E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga e fshehur në televizor u kthye nga Greqia, dosja në gjyq



TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi dje në gjykatë dosjen penale në ngarkim të dy personave të cilët janë arrestuar me një sasi prej 2 kilogramë heroinë të fshehur në një aparat televizori. Shtetasit Klevis Baxho nga Elbasani, i hetuar në masën e sigurimit “arrest me burg” dhe Ardian Dibrani i hetuar në masën e sigurisë arrest me burg akuzohen se në janar të këtij viti kanë trafikuar në Greqi dhe më pas kanë kthyer anasjellas në Shqipëri, 2 kilogramë heroinë e cila për shkak të cilësisë së keqe nuk është marrë në dorëzim nga pritësit e saj në shtetin grek. Klevis Baxho është akuzuar nga Prokuroria për veprat penale të “Trafikimit te narkotikeve” në bashkëpunim, “Prodhimit dhe shitjes se narkotikeve”, “Mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa Ardian Dibrani, akuzohet se ka kryer veprën penale “Trafikimit të narkotikeve”. Sipas hetimeve të Prokurorisë, dy personat në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dërguar në 25 dhjetor 2009 një sasi droge prej 2 kg heroinë në drejtim të Greqisë. Ndërkohë për shkak të cilësisë së keqe droga është kthyer në Shqipëri dhe është kapur nga policia në momentin e mbërritjes me autobus nga Athina në Elbasan. Në datën 7 janar në ora 16.15 në agjencinë e autobusëve në qytetin e Elbasanit, është kthyer nga Greqia autobusi i linjës “Alba Trans”. I dyshuari Klevis Baxho që kishte ardhur në pritje të autobusit me një automjet të tipit Fiat Marea ma targe BA 433 LL. Ai është afruar tek autobusi dhe ka marre në dore dy aparate dvd dhe një televizor, të cilin e ka vendosur në sediljen e pasme të mjetit të tij. Në këtë kohë ka ndërhyrë policia e cila në brendësi të televizorit ka gjetur dhe sekuestruar katër pako të mbështjella me natriban kafe brenda së cilës ishte futur 2. 078 kilogramë heroinë. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit të banesës së Klevis Baxhos janë gjetur dhe sekuestruar 501.8 gramë lëndë narkotike heroinë, një arme zjarri pistoletë tip TT , me 8 fishekë dhe 1526.6 gramë lëndë përzierëse për drogë. Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se ka zbardhur mënyrën e bashkëpunimit të dy personave në trafikimin e sasisë së lëndës narkotike ndërsa është dokumentuar edhe shqetësimi i tyre pasi personat pritës në Greqi nuk kishin marrë në dorëzim drogën për shkak të cilësisë së dobët të saj. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›