E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë: 20 vjet burg Nehat Kullës



Fatos Mahmutaj

Nehat Kulla, ish-i forti i kryeqytetit në vitin 1997, do të kalojë 20 vite në qeli, si fajtor për vrasjen e Halim Gjuzit, ish-shoferit të Ministrit të Brendshëm, Halit Shamata, në vitin 1998. Gjykata e Lartë vendosi dje të linte në fuqi këtë dënim, të dhënë nga Gjykata e Kavajës dhe të konfirmuar me formë të prerë nga Apeli i Durrësit. Vetë “Gjenerali”, siç preferonte Kulla ta thërrisnin në 1997, nuk u paraqit dje në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që ishte braktisur edhe nga dy avokatët e tij, nga të cilët njëri kishte dërguar raport mjekësor, ndërsa tjetri kishte dërguar njoftim se do të merrte pjesë në një përvjetor përkujtimor familjar. Për të parin, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e pranoi arsyen e mungesës, ndërsa për të dytin e quajti pretekst për të zvarritur procesin. Të ndodhur edhe para prezencës të prokurorit të çështjes, gjykata vendosi të shqyrtonte dosjen në mungesë të të dënuarit Kulla dhe avokatëve të tij, megjithëse ishin këta persona që kishin vënë në lëvizje drejtësinë e Shkallës së Tretë. Pas kësaj u ftua prokurori i çështjes, që të paraqiste parashtrimet e veta në proces. Prokurori tha se vrasja e 30-vjeçarit Gjuzi ishte kryer nga i dënuari Nehat Kulla, rreth orës 16:00 të 28 korrikut 1998, në rrugën nacionale te Shkëmbi i Kavajës. Ata kishin ecur në të njëjtën drejtim të rrugës pak minuta më parë dhe ishin sharë me njëri-tjetrin, për shkak të parakalimit të makinave. Në momentin që Gjuzi kishte ndaluar, Kulla i është afruar drejt dhe duke i thënë: “Dashke edhe sqarime ti”, i ka qëlluar me një plumb pistolete në kokë dhe më pas është larguar nga vendi i krimit. Pas kësaj, sipas prokurorit, janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë dhe janë analizuar provat, të cilat kanë nxjerrë si autor të krimit Nehat Kullën. Pikërisht në bazë të këtyre provave, Prokuroria e Kavajës rihapi hetimin në ngarkim të Kullës, në vitin 2005, dhe më pas e vuri atë në pranga. Po kështu Gjykata e Kavajës, dy vjet më parë e gjeti fajtor për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, duke e dëbuar respektivisht me 18 dhe 3 vjet burg, ndërsa nga bashkimi i dënimeve Kulla u dënua përfundimisht me 20 vjet burg. Gjashtë muaj më vonë, këtë vendim e la në fuqi Apeli i Durrësit, ndërsa Kulla dhe mbrojtësit e tij, duke pretenduar pafajësinë iu drejtuan Gjykatës së Lartë. Aktualisht Nehat Kulla ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa burime nga mbrojtja u shprehën se do ta ankimonin këtë vendim në Kushtetuese.

Dëshmitë
Dëshmitarët që kanë fundosur Nehat Kullën për vrasjen e Halim Gjuzit është italiani M.K. dhe bashkëshortja e tij shqiptare E. Sh. Këta të dy kanë qenë dëshmitarë në vendin e krimit dhe pas ngjarjes janë shoqëruar në polici për të dhënë deklarime. Gjatë dëshmisë, këta kanë pohuar, ashtu si dëshmitarët e tjerë, që vrasësi ishte një person rreth 45 vjeç, i mbushur, autoritar, me flokë të shkurtra, drejtonte një mjet ushtarak tip “Shevrolet” etj. Duke mos qenë të bindur se dëshmitarët kishin thënë gjithçka, policët i kanë futur në një dhomë izolimi dhe i kanë përgjuar ku ata kanë pohuar se ekzekutori ishte Nehat Kulla.

Gjurma
Sipas prokurorisë, Nehat Kulla lëvizte me një makinë ushtarake tip “Shevrolet” me targë që fillonte me shifrat “07”. Policia pohon se ka qenë pikërisht kjo makinë në vendin e ekzekutimit të shoferit Halim Gjuzi, më 28 korrik 1998. Sipas akuzës, edhe pse Kulla është munduar ta fshehë këtë fakt, është vërtetuar se ai këtë mjet ia ka grabitur shoferit të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë rrëmujave të ’97-ës. Po kështu, për më tepër, prokuroria pohoi se në makinë, gjatë këqyrjes së saj, në pjesën e brendshme të derës ishte gjetur gjurma e gishtit të Robert Kullës, djalit të të pandehurit Nehat Kulla.

Gazetat
Shkak për të rihapur hetimet ndaj Nehat Kullës, për vrasjen e Halim Gjuzit, ka qenë një koleksion prej 212 artikuj gazetash që Kullës i ishin gjetur në banesë gjatë kontrollit të policisë. Të gjithë artikujt flisnin për të, veç njërit, i botuar në gazetën “Rilindja Demokratike”, më datë 29 korrik 1998, një ditë pas vrasjes, ku flitej për ekzekutimin e shoferit Gjuzit dhe në asnjë moment nuk përmendej Kulla. Sipas prokurorisë, si ka mundësi që Kulla, i cili koleksiononte vetëm artikujt e mediave për të, të kishte futur në arkivin e tij edhe shkrimin për ekzekutimin e një personi tjetër, me të cilin nuk kishte lidhje!?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›