E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të unifikohen analizat e shtatzënisë në gjithë vendin

Drejtori i maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Halim Kosova

Gratë shtatzëna në Shqipëri, në disa rrethe mbingarkohen me analiza, në të tjera nuk i kryejnë fare. Mungesa e protokolleve të mjekut kërcënon jo vetëm jetën e tyre dhe të foshnjave për një gamë të gjerë sëmundjesh, por edhe atë të bluzave të bardha. Për drejtorin e maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Halim Kosova, është i domosdoshëm unifikimi i analizave në të gjithë vendin. I kontaktuar nga gazeta pas publikimit të lajmit për dy nënat me SIDA, të cilat u kanë transmetuar virusin fëmijëve, ai shprehet se zgjidhja më e mirë do të ishte mbulimi nga shteti i vetëm një liste analizash të miratuara më parë nga strukturat shtetërore.
Gazeta Panorama ka publikuar sot një lajm për infektimin e dy fëmijëve me SIDA, të cilët virusin e kanë marrë nga nënat. Këto raste, sipas specialistëve të ISHP-së, mund të ishin shmangur nëse ato do të kishin kryer analizat gjatë shtatzënisë. Mendoni së është e domosdoshme futja e këtyre ekzaminimeve në një protokoll të detyrueshëm, apo do të ishte zgjidhje orientimi nga mjekët gjinekologë?
Sot mjekësia nuk bazohet vetëm në dijet apo eksperiencat personale të mjekëve, por edhe në protokolle apo lista ekzaminimesh, të cilat përvoja e deritanishme i ka përcaktuar si të rëndësishme në kapjen në kohë të sëmundjeve të ndryshme.
Për këtë qëllim edhe gjatë shtatzënisë duhen respektuar të tilla protokolle, kryerja e të cilave me rigorozitet dhe në kohën e duhur do ta bënte diagnostikimin apo kapjen në kohë të shumë patologjive, duke parandaluar ndërlikime si për nënën, ashtu dhe për të porsalindurin. Pra, këto protokolle në punën e përditshme jo vetëm që mbrojnë pacientët tanë, por informacioni i marrë prej tyre do të bënte të mundur edhe parandalimin e infektimit të personelit mjekësor nga sëmundje të rrezikshme, si në rastin konkret.
Duhen ndërhyrje në legjislacion për të vënë në zbatim këto protokolle mjekësore?
Protokollet në mjekësi do ti krahasoja me rripin e sigurisë së makinës, i cili vendoset jo se shoferi e ka ndarë mendjen të përplaset apo të bëjë aksident, por në rast se ndodh, të sigurojë jetën, paçka se mund ta vendosesh gjithë jetën e nuk të ndodh asgjë, edhe më mirë, por në rast se ndodh, të shpëton kokën.
Nga eksperienca juaj e përditshme me gratë shtatzëna, kemi sot analiza që vetë nënat i neglizhojnë?
Nga eksperienca ime ka raste që shtatzënësia mbingarkohet me ekzaminime, ashtu si dhe ka gra që nuk kryejnë asnjë ekzaminim. Veprimi më i drejte, për mendimin tim, do të ishte që për të gjitha gratë gjatë gjithë shtatzënisë, në të gjithë vendin, të zbatohej vetëm një listë ekzaminimesh, e aprovuar më parë nga strukturat shtetërore. Në këtë rast mendoj që një pjesë e këtyre ekzaminimeve do të duhej të mbuloheshin nga shteti, sepse jo të gjitha nënat gjatë shtatzënisë do të kishin mundësi për ti paguar ato. Të mos harrojmë se e ardhmja e shëndetshme e shoqërisë sonë varet shumë nga jeta e fëmijës që në barkun e nënës

Dy foshnje me SIDA, të cilave virusin ua kanë transmetuar nënat. Ato kanë mësuar për sëmundjen vetëm pasi kanë sjellë në jetë të vegjlit. Drama e dy familjeve nga Vlora mund të ishte shmangur nëse do të kishin kryer analizat gjatë shtatzënisë. Të paktën fëmijëve mund tu ishte kursyer virusi i rrezikshëm. Gazeta publikoi dje lajmin që dëshmon për mungesën e sensibilizimit në kryerjen e marrëdhënieve seksuale të mbrojtura dhe ekzaminimeve mjekësore. Në vendin tonë, protokollet mjekësore në letër ekzistojnë, por nuk zbatohen. Virusi vdekjeprurës nuk vjen më nga emigrantët, por qarkullon brenda vendit. Për 6 muaj, ISHP ka regjistruar 28 raste të reja. Përballë kësaj situate, në rrezik është jo vetëm jeta e qytetarëve të pakujdesshëm. Mjekët më të njohur të obstetrikës ngrenë alarmin se raste të tilla kërcënojnë edhe vetë bluzat e bardha.

Analizat i kryejnë vetëm 5% e shtatzënave
Vetëm 5% e grave shtatzëna kryejnë analizat për virusin HIV gjatë shtatzënisë. Mungesa e tyre ka bërë që të lindin jo pak fëmijë të infektuar gjatë këtyre viteve. Edhe pse sot në 16 rrethe të vendit ekzistojnë qendra ku ekzaminimet kryhen falas, numri i personave që shkojnë vullnetarisht është tepër i ulët. Rreth 3% e popullsisë mund ti ketë kryer, ndërkohë që numri i të infektuarve është disa herë më i lartë se shifrat zyrtare. Rreth 71% e rasteve të reja me SIDA mësojnë rastësisht për sëmundjen. Ata drejtohen në spital për shqetësime të tjera me shëndetin dhe pas analizave rezulton se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Vetëm 7% e rasteve paraqiten vullnetarisht pranë ISHP-së apo spitalit infektiv.

Astrit Bimbashi: Të zbatohen protokollet e analizave
Analizat e Sidës duhet të jenë të detyrueshme dhe protokollet e ekzaminimit për gratë shtatzëna duhet të zbatohen njësoj si në vendet e tjera të botës. Vetëm kështu mund të shmangen raste të tilla të infektimit vertikal nga nëna të fëmija. Kështu u shpreh dje për gazetën shefi patologjisë së barrës në maternitetin Koço Gliozheni, Astrit Bimbashi. I pyetur nëse është e domosdoshme ndërhyrja në kuadrin ligjor, ai theksoi se kjo do të ishte një zgjidhje, por ndërkaq orientimi duhet të nisë nga mjekët e familjes. Ne përpiqemi ti këshillojmë gratë shtatzëna të kryejnë analizat për virusin HIV. Ato janë falas dhe nuk ka asnjë arsye pse mos të kryen. Por, mendoj se roli i mjekëve të familjes është i rëndësishëm për të parandaluar sëmundjen, tha Bimbashi. Sipas tij, nga puna e përditshme me gratë shtatzëna rezulton se vetëm një pjesë e tyre janë të gatshme ti kryejnë këto ekzaminime mjekësore.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›