E Hënë, 2 Nëntor 2026

Papa në Pulja, masa antiterrorizmi në Durrës

30/05/2005  Katër tragete të linjës Durrës-Bari, ndërpresin lundrimin për 48 orë, irritohen ata që kanë prerë biletat

Në të njëjtën kohë mësohet se, edhe në brigjet e përtej detit, udhëtarët që kanë prerë biletë për të lundruar drejt Durrësit nga Bari, do të duhet të qëndrojnë në mjediset e portit po aq sa edhe udhëtarët në brigjet e Durrësit.

DURRES - Katër tragete të linjës Durrës-Bari, kanë pezulluar lundrimin drejt brigjeve pulieze. Ka qenë një faks i mbërritur në Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve dhe enkas për kapitenerinë e Portit të Durrësit nga shoqëria e trageve “Adriaktica”, e cila ka njoftuar ndërprerjen e lundrimit drejt Barit, të trageteve të kësaj linje. Së bashku me tragetet, nuk do të prekin ujërat italiane të zonës jugore të Italisë, edhe anijet e transportit, ndërkohë që të gjitha këto mjete të cilat gjenden në lundrim, janë urdhëruar të strehohen në ishullin më të afërt apo portet fqinje. Të shtunën në mbrëmje nuk janë lejuar të lundrojë drejt Barit dy tragete, ndërsa dy të tjera që kanë prekur ujërat e Durrësit po dje, do të duhet të presin një urdhër të dytë për të vazhduar itenerarin. Në këtë mënyrë, në sheshin e trageteve gjenden të sistemuara trageti “Ionis”, “Athens”, “Venturis Ferris” dhe “Adriatika”. Kjo situatë ka shkaktuar jo pak pështjellim tek udhëtarët, të cilët kishin prerë biletë për tragetet e linjës Durrës-Bari, por që u është mohuar e drejta e lundrimit. Në të njëjtën kohë mësohet se edhe në brigjet e përtej deti, udhëtarët që kanë prerë biletë për të lundruar drejt Durrësit nga Bari, do të duhet të qëndrojnë në mjediset e portit po aq sa edhe udhëtarët në brigjet e Durrësit. Qytetarët e pyetur thonë se, nuk kanë qenë paraprakisht të njoftuar për një vendim të tillë. Të njëjtin pohim kanë bërë edhe inspektorët e kapitenerisë së portit, të cilët janë shprehur se faksi ka ardhur të shtutën, pikërisht, pak orë para se shtetas shqiptarë dhe të kombësive të tjera, të drejtoheshin drejt sheshit të trageteve. Të njëjtat burime zyrtare, pasi kanë shpjeguar arsyet e këtij vendimi, kanë deklaruar se lundrimi drejt Barit është ndërprerë për 48 orë. Nga ana tjetër, policia e Durrësit ka shtuar numrin e efektivave blu si dhe të agjentëve të sektorit të antikrimit në portin e qytetit bregdetar, për të mbajtur nën kontroll të plotë situatën. Të vetmet tragete që janë lejuar të vijojnë rrugën, kanë qenë ato të linjës Durrës-Trieste dhe Durrës-Ankona e kthim.

Masa të forta për të mbrojtur Papën

Atentati ndaj Papa Vojtilës në vitin 1980, i është faturuar agjenturave dhe shërbimeve sekrete të disa vendeve të Ballkanit por jo Shqipërisë, ndërkohë që, në porte të pasigurta, këtë herë policia e vendit fqinjë, ka përfshirë edhe ato shqiptare, të cilat kanë marrë vlerësimet më të larta kohët e fundit nga ndërkombëtarët, përsa i përket zbatimit të standarteve të IMO-s dhe kodit ISPS.

Shkak për ndërprerjen e papritur të lundrimit të trageteve të linjës Durrës-Bari, është bërë vizita në Jug të Italisë i Papa Benediktit 16. Konfirmimi është bërë nga kapiteneria e Portit të Durrësit, autoritetet e së cilës, kanë theksuar se ka qenë policia e rendit në Pulia, ajo që ka vendosur për pezullimim e përkohshëm të lundrimit drejt Barit, të trageteve dhe anijeve që nisen nga brigjet shqiptare. Të njëjtat burime, kanë bërë të ditur se këtë fat kanë pasur edhe tragetet e linjës që nisen nga portet e Malit të Zi drejt Barit, dhe për të njëjtat arsye. Papa Benedikti 16, ka bërë dje udhëtimin e tij të parë në Pulja, që nga koha kur ai erdhi në krye të Vatikanit. Papa do të marrë pjesë në Kongresin Eukaristik dhe për vizitën e tij në Jug të Italisë, janë marrë masa të forta për të ruajtur jetën e Papës dhe të kardinalëve të lartë që e shoqërojnë atë. Mbajtja e këtij evenimenti religjioz për katolicizmin, ka mobilizuar shumë forca sigurie dhe ndër masat e tjera ka qenë edhe sigurimi i jetës së tij, nga aktet e mundshme terrorise. Gjithçka duket se është justifikuar me frikën e depërtimit të mundshëm të ekstremistëve terroristë, duke shfrytëzuar portet shqiptare dhe ato të Malit të Zi, për të kaluar në Jug të Italisë.Sipas pohimeve, mësohet se në këtë rast, nuk bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë të cilët nuk figurojnë në listën e zezë të përëndimit për akte terroriste, por janë shtetas të kombësive të tjera, ata që mendohet se mund të shfrytëzojnë linjat e trageteve që nisen nga Durrësi. Ndonëse autoritetet policore shqiptare si dhe të gjitha strukturat e shërbimit të fshehtë të vendit tonë kanë përmbushur të gjitha garancitë, policia pulieze ka vënë në dyshim sigurinë dhe kontrollin e udhëtarëve dhe mjeteve në portin e Durrësit. Atentati ndaj Papa Vojtilës në vitin 1980, i është faturuar agjenturave dhe shërbimeve sekrete të disa vendeve të Ballkanit, por jo Shqipërisë, ndërkohë që në porte të pasigurta, këtë herë policia e vendit fqinj ka përfshirë edhe ato shqiptare, të cilat kanë marrë vlerësimet më të larta kohët e fundit nga ndërkombëtarët, përsa i përket zbatimit të standarteve të IMO-s dhe kodit ISPS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›