Në vitin 1940 lirohet nga xhandarmëria.

Demir Arrza (i riu), nipi i komandantit

“Ngritja dhe rënia e familjes Arrëza”

Demir Arrza (i riu), nip i Demir Arrzës (plaku), i cili mban emrin e gjyshit, me moshë 50 vjeç, me profesion agronom i lartë, aktualisht me punë në stacionin eksperimental të prodhimit të farërave në Korçë, thotë për gazetën “Metropol” se Demir Arrëza, gjyshi i tij, ishte një njeri i zgjuar dhe mjaft i komunikueshëm, por edhe mjaft i ndjeshëm.

“Vrasjen e katër burrave, për shkak të fotografisë, ai e priti me shumë dhimbje, çka do ta bënte me të ashpër në luftimet pas kësaj ngjarjeje. Megjithatë gjithçka do ta ndante edhe me bashkëshorten që i ndenji gjithnjë pranë”, tregon nipi për gjyshin.

Në bisedë me Demir Arrëza (i riu), mëson se Demir Arrëza (plaku), kishte marrë gruan nga një familje e dëgjuar.

“Demiri ishte martuar me mbesën e Naim Frashërit, nga Libohova, Salien. Ajo ishte një nga bashkëpunëtoret më të mira të Demir Arrzës. Me këtë grua pati 7 fëmijë, Muratin, Shegën, Lirinë, Nurien, Skënderin, Shefqetin dhe Muhametin.

Katër të fundit u bënë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, tregon Demiri.

Nga kujtimet e nipit, mësohet se, “pas çlirimit, djali i tij, Demir Arrzës (plaku), Murati punonte si agronom, Skënderi zuri postin e drejtorit të Liceut, Muhameti punoi si gazetar i ATSH-së dhe njihte mirë katër gjuhë të huaja. Ndërsa Shefqeti shërbeu në ushtri. Në provokacionin grek të viti 1949, Shefqeti u dekorua nga Kuvendi Popullor. Megjithatë për Demir Arrzën (plakun) do të flitej gjithnjë e më pak, aq sa do ta linin në harresë, sepse siç shkruhej në biografitë e asaj kohe, familja Arrëza vinte nga një familje kulakësh”, përfundon tregimin e tij nipi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›