Kërcënohet fizikisht trajneri i Prishtines, Kujtim Shala

Ende pa filluar stinori pranveror, kur shumica e skuadrave janë në vazhdën e përgatitjeve për garat e pranverës, futbolli ynë u godit nga një "tërmet". Burimet tona bëjnë të ditur se nga njerëz të panjohur është sulmuar vetura e kryetrajnerit të Prishtinës, Kujtim Shala, e cila gjendej e parkuar në afërsi të stadiumit të qytetit. Po ashtu, mësuam se asaj i janë dëmtuar gomat, ndërkohë që aty gjendej edhe një letër kërcënuese, sipas së cilës ai (Kujtim Shala) në afat të caktuar kohor duhet ta lëshojë kryeqytetin. Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, e cila e ka shokuar opinionin futbolldashës të Kosovës, ne bëmë përpjekje për të arritur deri tek informacionet zyrtare. Megjithatë, kësaj nuk ia dolëm, pasi edhe trajneri Kujtim Shala edhe drejtori i KF Prishtina, Arbnor Morina, i kishin mbyllur celularët.
Shala ishte i vecantë
Ardhja e Kujtim Shalës në krye të skuadrës më të suksesshme të Kosovës, pos që solli një frymë të re në futbollin kosovar, mënyra se si ai e festonte golit apo edhe fitoren ishte e vecantë, gjë të cilën asnjë trajner kosovar nuk e ka bërë. Kështu ishte thuaja se në të gjitha ndeshjet, në të cilat skuadra e Shalës ka shënuar fitore, ndërsa më e vecanta ishte në ndeshjen për Superkupën e Kosovës të zhvilluar në Mitrovicë, kundër Besës së Pejës, e cila përfundoi me fitoren e prishtinasve. Edhe në këtë ndeshje, Shala, duke mos e fshehur gëzimin e fitores, "shpërtheu" me emocionet e tij, për cka gjyqtari e largoi nga bankina. Kjo dhe sjellje të tjera të ngjashme, të cilat sipas mendimit tonë nuk e kanë prishur imazhin e mirë të skuadrës nga kryeqyteti, duket se e kanë penguar dikë. Edhe pse tash për tash nuk dihet se kush janë sulmuesit apo kërcënuesit, të paktën ata, sipas mendimit tonë, i kanë qitur hije të keqe jo vetëm futbollit, por gjithë sportit të Kosovës.
Policia konfirmon rastin, nuk jep hollësi
Ndonëse në kohën kur ne ishim në polici, asnjë prej zëdhënësve të SHPK-së nuk ishte aty, morëm konfirmimin se ishte sulmuar një veturë, ndërsa i intervistuari ynë nuk saktësoi bëhej fjalë për veturën e Shalës. Me gjithë përpjekjet tona për të marrë informacion më të hollësishëm rreth kësaj ngjarjeje, i pari rast në Kosovë që sulmohet vetura e një trajneri kosovar apo edhe kërcënohet ai, ne nuk mundëm të kontaktojmë me aske.
Pse pa informacion?
Fshehja e rasteve të tilla dhe të tjerave të ngjashme nga kushdo qoftë, nuk i kontribuon zhvillimit të sportit, por vetëm sa e stagnon atë. Nuk e kemi të qartë pse edhe Kujtim Shala edhe Arbor Morina nuk ishin në gjendje të japin informacion për këtë. Fshehja e një fakti, i cili ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organet përkatëse, vetëm sa u hapë rrugë dukurive të ngjashme. Nëse opinioni di gjithcka rreth një sulmi të tillë, atëherë të gjithë do ta dinë se në c'gjendje është sporti ynë vetëm pak ditë para përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.