E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida e kosovarëve, i treti vazhdon mashtrimet



TIRANE – Skema piramidale e dy kosovarëve që u shkatërruan në Tiranë nga operacioni “Rruga pa sukses” më 6 maj, duket se vazhdon aktivitetin jashtë kufijve të vendit në dëm të shtetasve shqiptarë. “Misioni”, i dy kosovarëve, Valon Kyçyku e Burim Haxhiolli, të arrestuar më para 3 javësh, dyshohet se po vazhdohet nga personi i tretë që ende nuk është ndaluar nga policia, i cili dyshohet se ka mashtruar persona të tjerë gjatë javëve të fundit. Pas mashtrimeve që ata u kanë bërë rreth 320 qytetarëve shqiptarë, duke i bindur që të depozitonin në llogaritë bankare, nga 2290 euro, piramida e tyre vazhdon të funksionojë në Maqedoni. Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit informon, pavarësisht publikimit të skemës së mashtrimit që përdornin kosovarët në Tiranë, qytetarët ende nuk janë sensibilizuar dhe po vazhdojnë të bien pre e mashtrimeve. “Me keqardhje konstatojmë që edhe pse janë njoftuar qytetarët për këtë veprimtari të paligjshme duke i ftuar ata që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji, ende persona të ndryshëm vazhdojnë të mashtrohen nga persona të tjerë, nga lidhje të personave të arrestuar, dhe po paguajnë të njëjtat shuma në Shkup të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Sipas burimeve nga policia, bashkëpunëtori i tretë i kosovarëve që u arrestuan në Tiranë, për “Mashtrim në dëm të disa personave më shumë se një herë”, dyshohet se ka arritur të mashtrojë dhjetëra persona, me të njëjtën skemë. Qytetarëve u thuhet që të derdhin në bankë shumën 2290 euro, në llogaritë e kompanive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, si dhe të rekrutojë secili nga 3 persona të tjerë. Sërish përdoret një sallë ku zhvillohen takimet dhe leksionet për biznesin, duke shfrytëzuar një libër me titull “Rruga kah suksesi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›